Tejzgjatja e Covidit, përse disa njerëz nuk po shërohen

Për shumicën e njerëzve, COVID-19 është një sëmundje që zgjat pak dhe është e lehtë. Por disa po luftojnë me simptomat e virusit, si lodhje, dhimbje trupi dhe vështirësi në frymëmarrje për muaj me radhë

Gjendja e njohur si “covidi i zgjatur” ka një efekt dobësues në shëndetin e njerëzve. Prandaj dhe historitë e atyre që thonë se ndihen gjatë gjithë kohës të rraskapitur, janë shumë të zakonshme.

Deri më tani, fokusi ka qenë te shpëtimi i jetës, por duket se ka një rritje të njerëzve që po përballen me pasoja afatgjata të infeksionit COVID-19, shkruan BBC.

Çfarë është covidi i zgjatur?

Nuk ka asnjë përcaktim mjekësor ose listë simptomash që ndahen nga pacienti, në pacient. Ndodh që dy persona të kenë simptoma të ndryshme. E megjithatë, më e zakonshmja është lodhja.

Te simptomat e tjera përfshihen, vështirësia në frymëmarrje, kolla që mezi kalon, dhimbje kockash e muskujsh, probleme me dëgjimin dhe shikimin, dhimbje koke, humbje të nuhatjes dhe shijes, si dhe dëmtim të zemrës, mushkërive, veshkave dhe zorrëve. Gjithashtu janë raportuar probleme me shëndetin mendor, depresioni, ankthi, etj.

Nga covidi i zgjatur nuk po vuajnë vetëm njerëzit që kanë qenë në kujdes intensiv, por edhe ata që kaluan një infeksion të lehtë. Sipas një studimi të zhvilluar në Romë, rreth 87% e njerëzve që ata ekzaminuan kishin të paktën një simptomë dy muaj pasi ishin shëruar nga virusi dhe më shumë se gjysma ndiheshin ende të lodhur.

Prof.Chris Brightling, nga Universiteti i Leicester, beson se njerëzit që kanë kaluar pneumoni mund të kenë më shumë probleme për shkak të dëmtimit të mushkërive. Megjithëse mund të jetë larguar nga pjesa më e madhe e trupit, virusi mund të vazhdojë të jetë prezent në disa pjesë të tjera të fshehta.

“Nëse keni prej kohësh diarre, atëherë virusi është në zorrë. Nëse keni humbje të nuhatjes, virusi është te nervat.”- thotë Prof Tim Spector, nga King’s College London.

Coronavirusi mund të infektojë drejtpërdrejt një larmi qelizash në trup dhe të shkaktojë një superaktivitet të reagimit imunitar, që gjithashtu shkakton dëme në të gjithë trupin, shkruan dritare.net. Mbi bazën e studimeve, thuhet se, sistemi imunitar nuk kthehet në normalitet pas covidit dhe kjo shkakton dobësim të shëndetit.

Infeksioni gjithashtu mund të ndryshojë mënyrën se si funksionojnë organet e njerëzve. Kjo duket nga grafitë, që tregojnë nëse mushkëritë bëhen me dhëmbëza, probleme afatgjata që janë parë pas infektimit me Sars ose Mers. Por covid gjithashtu mund të ndryshojë metabolizmin e njerëzve. Megjithëse ende në studim, ka shumë gjëra që ndodhin në strukturën e trupit nga virusi.

COVID-19 mpiks gjakun dhe dëmton rrjetin e arterieve që çojnë gjakun në trup. Prof David Strain, nga Universiteti i Exeter thotë se: “Teoria për të cilën po punoj është një plakje e parakohshme e enëve të vogla të gjakut që çojnë oksigjen dhe lëndë ushqyese në inde.” Por ai paralajmëroi se, derisa të kuptohet se çfarë po e shkakton Covid e gjatë është e vështirë të kuptosh trajtimet.

Por a do të shërohen njerëzit plotësisht?
Numri i njerëzve me covid të gjatë duket se po bie me kalimin e kohës. Por ngaqë është virus i ri, shumëçka për të është e paqartë. Por ka shqetësime, se disa njerëz do t’i vuajnë pasoja e tij gjatë gjithë jetës.

Njerëzit që kanë pasur sindromën e lodhjes kronike me shumë mundësi do ta kenë edhe më vonë dhe do të shfaqet çdo dimër kur është dhe sezoni i gripit.

Çfarë të bëj nëse mendoj se edhe unë vuaj nga Covid i zgjatur?

Bëni ecje, jo me ritme të shpejta, mos e sforconi veten dhe sigurohuni që të pushoni shumë. Planifikoni ditën, aktivitete më të lodhshme shpërndajini në të gjithë javën, mos i lini brenda një apo dy ditësh.

Nëse nuk shëroheni aq shpejt sa prisni, flisni dhe me mjekun.