Kush është pronari i objektit në ndërtim ku ndodhi shpërthimi

Pronari i pallatit në ndërtim që iu vu tritol mbrëmjen e djeshme në Lezhë, është identifikuar si Liman Gjoka.

Pista në të cilën janë orientuar hetimet është ajo e ndonjë konflikti për pronësinë e trualiit ku po ndërtohet objekti në fjalë pasi Liman Gjoka pronari i objektit thuhet se nuk ka patur konflikte të tjera.

Po ashtu hetimi mund të shtrihet edhe në pistën e konkurencës pasi objekti ndodhet në një pozicion të favorshëm për biznes, ndodhet në segmentin rrugor Superstradë-Shëngjin, aty ku do të kalojë edhe autostrada që do të lidhë tunelin që pritet të ndërtohet.

“Rreth orës 20:45, në rrugën e Shengjinit, në një objekt në ndërtim në pronësi të shtetasit L.Gj., banues në Tiranë, ka shpërthyer një sasi e vogël dyshohet lëndë plasëse, ku si pasojë ka vetëm dëme të vogla materiale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor ku vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, njoftoi policia.

Në kuadër të hetimeve, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve pranë objektit në ndërtim, për të shkuar në gjurmët e autorëve.

Liman Gjoka, sipas të dhënave në QKB, rezulton të jetë pronar i vetëm i “Amfora SHPK”, me aktivitet “Import-Eksport, veprimtari ne fushën e ndërtimit dhe prodhime të materialeve në fushën e ndërtimit”.