Trump: Sondazhet po manipulohen, kryesoj edhe tek shtetet e lëkundura

Presidenti Trump tha të mërkurën në komente për shtyp se gëzon mbështetje shumë më të madhe në shtetet e lëkundura se ç’tregojnë anketat, ku rivali i tij Joe Biden rezulton me epërsi.

“Shifrat në anketa i kam shumë të mira. Ju nuk i shihni shifrat e vërteta,” tha presidenti në hotelin e tij në Las Vegas para se të nisej për në Arizona për fushatë.

Anketat tregojnë zotin Biden në kryesim me diferencë 7-8% në shkallë kombëtare, por në shtetet e lëkundura diferenca është më e ulët, sa gjysma e shifrave kombëtare.

“Kemi pasur rritje në të gjitha shtetet që përmendni ju,” tha presidenti, i cili shtoi se është shumë mirë në Florida, Karolinën e Veriut dhe Pensilvania dhe se kryeson në Miçigan dhe Uiskonsin.

Presidenti i cilësoi si “anketa të shtypjes” rezultatet ku ai shfaqet në dizavantash ndaj zotit Biden.

Sipas një analize që kombinon rezultatet e anketave, përgatitur nga organizata Real Clear Politics, zoti Trump renditet pas kandidatit demokrat Biden në Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin dhe se të dy kandidatët janë barabar në Florida dhe Karolinën e Veriut.

Të mërkurën, zoti Biden u informua mbi situatën e shëndetit publik. Më pas ai kritikoi përsëri presidentin që organizon tubime masive në mes të pandemisë, duke nënvizuar se tubimet e një nate më parë në Omaha të Nebraskës lanë “qindra vetë, përfshirë të moshuar dhe fëmijë jashtë në temperatura të ulëta për orë të tëra. Shumë vetë përfunduan në spital”.

Zoti Biden shtoi se presidenti “shfrytëzon rastin për fotografi për reklamë. Pastaj largohet dhe i lë njerëzit të vuajnë pasojat e dështimeve të tij në hartimin e planeve. Ai thjesht nuk do t’ia dijë”.

Amerikanët po votojnë herët për zgjedhjet presidenciale të së martës së ardhshme në shifra rekord, si rezultat i ndjenjave të forta pro ose kundër dy kandidatëve kryesorë dhe një dëshire për të shmangur turmat e mëdha në qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve mes pandemisë së koronavirusit.

Më shumë se 75 milionë njerëz kanë votuar tashmë gjashtë ditë përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve, më shumë se gjysma e numërimit të përgjithshëm të votave që u hodhën në vitin 2016, që ishte 138.8 milionë.

Rreth dy të tretat e votuesve të hershëm i kanë dërguar me postë fletëvotimet e tyre, ndërsa pjesa tjetër ka votuar fizikisht në qendrat e votimit në të gjithë vendin.

Ekspertët e votimit thonë se pjesëmarrja e votuesve për garën mes Presidentit republikan Donald Trump dhe sfiduesit të tij demokrat Joe Biden mund të jetë më e larta që nga viti 1908, kur 65% e votuesve të ligjshëm në vend morrën pjesë në votime.

Trump, Biden dhe kandidatët e tyre përkatës për postin e nënpresidentit- nënpresidenti Mike Pence dhe senatorja e Kalifornisë Kamala Harris – po vazhdojnë të mbajnë fjalimet e tyre përfundimtare para votuesve.

Fokusi në Arizona
Si presidenti Trump edhe senatorja Harris po bëjnë fushatë në Arizona, shteti jugperëndimor përgjatë kufirit meksikan që zoti Trump e fitoi në vitin 2016 ndaj demokrates Hillary Clinton.

Por sondazhet në këtë shtet, ku asnjë kandidat demokrat presidencial nuk ka fituar që nga viti 1996, tani tregojnë se zoti Biden është përpara në garë me një diferencë të ngushtë.

Shteti ka 11 nga 270 votat elektorale që kandidatët Trump dhe Biden do të duhet të fitojnë për të marrë presidencën. Zgjedhjet presidenciale amerikane vendosen në një formë indirekte të demokracisë, përmes Kolegjit Zgjedhor me 538 anëtarë, dhe jo nga vota popullore.

Zakonisht, të gjitha votat e Kolegjit Zgjedhor të një shteti shkojnë për kandidatin që merr më shumë vota popullore në secilin prej 50 shteteve, me shtetet më të populluara që kanë më shumë ndikim.

Presidenti Trump po zhvillon dy tubime në Arizona.

Harris, kandidatja demokrate për postin e nënpresidentes u takua me pronarë latinë të bizneseve në mëngjes në qytetin Takson dhe më vonë gjatë ditës me një grup udhëheqësish afrikano-amerikanë në qytetin më të madh të këtij shteti, në Finiks. Ajo e përfundon ditën e saj me një fjalim në një tubim ku interpreton këngëtarja e muzikës pop Alicia Keys.