Reagimi i fortë i Bardhit: Shumë shpejt një hetim ndërkombëtar do nxjerrë emrat e përfituesve të milionave me plehrat

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi paralajmëroi publikisht se, një hetim ndërkombëtar i partnerëve ndërkombëtar dhe agjencive të specializuara do të bëjë publike emrat që fshihen pas përfitimeve miliona euro të skandalit të inceneratorëve.

Kontratat e inceneratorëve janë në krye të akuzave që opozita i ka drejtuar qeverisë. Mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion”, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar se është i gatshëm të japë dorëheqjen nga posti i tij nëse ekziston inceneratori i Tiranës.

Gjatë debatit me analistin Julian Zyla, Bardhi tha se shteti paguan për shërbime që nuk kryhen pasi inceneratori i Tiranës dhe Fierit nuk ekzistojnë.

“Nuk ekzistojnë inceneratorët çfarë shërbimi thua. Unë jap dorëheqjen nesër nëse ekziston inceneratori i Tiranës. Inceneratori i Tiranës nuk ekziston dhe as i Fierit. Bashkia e Tiranës jep para për depozitimin e mbetjeve në landfilld dhe jep para për djegien e mbetjeve në incenerator. Në inceneratorin e Tiranës nuk është vendosur një tullë.”, tha Bardhi.

Partia Demokratike akuzon qeverinë se kontratat konçesionare janë korruptive pasi janë lidhur me kompani në pronësi të një personi i cili sipas tyre nuk ka patur kapacitet të kryejë investimin e kërkuar.

“Që një kontratë PPP të lidhet duhet që privati të ketë disa para për ti investuar, në momentin që nuk i ka dhe ja jep shteti atëherë nuk kemi PPP.”, tha ndër të tjera Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, deklaroi se kompania fituese e konçesionit të inceneratorit ka patur një kapital vetëm 50 mijë euro për një investim të 23 milionë euro në inceneratorin e Elbasanit.