SPAK pushon hetimet ndaj 4 gjyqtarëve që kërkuan heqjen e burgimit të përjetshëm për Dritan Dajtin

SEANCA PER DAJTIN - Dritan Dajti, i akuzuar per vrasjen e kater policeve ne 7 gusht 2009 ne Durres, gjate nje seance gjyqesore ne Gjykaten e Krimeve te Renda, ku ka akuzuar gjyqesorin se po politizion ceshtjen e tij, duke i derguar letra Kryeministrit.

Dyshimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK se gjyqtarët të cilët pranuan një vit e gjysmë më parë kërkesën e Dritan Dajtit për gjykim të shkurtuar, mund të ishin korruptuar në dhënien e vendimit, u shuan përfundimisht të hënën më 26 tetor, kur gjyqtarja Miliana Muça e Gjykatës së Posaçme pranoi kërkesën e akuzës për pushimin e hetimeve.

Kryetari i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Sandër Simoni, i tha BIRN se ditën e hënë, në orën 14:00, është zhvilluar seanca kur është pranuar kërkesa e prokurorisë për pushimin e hetimeve ndaj gjyqtarëve Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj.

“Gjykata e ka kthyer dy herë për kryerjen e verimeve hetimore të tjera. Nga ana e prokurorisë janë kryer veprimet hetimore të kërkuara nga gjykata, ku në përfundim të tyre, përsëri prokuroria ka arritur në përfundimin se nuk ka prova për atribuim akuze dhe ka kërkuar pushimin e çështjes ndaj tyre”, shpjegoi gjyqtari Simoni.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e katër punonjësve të policisë dhe ndodhej në qeli prej masakrës së vitit 2009. Megjithatë, më 8 shkurt 2019 një trupë gjyqësore e komanduar pranë Apelit vendosi të shuante burgimin e përjetshëm për Dajtin, duke e dënuar atë me 25 vjet burg.

Edhe pse çështja shqyrtohej në gjykatë prej 10 vitesh, tre gjyqtarët Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj në shumicë, vendosën të pranojnë kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar; çka solli uljen e 1/3 së dënimit. Dy gjyqtarët e tjerë në pakicë ishin Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha.

Pak ditë pas vendimit të debatueshëm, Krimet e Rënda urdhëruan kontrolle në shtëpitë e 3 gjyqtarëve që zbutën dënimin për Dritan Dajtin. Më 14 shkurt 2019, policia kontrolloi shtëpitë e gjyqtarëve Skënder Damini në Vlorë e Tiranë, Aleks Nikolli në Lezhë dhe Petrit Aliajt në Sarandë.

Kontrollet u kërkuan nga prokurori Klodian Braho dhe u autorizuan nga ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, pasi dyshohej se tre gjyqtarët mund të ishin përfshirë në korrupsion lidhur me vendimin lehtësues në favor të Dritan Dajtit. /Birn/