Vendim ekstrem i naftëtarëve grevistë: Nuk do pranojmë as shërbim mjekësor, as mediat!

Sot është dita e 11-të që naftëtarët e Ballshit janë ngujuar në një grevë urie në kërkim të të drejtave të tyre siç janë pagat dhe vendet e punës.

Drejtuesi i grevës, Sokol Dautaj ka deklaruar për Syri TV se do marrin një vendim ekstrem.

“Ne do të mbyllim derën dhe nuk do të lejojmë asnjë që të hyjë në ambientin ku po ngujohemi. Kemi marrë një vendim ekstrem, do ndërpresim ujin dhe ndihmën mjekësore. Ne do të dalim vetëm me barela, presim një përgjigje për ata që duhet të reagojnë.

Ata po tallen me ne, kemi 11 ditë në grevë urie dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Nuk mbahet familja me fjalë boshe,” tha Dautaj.

“Do të mbyllim dyert e mjediseve ku bëhet greva. Këtu nuk ka show. As media. Do të fikim telefonat. Edhe ujin do ta ndërpresim. Do të kyçim dyert. Do të dalim që këtu me barela”, tha Dautaj ndërsa më pas i vuri drynin derës së jashtme. Ndërkohë, një tjetër grevist pohoi se do të flijohen aty, ndërsa shtoi se për këtë zotohen dhe betohen para flamurit.

“Zotohemi e betohemi përpara flamurit. Do të flijohemi këtu. Për hir të fëmijëve tanë”, tha ai