Rama nuk e pengon dot betejën e Bashës për të mirën më të madhe!

Nga Gentian GABA

‘Malli i prishur nuk shitet pa gënjyer’, thotë një fjalë e urtë nga zona elektorale e kryeministrit aktual. Prandaj këtë të diel, një ditë përpara se të shkojë në Parlament propozimi i njëanshëm për listat e hapura, ripërtypi edhe njëherë gënjeshtrat mbi propozimin hileqar të Partisë Socialiste. Megjithatë, përtej kapadaillëkut me të cilin shpalos qëndrimet e tij mbi ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, të cilat i shoqëron me bindjen e një fitore të sigurt pas dy mandatesh beribate, janë aktet, dhe jo fjalët ato që tregojnë frikën që Rama ka nga zgjedhjet.

Nuk nevojiten llogari të stërholluara, analiza ekonomike apo hulumtime politike të mundimshme, për të kuptuar mospërputhjen midis fjalëve që dalin nga goja e kryeministrit dhe aktet tinëzare që kryen në përpjekje për të penguar kundërshtarin në zgjedhjet e ardhshme. Sepse nëse Rama do të ishte ‘punëmbaruar’, sikurse thonë ‘zanat’ e oborrit kryeministror, apo do të ishte i bindur se ajo çka ai transmeton në fejsbukun e tij përputhet me angazhimet që ka marrë përballë votuesve dhe me realitetin në të cilin shqiptarët jetojnë çdo ditë; nuk do të ngrinte në këmbë një ngrehinë hilerash të shitura tinëzarisht si ndryshime në dobi të demokracisë, por do të dilte ballëlart përballë elektoratit me bilancin e tij tetëvjeçar.

Kësodore do t’i kishte kursyer vetes gënjeshtrat e njëpasnjëshme mbi listat e hapura, dhe nuk do të armiqësonte edhe më shumë atë pjesë të shoqërisë që realisht i dëshironte. As do të kishte vendosur sërishmi në lojë besimin, përherë e më të cunguar, që kanë ndërkombëtarët te vijimi i procesit integrues i Shqipërisë. Frika, si shqetësim i thellë se në 25 prill do të korrë atë që ka mbjellë, e detyron atë të jetë besëprerë kundruall të gjithëve, vetëm për të penguar koalicionet dhe për të zhbërë rregullat e lojës, pak muaj përpara zgjedhjeve.

Një frikë jo e re për Ramën. Është e njëjta që e shtyu te pakti djallëzor me botën e krimit. Me të cilën u ngjit në pushtet në mandatin e parë, dhe për të cilin Partia Demokratike imponoi dhe mori ligjin e ‘dekriminalizimit’. Është e njëjta frikë me të cilën shkoi drejt zgjedhjeve të vitit 2017, kur krimi i organizuar bash me drogën trafikonte edhe vota për Rilindjen. Dhe e njëjta frikë që detyroi të kandidonte në votimet e vitit të shkuar njerëz me rekorde kriminale.

Pra, nëse ka një gjë me të cilën Rama është përnjëmend konsekuent, është frika ndaj zgjedhjeve. Andaj sjellja e kreut të sallaksve nuk mund të përbëjë asnjë surprizë, është natyra e tij të mos respektojë marrëveshjet dhe rregullat e lojës. Diçka për të cilën opozita ka folur gjerë e gjatë gjithë këto vite, derisa ka marrë mbi vete edhe epitetin e ‘Kasandrës’.

Mirëpo tani, kur gjithçka opozita ka thënë për Ramën ka rezultuar e vërtetë, dhe ato që dikur quheshin paragjykime ndaj Ramës, apo akoma edhe më keq frikë e opozitës nga zgjedhjet, janë arkivuar si dosje të krimeve zgjedhore pranë SPAK-ut të përgjumur, duke marrë edhe famë botërore, në mënyrë krejt të natyrshme i takon asaj të mbaj skeptrin e mbrojtjes së interesit dhe gjësë publike.

Sepse pavarësisht skuthllëqeve të Ramës, beteja e opozitës si grupim politik, dhe e Bashës si lider i saj, është sot në harmoni të plotë me shumicën e qytetarëve që nuk kërkojnë vetëm largimin e kësaj qeverie, por një të mirë më të madhe. Kjo e fundit nuk është thjesht një pikë takimi midis kërkesës së qytetarëve dhe ofertës politike të opozitës, por vijimi i përpjekjeve që u renditën më sipër, dhe shumë të tjerave që për ekonomi shkrimi nuk mund të përmendim këtu, të cilat koha i ka provuar si të drejta.

Kjo sinergji, midis opozitarizimit që ekziston sot në shoqërinë shqiptare dhe frontit të gjerë të opozitë politike, është bërë edhe më e fortë përballë qëndrimeve të diktuara nga frika e Ramës.

Një dhuratë e artë për opozitën, e cila ka sot aleat edhe më të shumtë në betejën e saj, të cilët me lehtësi shohin edhe diferencën kalamendëse midis modeleve politike përballë tyre. Pasi nëse nga njëra anë kemi modelin përqendrues dhe përçudnues të Ramës, pasojat e të cilit ndihen nga ekonomia deri tek Integrimi Europian. Nga ana tjetër kemi modelin liberalizues që po imponon Basha në Partinë Demokratike, me përzgjedhje nga anëtarësia të kandidatëve, dhe ofertën për ndryshime kushtetuese realisht demokratizuese që janë imperativ i kohës. Sikurse ishte propozimi për lista 100% të hapura.

Diferenca modelesh dhe vizionesh, që kanë prodhuar një masë kritike të aftë të zhbëjë çdo lloj loje të pisët në zgjedhjet e ardhshme, dhe të çojë në koshin e plehrave të historisë dikë që qeverisi me shpresën se do t’i gënjente përgjithmonë, të majtë, të djathtë dhe të huaj, por arriti të kundërtën, duke i bashkuar të gjithë. Jo për të larguar atë, por për një të mirë më të madhe./Mapo/