Raporti i KE nxjerr sheshit mashtrimet e Ministrisë së Financave, ja sa shkon vërtetë borxhi publik

Shpërthimi i COVID-19 dhe masat për të kontrolluar përhapjen e tij kanë ndikuar rëndë në ecurinë ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2020 në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas raportit të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate, për tremujorin e tretë.

Mali i Zi regjistroi rënien më të fortë të prodhimit. PBB-ja u zhyt me 20.2% në terma vjetorë e nxitur nga një kolaps i eksporteve (përkatësisht turizmit), si dhe nga rënia e konsumit të familjeve dhe formimi i kapitalit fiks bruto.

Gjithashtu, Maqedonia e Veriut regjistroi një rënie dyshifrore të PBB-së reale me 12.7 % me bazë vjetore, pas pothuajse stanjacionit në janar-mars, për shkak të tkurrjes së konsumit privat, investimeve dhe eksporteve.

Në Shqipëri, recesioni u thellua në një tkurrje ekonomike prej 10.2% pas një rënie vjetore të prodhimit me 2.3% në terma vjetorë në tremujorin e parë, kryesisht e ndikuar nga një rënie e madhe e eksporteve si dhe një tkurrje e investimeve, konsumit privat dhe publik.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, PBB ra me 9.3% krahasuar me një vit më parë për shkak të kontraktimit të konsumit privat, investimeve dhe eksporteve. Në mënyrë të ngjashme, prodhimi ekonomik i Kosovës u tkurr me 9.3% në terma vjetorë si pasojë e reduktimit të eksporteve të shërbimeve dhe investimeve ndërsa konsumi privat dhe publik regjistruan rritje pozitive vjetore.

Në Serbi, humbja vjetore e prodhimit në tremujorin e dytë ishte më e butë krahasuar me kolegët e saj në rajon. PBB reale ra me 6.4% në terma vjetorë nga rritja akoma e fortë prej 5.1% në tremujorin e parë. Shkaktarët kryesorë të kësaj tkurrje ishin konsumi privat dhe formimi i kapitalit fiks bruto, të cilat u zbutën pjesërisht nga zgjerimi i konsumit qeveritar dhe një kontribut paksa pozitiv i tregtisë së jashtme.

Në përgjithësi, në tremujorin e dytë të vitit 2020, PBB-ja reale e rajonit të Ballkanit Perëndimor u tkurr me 9.1% në terma vjetorë.

Për Shqipërinë, raporti analizon se recesioni përkeqësoi tregun e punës në tremujorin e dytë, teksa punësimi u tkurr me 3.9% me bazë vjetore, duke reflektuar humbjen e 34 mijë vendeve pune.

Shkalla e papunësisë (15-64 vjet) u rrit me 0.6 pikë përqindjeje me bazë vjetore në 12.5%, i njëjti nivel si në fillim të vitit 2019. Goditja më e keqe ishte tek të rinjtë, grupmosha 15 deri në 29 vjeç për të cilët shkalla e papunësisë u rrit 1.4 pp në 21.4% . Pavarësisht rritjes së dobët prej 0.4% të pagave publike dhe një rënie të mprehtë të të gjithë indekseve të pagave përveç ndërtimit, pagat mesatare nominale regjistruan 1.7% rritje tremujore në TM2 dhe 2.9% rritje vjetore.

Ashtu si në tremujorin e parë, prodhimi ekonomik u tkurr në të gjithë sektorët në të dytin, përveç aktiviteteve të pasurive të patundshme dhe bujqësisë, kjo e fundit regjistroi në dy tremujorët e parë të vitit 2020 normat më të larta të rritjes së tre viteve të fundit.

Shërbimet, të cilat përbëjnë rreth 50% të PBB-së, e pësuan më së shumti, të udhëhequra nga një rënie e prodhimit prej 27% në kategoritë e tregtisë, transportit dhe shërbimeve të mikpritjes. Prodhimi industrial ra gjithashtu, me 13.1%, i udhëhequr nga rënia e përpunimit (-19.1% me bazë vjetore).

Sipas raportit, për shkak të rënies së të ardhurave dhe rritjes së shpenzimeve, borxhi publik në vend kërceu nga 66.3% në fund të 2019-s, në një nivel të vlerësuar prej 81.5% në tremujorin e dytë. Ky nivel është më i lartë sesa ai i deklaruar nga financat, që në fund të 6 mujorit e vlerësuan borxhin në 80% të PBB-së