Diabetikët janë më të rrezikuarit nga Covid-19. Çfarë thotë studimi më i fundit

Një grup shkencëtarësh ndërkombëtarë që studiojnë diabetin thotë se pandemia COVID-19 ka nxjerrë në pah se cilët janë njerëzit më të rrezikuar nga kjo sëmundje e në raportin e publikuar prej tyre, theksohet se diabetikët kanë dy herë më shumë gjasa të përjetojnë simptoma të rënda, ose vdêkje nga COVID-19.

Dietat në mbarë botën mund të ndryshojnë, por në një numër vendesh në rritje mbipesha, keq-ushqyerja dhe ndryshimi i stilit të jetesës po çojnë në rritjen e numrit të njerëzve me diabet. Studimi i fundit nxjerr në pah faktin që pjesa dërrmuese janë me diabet të tipit 2, i cili rezulton nga përdorimi joefikas i insulinës në trup.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ky lloj diabeti është kryesisht rezultat i mbipeshës dhe pasivitetit fizik. Tani shkencëtarët thonë se ekziston një lidhje e qartë midis kësaj sëmundjeje dhe COVID-19. “Nëse marrim si shembull Britaninë, pesë për qind e njerëzve kanë diabet. Por mes atyre që vdêsin nga COVID, një e treta janë diabetikë.

Pra niveli i komplikacioneve është i lidhur ngushtë me sëmundjen”, thotë Juliana Chan, drejtore e Institutit të Hong Kongut për Diabetin dhe Mbipeshën. Bashkëautori në studimin e drejtuar nga Chan është profesori Rury Holman nga Universiti i Oksfordit, sipas të cilit, njëri prej zbulimeve kryesore ishte se mes faktorëve të tjerë të rrezikut për COVID-in është niveli i lartë i glukozës në gjak, që gjithashtu e përkeqëson situatën.

”Nëse do të përmirësonim nivelet e glukozës, mund të zvogëlojmë rrezikun për njerëzit me diabet që preken nga COVID-i”, shprehet ai.