Rama i vendosur kundër Ndërkombëtarëve: Ligjin ndaj medias do ta miratojmë pa konsensusin e Venecias

Pavarësisht kritikave të pasqyruara në raport-progresin e Komisionit Europian, Rama mbetet i vendosur në kalimin e paketës ligjore të pagëzuar “anti-shpifje”.

Rama u shpreh këtë të Mërkurë se “ligji do kalojë për të krijuar një mjedis më etik ku ata që janë pre e sulmeve të pabaza, të kenë mundësi të mbrohen”.

Kryeministri po ashtu sqaroi se draftin final “nuk do ta çojmë sërish në Komisionin e Venecias”.

I pyetur, ‘a jeni krenar që gjatë kësaj periudhe po kaloni një ligj që pengon lirinë e medias dhe keni bërë ndryshime kushtetuese dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor në mënyrë të njëanshme’, Rama u përgjigj: Po jam!

“Draft-ligji u diskutua më shumë se një vit shumë hapur, këtu dhe me OSBE, e filluam me një model gjerman, na u tha që s’është demokratik, vijuam drejt modeleve franceze, kroate dhe një i tretë që nuk më kujtohet dhe na u thanë që dhe ato s’janë demokratike dhe më pas bëmë një shumë demokratik me konsulencën tonë me OSBE, që sipas këndvështrimit tim s’trajton plagën e realitetit shqiptar, lidhur me lajmet e rreme, shpifjet, sulmet, por ofron mundësinë që njerëzit, jo unë, por njerëzit, të mbrojnë veten kur gjenden të sulmuar. 

Mbështetja më e madhe erdhi nga njerëzit e biznesit se ata shantazhen çdo ditë. E dërguam në Komisionin e Venecias dhe s’tha se ligji shkel parimet demokratike. Ka dhënë disa rekomandime që do ti trajtojmë një nga një dhe do miratojmë ligjin. Se në këtë xhungël dezinformomi, përmes shkeljes së etikës së medias, individët në këtë vend duhet ti kërkojnë llogari para gjykatës çdokujt që i sulmon e fshihet pas anonimatit dhe burimeve të jashtme dhe u bien njerëzve si të ishin të pavlerë në shoqërinë tonë”, tha Rama në një konferencë për mediat nga Kryeministria, krah kryediplomates suedeze.

Lidhur me paketën ligjore u pyet dhe kjo e fundit, e cila u shpreh se “Suedia është një mbrojtëse e hapur e lirisë së medias” dhe shtoi se “e rëndësishme që qeveria të diskutojë me gazetarët dhe shoqërinë civile”.

Paketa ligjore e qeverisë kundërshtohet nga gazetarë dhe ente ndërkombëtare.

Në progres-raportin për Shqipërinë publikuar një ditë më parë, Komisioni Europian theksoi se në dhjetorin e kaluar parlamenti miratoi një sërë ndryshimesh në ligjin e medias. Ndryshimet vlerësohen se nuk janë në standardet dhe parimet ndërkombëtare të lirisë së medias dhe ngrenë shqetësime në lidhje me rritjen e censurës dhe vetëcensurës, dhe rreth pengesave të mundshme të lirisë së shprehjes në vend, thuhet në raport.