Berisha: Me Edi Ramën nuk ka hapje negociatash, ja pse e sulmon Presidentin…

“Me Edi Ramën nuk ka hapje negociatash dhe shqiptarët do të dënojnë veten sa kohë ai të jetë Kryeministër”, tha ish-Kryeministri Sali Berisha.

Për Abcnews, Berisha theksoi se negociatat me BE kanë dështuar 7 herë gjatë qeverisjes së Ramës, dhe sot kemi 15 kushte që duhen plotësuar.

Lidhur me debatet dhe akuzat nga Edi Rama në drejtim të Presidentit Ilir Meta, Berisha tha se “Meta ka mbrojtur Kushtetutën dhe shtetin ligjor”.

“Presidenti nuk ka bërë për vete asnjë kauzë të opozitës. Rama po bën një grusht shteti brenda shtetit për të marrë kompetencat e Presidentit të Republikës.

Në Republikat thellësisht Parlamentare, e drejta për informim e Kreut të Shtetit është e patjetërsueshme. Ndërsa Edi Rama në kulmin e pandemisë, i thotë nuk ke punë me këtë situatë? Po si nuk ka punë Presidenti në kulmin e një situate të tillë”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri theksoi se opozita ka denoncuar 430 mln euro që Rama i ka dhënë inceneratorëve.

“Çfarë ka ndodhur me inceneratorin e Elbasanit? Ka qenë në kontratë që në 7 vjet kompania të përfitonte të ardhurat nga shitja e eneergjisë dhe më pas i kalonin shtetit. Dy javë më parë vendosën që kjo kohë të ishte 30 vjet, pra kompania do të marrë për 30 vjet të ardhurat që përftohen nga shitja e energjisë. Këta po shfrytëzojnë gjithë pandeminë për të vjedhur”, tha Berisha.