Diplomati i njohur: Sulmet ndaj Bashës nuk duhet t’i shikojmë si një rastësi! Po prishet thelbi i aleancës Rama-Vuçiç…

Diplomati i njohur, Agim Nesho, i ftuar në edicionin e mbrëmjes në SYRI TV, komentoi për Juli Krisafin sulmet që po i bëhen kreut të opozitës nga Edi Rama dhe mediat e tij.

Ai tha se të gjitha këto janë projekte të Serbisë. Për këtë qëllim, Edi Rama po krijon situata të paqena.

“Gjithë kjo periudhë, me ngjarjet e fundit në Kosovë, me arrestimin e liderëve të UÇK, kanë qenë projekte të vazhdueshme të Serbisë për të arritur qëllimin e saj për një zgjidhje të re politike në Kosovë. Politika e serbëve vitet e fundit ishte për një aleancë me shqiptarët, por kundër Kosovës. Këtë skemë e arriti Aleksandër Vuçiç me përkrahjen e liderëve lokalë si zoti Edi Rama”, tha ai.

Ai tha se këto akuza të paqena që hidhen ndaj Bashës dëmtojnë edhe drejtuesit e UÇK që janë në Hagë.

“E para, e dëmton sepse tregon se shqiptarët kanë mosmarrëveshje mes tyre. Atë tezë që ideologët serbë e kanë përdorur se shqiptarët nuk janë të aftë që të ndërtojnë shtetin e tyre. Nga ana tjetër, ajo që na intereson janë çështja e varianteve të reja për të limituar fuqinë e shqiptarëve në rajon sic është Minishengeni”, tha Nesho.

Sipas tij, me ndryshimin e ekuilibrave botërore, sidomos në Uashington, por edhe me ndryshimet në situatat e brendshme, po prishet thelbi i aleancës mes Ramës dhe Vuçiç.

“Serbisë i duhen partnerët e saj për të vazhduar politikën e saj agresive dhe dominuese në Ballkan. Prandaj edhe sulmet e tanishme nuk duhet t’i shikojmë si një rastësi. Po prishet ai që është thelbi i aleancës, pasi po shohim se po ndryshon edhe situata botërore, por edhe situatat e brendshme lokale,” tha ai.

“Sulmi ndaj zotit Basha është një reflektim i mundësisë së ndryshimit të pozicioneve. Unë mendoj se këto sulme duhen shpërfillur”, tha Nesho.