Skandali me doganat! 3 drejtorët kanë vepruar si ”han pa porta”, zyrtarëve të lartë nuk iu është…

Doganat, një prej institucioneve më të rëndësishme në vend, nën varësinë e Ministrisë së Financave, ku hyjnë e dalin miliona euro mallra e shërbime të tjera, duket se janë kthyer në një han pa porta, ku zgjedhjet në nivelet drejtuese po bëhen në shkelje me ligjin.

Faxweb.al mëson nga burime, se në drejtimin e doganave janë vendosur persona pa certifikata sigurie, edhe pse kjo është një nga kushtet e përzgjedhjes, pasi informacioni që kalon është tepër konficencial.

Shkeljet nisin që në kohën kur doganat drejtoheshin nga Belinda Ikonomi, dhe emëroi në krye të antikotrabandës Mirjan Priftin, i cili nuk ka dorëzuar një certifikatë sigurie. Certifikata në fjalë mund të lëshohet nga SHCBA, DSIK dhe SHISH ku vërtetohet pastërtia e figurës së individit, sa i aftë është për ta merituar atë vend pune.

Një arsye më shumë se pse do të duhej të kërkohej certifikata e sigurisë, është fakti se hetime të ndryshme kanë treguar se dhjetra punonjës, kanë figuruar të dënuar për vepra penale brenda dhe jashtë vendit.

Një tjetër rast ku ligji është shkelur, është dhe ai i ish-drejtorit të informacionit Jul Mehja, i cili tashmë është vendosur në krye të degës së doganës në Tiranës, apo i pasardhësit të tij Klodian Cani, të cilët po ashtu nuk kanë dorëzuar certifikatën e sigurisë, pranë institucionit ku punojnë.

Mbetet mister sesi drejtori tjetër i doganave, Gjon Bardhi i ka emëruar këta dy persona në poste kyçe, në një kohë që emrat e tyre figurojnë dhe si aksioner në firma ndërtimi apo kompani transporti e ngarkesa të tjera.

Në krye të doganave është emëruar së fundit Gent Gazheli, për të cilin nuk ka detaje nëse e ka dorëzuar apo jo certifikatën e sigurisë, ndërsa emri i tij është i rrethua me hije dyshimesh, pasi la në mes punës me Albpetrol, ndërsa më herët kishte hequr dorë nga posti i ambasadorit në Turqi.