Zëri i Amerikës: Si u lirua i dënuari me burgim të përjetshëm, shtyhet seanca në KLGJ

Në Shqipëri, në Këshillin e Lartë Gjyqësor u zhvillua sot një tjetër seancë e procesit të nisur pas kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, (ILD) për shkarkimin e gjyqtarit të Korçës Markelian Kuqo, i cili në shkurt të vitit të kaluar urdhëroi lirimin me kusht të një të dënuari me burgim të përjetshëm.

Rasti i përket të dënuarit Gerd Gjinarari, i arrestuar në Itali në vitin 1997 ku u akuzua për disa vepra penale, nga vrasja te armëmbajtja pa leje, trafik lëndësh narkotike dhe kryerje të krimit nga banda të armatosura.

Prej vitit 2014 ai po vuante dënimin në Shqipëri, në burgun e Drenovës.

Pasi në seancën e mëparshme, kishte kërkuar kohë për t’u përgatitur, sot gjykatësi Kuqo, paraqiti një mbrojtje të gjatë, përmes së cilës ai hodhi poshtë shkeljet që sipas ILD-së përbëjnë shkaqe për largimin e tij nga detyra.

Për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë “të gjitha veprimet e mosveprimet e ndërmarra e të evidentuara në mënyrë të detajuar në raportin e hetimit, përbëjnë “Shkelje shumë të rëndë disiplinore”, pasi vlerësohen si akte që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës dhe për rrjedhojë e bëjnë atë të papërshtatshëm apo të padenjë për të vazhduar funksionin e tij si magjistrat”.

Por gjyqtari Kuqo deklaroi sot se procedimi disiplinor i nisur ndaj tij “nuk ka asnjë shkak thelbësor. Veprimtaria e ILD-së, paraqitet me vlerësime jo ligjore, në disa raste tej kompetencës. Eshtë një veprimtari tërësisht e njëanshme, tej realitetit objektiv procedurial dhe material në çështjen objekt të procedimit disiplinor, dhe pa asnjë pikë apo këndvështrim lidhës mes mënyrës së përmbushjes së detyrave funksionale të gjykatës dhe argumentit që kjo gjykatë ka parashtruar, analizuar, argumentuar dhe konkluduar në zgjidhje të rastit në fjalë”.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, vendosi që të thërrasë një tjetër seancë pas një jave, për t’i dhënë vetes kohë për t’u njohur dhe me argumentat e paraqitura nga gjykatësi Kuqo.

Çështja e lirimit të të dënuarit me burgim të përjetshëm përfundoi në Gjykatën e Apelit të Korçës, e cila në qershor të vitit 2019 rrëzoi vendimin e marrë nga gjyqtari Kuqo.

Në ndërkohë, Gjinarari vijoi të mbetet në liri, i larguar pa lënë gjurmë.