Vendimi për maskat, Shehu: Shqiptarët tashmë i pret një kohë shumë më e vështirë me këtë kryeministër në ikje

Ish-ministri i Shëndetësisë në qeverisjen e PD, Tritan Shehu pasi ka dëgjuar vendimin e Ramws për mbajtjen e maskave me detyrim nga qytetarët duke filluar nga java e ardshme, ka paralajmëruar se shqiptarët tashmë i pret një kohë shumë më e vështirë me këtë qeveri dhe këtë Kryeministër në ikje.

Tritan Shehu ka sjellë në vëmendje se këtë vendim e ka marrë sot pikërisht ai Kryeministër që deri dje u tall me mjekët që mbanin maska dhe nuk ka ndërmarrë asnjë hap për furnizimin masiv të popullatës me to dhe vazhdon refuzon testimin në masë.

Reagimi i Tritan Shehut

Kryeministri, mbas një gjumi letargjik Covid, sot filloi të përmendej në 3D duke lëpirë dhe ato që ka thënë pak kohë më parë. Ishte ai që para pak javësh në ambientet e QSUT tallej me mjekët që mbanin maska.

Jemi neve që prej kohësh kemi kërkuar përdorimin e gjerë të maskave, ashtu si tashti po veprohet në Itali, Francë etj, por ky nuk mund të jetë një vendim përsëri terrorizues me gjoba, por duhet paraprirë a shoqëruar nga të tjera masa:

Së pari, duhet të përcaktohen tipat e maskave edhe për grupmosha. Përcaktimi ministrial “maska jomedikale” nuk do të thotë asgjë, përveç propagandë, formalizëm dhe mosmarrje të masave reale.

Së dyti, është detyrë e shtetit të furnizojë qytetarët me maska. Në Itali, me që Rama e përmendi Italinë, maskat jepen gratis një copë në ditë për shtresa shumë të gjera të popullsisë. Për të tjerët ato kirurgjikale shiten me çmime të subvencionuara me vlerë 50 cent, në Spanjë kjo është 20 cent etj.

Së treti, me që Kryeministri sot nuk foli për testimin e pyes a e di ai se Italia arriti në 130 mijë teste në ditë gratis dhe OBSH insiston në “test, test, test, identifiko, izolo, mjeko”. Pra ai duhet të kuptojë se “maska” është një instrument i rëndësishëm, por jo gjithçka.

Së katërti, dua t’i kujtoj atij se shqiptarët nuk mund ta përballojnë mjekimin nga “xhepi” të COVID, ambulatorisht. Ai nuk tha asgjë dhe kur u pyet për rimbursimin e mjekimit ambulator, për protokollet që mungojnë krejtësisht, rolin e mjekut të familjes që nuk ekziston.

Së pesti, ai duhet të kuptojë se pacientët e rënduar humbin jetën në spitale e veçanërisht në reanimacione, që janë jo vetëm të pamjaftueshme por dhe larg standarteve europiane. Ai dhe për këtë vetëm heshti.

Me kaq përfundoi ky teatër i radhës në 3D, pra ku realisht nuk u tha asgjë, as si përgjigje të pyetjeve të qarta të gazetarëve, që veçse dua t’i falenderoj, duke paralajmëruar kështu kohë shumë më të vështira me këtë qeveri e Kryeministër në ikje.