Lila reagon pas dëbimit me urdhër nga lart: Po instalohet diktatura në Shqipëri!

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Andi Lila, ka treguar detajet e skandalit ku u detyrua të nxirret jashtë stadiumit të qytetit të Kavajës.

Gjatë një intervistë në SYRI TV, Lila tregon se kryetari i Bashkisë së Kavajë, Redjan Krajli, kishte dhënë urdhër për ta dëbuar Lilën, i cili për vite me radhë ka lartësuar dhe djersitur fanellën e Besës.

Por Lila premton se kur partia që ai mbështet të vijë në pushtet pas 25 prillit nuk do të sillet si Rilindja e cila sipas tij po instalon diktaturën në Shqipëri.

“Ishte një intervistë e zakonshme, xhirimet fillimisht nisën në shtëpi, pastaj në qendër të qytetit të Kavajës ku po e lartësoja, më pas shkuam në stadium për të xhiruar intervistën pa penguar asnjë person në fushë. Me urdhër të kryetarit të bashkisë së Kavajës, Redjan Krajli vjen drejtori i sporteve i cili ndihej i turpëruar për të nxjerrë jashtë fushës Andi Lilën, ku prej vitesh kam derdhur gjak.

Kur forca që unë mbështes të vijë në pushtet nuk do të ndodhin kurrë këto gjëra, këtu po instalohet diktatura. Në fillim rrëzuan teatrin, tani largojnë futbollistët nga fusha. Ne kur të vijmë në pushtet nuk do ta bëjmë këtë që po bën partia socialiste. Jam ndier shumë keq, për atë qytet ne kemi kontribuar shumë. Unë nuk doja që situata të agravonte dhe pranova të dilja jashtë stadiumit, pasi unë nuk pata frikë në mes të Beogradit ku ishin 33 mijë serb.

Ligjërisht – Unë jam kryetari i sindikatës së futbollistëve dhe ligjërisht unë mund të futem në çdo fushë, në të gjitha stadiumet jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë. Ata gabuan, njerëzit i fal po jo gjestin e turpshëm që bënë ata”, tregon Lila.