Humbja turpëruese 6:0 ndaj Spanjës, Low: Nuk largohem nga drejtimi i Gjermanisë

Trajneri i Gjermanisë, Joachim Low do ta udhëheqë kombëtaren në Euro 2020 vitin e ardhshëm, pavarësisht humbjes turpëruese 6:0 kundër Spanjës të martën, sipas drejtorit sportiv të Kombëtares së Gjermanisë Oliver Bierhoff.

Skuadra e Luis Enriques i shënoi nga tri gola në secilën pjesë të lojës dhe e mbizotëroi duelin nga fillimi deri në fund, pasi ndeshjen e përfundoi me 70 për qind posedim të topit dhe me 23 goditje në portë krahasuar me dy të Gjermanisë.

Kjo ishte humbja më e thellë e Gjermanisë në një ndeshje garuese, pasi ekipi kombëtar gjerman nuk i kishte pësuar gjashtë gola që nga ndeshja e vitit 1958 kundër Francës.

Kjo ishte humbja e parë e skuadrës së Joachim Low pas 12 ndeshjeve pa disfatë. Disfata e fundit e Gjermanisë ishte kundër Holandës në shtator të vitit 2019.

Low e mori drejtimin e Gjermanisë pas Kupës së Botës më 2006 dhe e fitoi Kupën e Botës më 2014, por edhe pësoi një eliminim tronditës nga Botërori i fundit në fazën grupore në Rusi.

Por Bierhoff këmbëngul se e ardhmja e Low është e sigurt, duke thënë se 60-vjeçari do të jetë trajner edhe gjatë Evropianit të verës së ardhshme.

“Absolutisht po. Kjo ndeshje nuk ndryshon asgjë. Ne ende kemi besim në Joachim Low, nuk ka dyshim”, tha Bierhoff i pyetur nëse Low do të jetë trajneri i Gjermanisë në Euro 2020.