Ramës nuk i shohin më sytë kur afron humbja, si po kërkon të prishë zgjedhjet

Nga Oerd BYLYKBASHI

Njësoj si në zgjedhjet për bashkinë të vitit 2003 kur për t’u rizgjedhur Kryetar i Bashkisë së Tiranës, e çoi burrin e familjes në listën e zgjedhësve në Kombinat dhe gruan e çoi tek QSUT e kështu shpërndau mijëra zgjedhës nga një cep i Tiranës në tjetrin, tani Edi Rama po përpiqet të manipulojë‎ listat e zgjedhësve me të njejtën skemë.

Zgjedhës, që banojnë e votojnë prej 20 apo 30 vitesh në Tiranë apo qytete të tjera, i ka degdisur me vendbanim nëpër Shqipëri pa e ditur qytetarët. Qytetarët po ankohen përditë se shteti ua ka ndryshuar vendbanimin pa i pyetur dhe pa kërkesë të tyre siç urdhëron ligji.

Shkojnë për të marrë një çertifikatë dhe e gjejnë veten të “internuar” në qytet apo fshat tjetër. Kjo është e paligjshme dhe përbën vepër penale.

Ndryshimi i fundit i ligjit të Gjendjes Civile, me ndikim në zgjedhje, vetëm 5 muaj para zgjedhjeve, ‎ndryshim me të cilin Qeveria heq sanksionet ‎për mosdeklarim të vendbanimit, janë vetëm një përpjekje e radhës e Ramës që të legjitimojë shkeljet dhe kaosin e listave të zgjedhësve.

Çdo manipulim në regjistrat e Gjendjes Civile është manipulim i listave të zgjedhësve. Edi Rama po i kthen standartet e zgjedhjeve tek niveli skandaloz i viteve 2000-2003.

Por këto manipulime të trasha po dalin mbi ujë, do të bllokohen dhe shkelësit e ligjit deri tek nëpunësit e Gjendjes Civile që falsifikojnë të dhënat do të përgjigjen.

Presidenti i Republikes ia ktheu mbrapsht këtë ligj me shkelje të standateve të zgjedhjeve. Me shumë të drejte ai ngriti alarmin për këtë përpjekje për manipulim ‎të listave nga Qeveria. Por Edi Ramës nuk i shohin sytë kur afron humbja e zgjedhjeve.
Kur ka frikë se humb, ai përpiqet të shkatërrojë zgjedhjet‎.Pavarësisht tentativave të dëshpëruara, më 25 prill 2021 ai thjesht humb.