“Këta motërq…, lidhe qenin”… AP nxjerr fakte tronditëse të policisë gjatë shembjes së Teatrit

Avokati i Popullit ka nxjerrë fakte domethënëse në raportin e fundit që ka publikuar lidhur operacionin e dhunshëm të shembjes së Teatrit Kombëtar gjatë natës.

Avokati ka konstatur se “qoftë edhe formalisht nuk na është vënë në dispozicion një urdhër me shkrim i arsyetuar për kryerjen e operacionit në orët e natës” ndërkohë që ka renditur të gjtiha arsyet pse shembjet që kryehen nga organizmat shtetërore kryhen gjatë ditës në orët 7 – 19. “…se ky orar nuk është përcaktuar në mënyrë rastësore nga ligjvënësi.  12 orët e paradites përkojnë me orarin biologjik të trupit të njeriut, kur ai është më i kthjellët edhe energjik për të kryer veprimtarinë e tij”.

Po ashtu, Avokati i Popullit ka nxjerrë në pah lodhjen nervore që kanë pasur punonjësit e Policisë gjatë kryerjes së këtij operacioni me detyrim gjatë natës, shprehje që edhe janë regjistruar në një rast nga goja e tyre: “Na lanë pa gjumë këta motër…… lidhe qenin”, etj.“, thotë AP.

Avokati i Popullit e vazhdon serinë e dëshmive të një operacioni të detyruar dhe të nxitur nga qeveria për t’u kryer me çdo kusht e në çdo rrethanë e pavarësisht shkeljeve, kur shton faktin se policë ishin të pajisur me armë zjarri, se kishin hequr numrat e indentifikimit etj.

Pjesë nga raporti i Avokatit të Popullit

“Orari i nisjes së operacionit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar”

Shumëkush ngriti pyetjen se përse operacioni duhet të niste menatë, rreth orës 04:30 të datës 17.05.2020 dhe jo gjatë paradites.

Nga ana jonë (Avokati I Popullit) iu kërkua Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë të na informonte se pse ky operacion ishte kryer rreth orës 4:30.

Sqarojmë se në kërkesën për mbështetje që IMT-ja i ka dërguar Policisë së Shtetit nuk përcaktohet orar për prishjen e godinës së TK.

Në përgjigjet që kemi marrë thuhet se: 9 “Koha e fillimit dhe përfundimit të shërbimit gjatë mbështetjes nuk është përcaktuar nga policia, por është diktuar nga grafiku i punimeve dhe koha e ndërhyrjes që bëri IMT-ja dhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera.”

Bashkëlidhur dokumentacionit që na është vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit (kërkesa mbështetëse e IMT-së dhe Plani i Masave i DVP Tiranë) nuk na është dërguar grafiku i punimeve.

Orari i veprimeve të IMT-së për të shembur objekte ka qenë edhe më parë objekt shqyrtimi nga Institucioni i Avokatit të Popullit.  Qytetarë të banesave private që do të shembeshin janë ankuar se veprimet e IMT-së janë kryer në orët e para të mëngjesit, pa njoftim paraprak, kur ata kanë qenë në gjumë, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e tyre.

Përmendim rastin e shembjes së disa banesave te zona e njohur me emrin “Bregu i Lumit” në datën 9 Prill 2019. Nga ana jonë pas hetimit administrativ u provua se, IMT-ja nuk kishte respektuar orarin e përcaktuar nga vetë ajo, (ora 10:00) dhe orarin e ekzekutimit të vendimit të parashikuar në nenin 171 të Kodit të Procedurës Administrative, sipas të cilit: “Ekzekutimi i detyrueshëm në ditët e pushimit dhe festave zyrtare, si dhe ekzekutimi ndërmjet orës 19:00 – 07:00 mund të kryhet vetëm në rast urgjence nëse, si pasojë e mosekzekutimit, cenohet interesi publik, bazuar në një urdhër me shkrim të arsyetuar të organit kompetent për ekzekutimin”.

Pra, si rregull vendimet e marra nga administrata shtetërore ekzekutohen ndërmjet orës 7:00 – 19:00. Vlerësojmë se ky orar nuk është përcaktuar në mënyrë rastësore nga ligjvënësi.  12 orët e paradites përkojnë me orarin biologjik të trupit të njeriut, kur ai është më i kthjellët edhe energjik për të kryer veprimtarinë e tij.

Gjithashtu në këtë orar mund të ushtrohet më mirë parimi i transparencës së veprimtarisë së administratës (neni 5 i K.Pr. Administrative).

Një nga personat e shoqëruar në komisariat në orët e para të mëngjesit të datës 17.05.2020, gjatë kohës që ndodhej në makinën e policisë ka regjistruar në fshehtësi fjalët e punonjësve që e kanë prangosur dhe shoqëruar.

Nga biseda e regjistruar kuptohet lodhja nervore e punonjësve, të cilët fajësojnë personat e ndodhur tek godina e TK se i kanë lënë pa gjumë dhe përdorin ndaj tyre fjalë fyese. Citojmë: “Na lanë pa gjumë këta …… lidhe qenin”, etj.

Qoftë edhe formalisht nuk na është vënë në dispozicion një urdhër me shkrim i arsyetuar për kryerjen e operacionit në orët e natës sikurse parashikohet në nenin 171 të Kodit të Procedurave Administrative,” thekson Avokati i Popullit.

a

b