Trump e quajti një “bekim nga Zoti”, rriten kërkesat për ilaçin që kuroi Presidentin

Doktorët po raportojnë një rritje të kërkesave të pacientëve për koktejlin eksperimental anti covid pasi Donald Trump e quajti ilaçin e Regeneron Pharmaceuticals “një bekim nga zoti” që është një kurë për virusin.

Dy mjekë të përfshirë në testimin e ilaçit thanë për Reuters se më shumë pacientë po kërkojnë të marrin pjesë në testimin e tij edhe pse ekspertët e mjekësisë kanë tërhequr vëmendjen se regn-cov2 është ende në fazën e tij testuese dhe nuk është konfirmuar se mund të ndihmojë në trajtimin e covid 19.

Të mërkurën, pak orë pasi Trump e ngriti në qiell ilaçin duke e quajtur kurë për virusin, regeneron njoftoi se do të paraqesë një aplikacion pranë administratës për ushqimet dhe ilaçet për autorizimin e përdorimit emergjent të ilaçit që është një koktejl mes dy antitrupave që ndihmojnë sistemin imunitar të luftojë virusin.

Aksionet e regeneron dhe një kompanie tjetër që po kryen testime për trajtimin me anti-trupa, shkuan në qiell të enjten pas ndërhyrjes së Trump. Edhe pse Trump tha se qindra e mijëra doza ishin gati për përdorim, Regeneron thotë se ai ka në fakt doza për 50 mijë pacientë dhe mund të sigurojë doza të mjaftueshme për 300 mijë pacientë të tjerë muajt e ardhshëm.