Pse 25 prilli është dita që vendos fatin e negociatave?

Nga Red VARAKU

Për të shtatën herë radhazi Këshilli i Përgjithshëm përsëriti mesazhin e tij shumë të fortë dhe të prerë se rikthimi i sundimit të ligjit dhe rikthimi i Shqipërisë në shinat e demokracisë janë kushtet kryesore që Shqipëria duhet të plotësojë për hapjen e negociatave.

Për rikthimin e sundimit të ligjit është vënë si kusht vënia në punë e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa për rikthimin e demokracisë është vënë si kusht Reforma Zgjedhore e dakortësuar.

Vënia në punë e Gjykatës Kushtetuese ka gjasa të përfundojë shpejt nëse ka vullnet nga palët, ndërsa Reforma Zgjedhore është peng i vendimit të Komisionit të Venecias, e cila pritet të shprehet rreth datës 10 dhjetor.

Deri këtu besoj gjithçka është e qartë , por ndryshe nga herët e tjera ajo që bie në sy nga kërkesat e Këshillit,që kësaj here drejtohet nga Gjermania, është ritheksimi i nënkushtit se nuk mund të ketë një Reformë Zgjedhore pa zbatimin korrekt të saj.

Me fjalë të tjera nuk mjafton vetëm një Reformë Zgjedhore e dakortësuar që kushti për Reformën Zgjedhore të konsiderohet i plotësuar nga Këshilli, por duhet zbatimi korrekt i saj që kjo Reformë të kalojë klasën.

Zbatimi i saj nuk do të thotë as më pak dhe as më shumë vetëm se monitorim i rreptë i zgjedhjeve të 25 prillit nga BE, me qëllim që zgjedhjet të marrin vlerësimin e duhur.

Vetëm nëse pranohen dhe konsiderohen të lira dhe të ndershme, kushti i Reformës Zgjedhore do të mund të konsiderohet i përmbushur, përndryshe lamtumirë negociata.

Pavarësisht atyre që duan ta kthejnë në debat teknik debatin për negociatat, debati për to është gjithmonë politik.

Është e qartë që kushtet për integrimin, nuk janë tjetër vetëm se një mekanizëm që BE përdor si formë presioni kundër qeverive të korruptuara me qëllim largimin e tyre.

Në rastin tonë, zbatimi i Reformës Zgjedhore nuk është gjë tjetër vetëm se një presion që kjo qeveri të lejojë zgjedhje të lira.

Kjo është arsyeja se pse data e zgjedhjeve 25 prill vitin që vjen, konsiderohet nga BE si data kryesore për fatin e integrimit, sepse është data në të cilën do të vlerësohet zbatimi i nënkushtit kryesor për Reformën Zgjedhore.

Thënë shkurt, vetëm nëse në 25 prill do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, pra vetëm nëse zbatimi i reformës zgjedhore do të bëhet në mënyrë korrekte, Shqipëria do të mund të avancojë drejt BE.

Në rast të kundërt , bllokimi i integrimit do të vazhdojë deri në rikthimin e demokracisë në vend përmes realizimit të zgjedhjeve të lira.

Vetëm naivët nuk e kuptojnë që kur BE kërkon zbatimin e Reformës së dakortësuar, ajo në fakt po ushtron presion të hapur për largimin e kësaj qeverie, sepse të gjithë e dimë se me zgjedhje të lira dhe të ndershme fati i kësaj qeverie është i mbyllur.

Të gjithë e dimë nga përgjimet e BILD që edhe sot që flasim kjo qeveri është ilegjitime, sepse në 2017 kjo qeveri nuk i fitoi zgjedhjet, por i vodhi hapur ato përmes një mekanizmi kriminal.

Ndaj, zbatimi i Reformës Zgjedhore si nënkusht i padiskutueshëm i Reformës Zgjedhore , është një sinjal i fortë nga Këshilli.

Ndërsa, kërcënimi me bllokim të integrimit nëse nuk kemi një zbatim korrekt të saj, dëshmon vendosmërinë e BE për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe rikthimin e demokracisë në Shqipëri.