Covidi dhe Covidioti

Nga Belind KELLIÇI

Në momentin që flasim, Shqipëria shënon zyrtarisht 30548 të prekur nga Covid-19, ku 655 shtetas kanë humbur jetën. Do të thotë se, numri i vdekjeve nga virusi famëkeq është afërsisht 2,2% i totalit të të infektuarëve. Pjesa e mbetur rezultojnë të shëruar, dhe shumë herë më pak në trajtim spitalor.

Shqiptarët ndjekin me ankth e shoqërojnë me komente, sa herë ekranet, portalet apo gazetat përditësojnë shifrat. Shumë syresh janë të alarmuar. Shqetësohen për të afërmit e moshuar. Flasin për raste që njohin. E në mos i njohshin personalisht, dikush që njohin, njeh dikë që është me Covid. Bisedat janë të pasura me histori e përjetime. Dikush tregon përvojën e vetë spitalore, të tjerë zhyten në filxhanin e konspiracionit, me argumente, me debat, shpesh me kokëfortësi, për të treguar se edhe Shqipëria është pjesë e Komplotit Botëror.

Virusi që dikur qëndronte jashtë pragut të shtëpisë, tani hyn e del pa na pyetur “a ka Zot shtëpia”.

Ky mik i paftuar na ka gjetur të ndarë, në ata që i besojnë verbërisht ekzistencës së tij, dhe në të tjerë që refuzojnë të besojnë në diçka që s’e shohin. Të vërtetë kolektive nuk ka.

Nga mungesa e kësaj të fundit, përfiton makineria e propagandës. Propaganda me Covideo! Ajo që me zërin e figurën e pushtetit e dredh nga “hiqni maskat se nuk mbrojnë”, në “vini maska se ju mbrojnë”. Si loja e njohur për fëmijë “Vigani – Shkurtabiqi”, ku penalizohesh sa herë bën të kundërtën e saj që të thonë.

Jo më larg se dje, një djalosh në lagjen time, i shpëtoi për mrekulli gjobës së policisë për “mosmbajtje maske”. Djaloshi arriti të shkëputej nga patrulla, dhe me shpejtësi ere, hyri në kafene.

Policët e ndalën hapin te dera. Në kafene s’e mbërthenin dot. Aty djaloshi kishte imunitet. Në kafene, shtëllungat e duhanit e fshehën djaloshin si avionin mes reve të dendura. Të gjithë pa përjashtim e kishin kthyer kokën nga televizori. Ekrani po shfaqte një video të shpërndarë nga kryeministri. Ndërkohë, fasha informative skuqej me tituj alarmues: “Hidhet nga ballkoni i spitalit”.

Në ekranin tjetër shfaqej fasha “familjarët përgënjeshtrojnë: I afërmi ynë vdiq nga leuçemia”.

Bisedat pasionante me konspiracion gjetën sërish shteg. Tavolinat konkuronin fort me njëra-tjetrën për cilësinë e argumenteve dhe ngritjen e zërit. Flitej për heronj, për viktima, për para nën dorë, për humanizëm të pashoq, flitej me emra të përveçëm. Një zallamahi mbretëruese me personazh kryesor kryeministrin. Ai që dikur premtonte se nuk do shfaqej ekraneve si Berisha, tani na ishte poftisur edhe në kafene. Shumë po i pëlqenin kryeministrit ambientet e spitalit. Ndihej i përmbushur.

Tashmë edhe ai mund të kurohej falas në Shqipëri, si gjithë të tjerët. Ia mbërritëm kësaj dite.

Kryeministri ishte përjashtuar padrejtësisht nga mrekullia e shëndetësisë falas. Diskriminime të tilla për shkak të detyrës nuk ka njohur historia.

Thotë se jemi në luftë! Autoblindat që patrullonin rrugët e Tiranës nuk na bëjnë më punë. Armiku ka veti kamufluese. Ai godet pa mëshirë fundjavave. Vërshon në qytet në orën 22:00 dhe ndalet te dera e kafenesë së lagjes.

Covidiotësi të tilla vetëm një Covidiot mund të prodhojë!

Propaganda me video spitalesh me dysheme të lara, me tradhëtarë lufte e me autokolonë blindash, nuk i kuron të infektuarit, nuk u rimburson ilaçet e shtrenjta, as nuk e shton numrin e testimeve.

Koha që humb duke bërë propagandë, humb jetë shqiptarësh!

8 vjet të humbura me hallvën e ftohtë të shëndetësisë falas që nuk e ha më askush.

Covid-19 i ra për pjesë gjithë botës, kurse covidioti Rama i ka rënë për pjesë vetëm Shqipërisë!