Pse Rama nxori një grup mjekësh për të kundërshtuar fshehjen e numrit të të vdekurve nga Covid-19?

Rama nxori një grup mjekësh sot përpara medieve me një deklaratë pas akuzave të kreut të opozitës se, se është fshehur numri i vdêkjeve Covid në vendin tonë.

Ndaj deklaratës së kreut të opozitës mund të reagonte Ministria e Shëndetësisë, Komiteti Teknik, Drejtori i Morgut, apo edhe Kryeministri, por duket se ata kanë zgjedhur të përdorin bluzat e bardha të një prej spitaleve Covid, për t’i’u kundërvënë fakteve që paraqiti kreu i PD.

Për të kundërshtuar deklaratën e kreut të opozitës, ndonëse Basha nuk hodhi akuza apo hije dyshimi ndaj mjekëve, por iu referuar shifrave të publikuara nga Komiteti Teknik.

Deri më tani, në të gjitha reagimet, mjekët dhe stafet mjekësore që ndodhen në atë që quhet vija e parë e zjarrit me armikun e padukshëm kanë marrë vlerësime maksimale, ndërsa i është kërkuar Qeverisë që të mbështesë financiarisht bluzat e bardha dhe t´u garantojë mjetet e nevojshme në përballimin e pandemisë.

Shefja e Infektivit, Najada Çomo deklaroi se, nuk duhet bërë politikë me një çështje kaq të ndjeshme.

“Përballë akuzash të tilla e shohim të domosdoshme të informojmë publikun se, nuk është kurrsesi e vërtetë që janë fshehur vdekjet nga Covid, pasi është praktikisht e pamundur. Kjo pasi çdo pacient që ndërron jetë përcillet për në morg bashkë me kartelën shoqëruese që përmban dhe arsyen e vdekjes, e cila është firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale dhe ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit”, tha mjekja.

Por ajo duket se është keqkuptuar në thelbin e historisë. Basha deklaroi se janë fshehur vdekjet në morgun e Tiranës. Pra problemi është te morgu dhe raportimet.

“Unë po i bëj thirrje prokurorisë të shkojë në këtë moment në morg dhe të marrë evidencat e plota, dhe të vërtetojë këtë që po them. Kjo që keni përpara, ka ardhur nga një denoncim që është verifikuar me vdekjet e raportuara dhe vdekjet e vërtetuara në morgun e Tiranës. Vetëm në spitalet Covid, jo atyre që kanë vdekur në shtëpi. Ne disponojmë edhe emrat e viktimave. Ndërkohë që në këtë moment unë kam qindra mesazhe denoncuese nga të afërm të viktimave, këto nuk janë thjesht numra por janë jetë njerëzish”, tha Basha.