Tallja e turpshme e Morgut me trupat e viktimave: I vendosim me respekt në thasë e dysheme

Ditën e djeshme u publikuan në media, disa fotografi që tregojnë pamje mjaft të rënda nga morgu i Tiranës. Aty shfaqeshin disa qytetarë të vdekur, trupat e të cilëve ishin vendosur në dysheme, sëbashku me sendet e tyre personale, në një mënyrë makabre. Kjo ka ndodhur, për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe numrit të lartë të fataliteteve, si rrjedhojë edhe e Covid-19.

Lidhur me këtë rast ka reaguar drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Bledar Xhemali, i cili fillimisht thotë se fotografitë janë inskenim. Por më pas, vetë drejtori e pranon se trupat e personave të vdekur, vendosen në dysheme kur “ato janë shumë” dhe nuk ka kapacitet.

“Kur jemi në pamundësi, ato sistemohen në tavolina, më pas në barela dhe kur ndodh që të jenë më shumë, vendosen me respektin më të madh në dysheme bashkë me sendet vetjake të paketuara, pasi kryhen proceset përkatëse në pritje që t’u dorëzohen familjarëve. Por kurrsesi nuk është rrëmuja e paraqitur në fotot keqdashëse të shpërndara në media. Sendet personale që shoqërojnë trupat, janë veshjet e të ndjerëve, të cilat përbëjnë kujtime të çmuara për familjarët“, shprehet drejtori.

Nga ana tjetër, drejtori në vend të kërkojë ndihmë për të shtuar kapacitetet, në mënyrë që të vdekurit të mos dergjen nëpër dysheme, duket shumë i shqetësuar për personin që ka bërë fotografinë, pra për “spiunin” dhe shprehet se do të ketë hetim për ta identifikuar këtë person.

Reagimi i plotë nga Institui i Mjekësisë Ligjore:

“Në emër të institucionit dhe të stafit tonë, shpreh indinjatën për inskenimin e bërë me fotografitë që janë nxjerrë në media nga mjediset e morgut!

Periudha që po jetojmë në punën tonë, ashtu si për të gjitha institucionet e ngjashme në spitalet e mbarë botës ka qenë tejet e mbingarkuar. Padyshim që morgu nuk bën asnjë përjashtim në pamundësinë për t’i sistemuar denjësisht të gjitha kufomat në mjediset frigoriferike në dispozicion, kur ka më shumë fatalitete.

Kur jemi në pamundësi, ato sistemohen në tavolina, më pas në barela dhe kur ndodh që të jenë më shumë, vendosen me respektin më të madh në dysheme bashkë me sendet vetjake të paketuara, pasi kryhen proceset përkatëse në pritje që t’u dorëzohen familjarëve. Por kurrsesi nuk është rrëmuja e paraqitur në fotot keqdashëse të shpërndara në media. Sendet personale që shoqërojnë trupat, janë veshjet e të ndjerëve, të cilat përbëjnë kujtime të çmuara për familjarët.

Edhe logjika më elementare të thotë se ky është thjesht dhe vetëm një inskenim! Është e dhimbshme deri në neveri, që autori i fotove është kujdesur të kryejë një shërbim të porositur për të nxitur panik dhe nxirë bluzat e bardha të institucionit. Ne kemi njoftuar institucionet eprore për këtë operacion keqdashës dhe kriminal në raport me publikun dhe shpresojmë që fajtori të identifikohet e të vihet para drejtësisë.

Drejtori, Bledar Xhemali”