Porti i Vlorës, “Kurbani” i ri i Ramës!

Reagim i degës së PD, Vlorë

Mënyra si u kuptua e u zbatua ndërtimi i Lungomares, si karrem për publikun e jo si shërbim afatgjatë për jetën ekonomike të qytetit, ka krijuar qysh tani një pasojë, që shumë shpejt do të prekë punësimin në Vlorë.

Porti i Vlorës është parashikuar të copëtohet e tkurret në funksionin e tij, sepse kështu u leverdis shefave të vërtetë të kësaj qeverie, të cilët jo vetëm planifikojnë majmërisht veten në kurriz të Vlorës, por e shesin kontrollin e pamëshirshëm mbi jetën e të ardhmen e qytetarëve, si zhvillim, futurizëm, begati.

Çfarë po përgatitet? A e di kush, nga ata që do të vuajnë pasojat e këtij pazari miliarderësh të gjithpushtetshëm, se ç’do të ndodhë?

Pjesa perëndimore e portit tashmë është zaptuar nga një llogaritar i qeverisë; po kështu edhe pjesa lindore. Administrata është në kaos. Porti përpëlitet me dy kokë dhe pa trup në mëshirën e ustallarëve të rulindjes.

Ne vitin 2018, Rama inauguroi rikonstruksionin e portit, duke e quajtur nje nga portat hyrëse kryesore, jo vetëm të qytetit te Vlorës, por të krejt ekonomisë shqiptare.

Mesa duket, planet ndryshuan ose gjithçka, si zakonisht me këtë pushtet, ishte cirk me shumë numra kllounësh.

P.sh., Terminali ishte një numër tipik për panairet e rilindjes, por çdo të bëhet me të? U pëlqen apo jo Llogaritarëve të Rilindjes?

Apo kjo s’ka pikë rëndësie, sepse në fund të fundit, paraja lëvizi, shkoi siç duhej, aty ku duhej.

Dhe tani, gjithçka ka mbetur në mes të rrugëve që nuk të shpien asgjëkundi, që nuk i di kush veç pronarëve të jetës së vlonjatëve, që po blejnë lirë të ardhmen e fëmijëve të Vlorës!

Porti Vlore