Tension te protesta e ”Çamërisë”, Policia ndërhyn me forcë, shoqërohen disa persona

Protesta e mbajtur përballë Ministrisë së Jashtme nga aktivistët e PDIU dhe shoqatës Çamëria ka degraduar në përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Tensionet midis policisë së shtetit dhe protestuesve janë përshkallëzuar deri në përplasje fizike, ku efektivët kanë përdorur forcën për shpërndarjen e tyre, si dhe kanë shoqëruar në komisariat disa persona.

Kujtojmë se protesta e PDIU dhe shoqatës Çamëria po mbahet kundër vizitë zyrtare të ministrit të Jashtëm grek i cili pritet të takohet me kryeministrin Rama në orët në vijim

Në një prononcim për media kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, u shpreh se aktivistët e tij nuk dolën të ndodhen përballë vëllezërve të tyre, duke iu drejtuar efektivëve policor, por për të dalë përballë mikut të paftuar grek i cili kërkon të konkludojë zgjerimin me 12 milje në Jon.

“Nuk jemi mbledhë të qëndrojmë përballë vëllezërve tanë policë. Ne nuk kemi dalë për t’u fshehur në këtë qoshe, dhe t’ia lëmë vendin ministrit të paftuar grek, i cili do të përfundojë zgjermin me 12 milje në Jon”, – u shpreh Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi.