Qëllimi i vetëm i PS me ndryshimet kushtetuese!

Dott. Alban DACI

GJIKNURI DHE KOALICIONET

Gjiknuri vazhdon të insistojë me idenë, se formula e koalicioneve të ofruar nga opozita nuk ekziston në asnjë vend të Evropës. Por, modelet dhe sidomos koalicionet bëhen sipas realitetit historik e politik, që ka një vend. Ne, kemi më shumë se 30 vjet që i kopjojmë keq ligjet e vendeve të tjera dhe i kemi bërë pjesë të kuadrit tonë ligjor, pa pasur parasysh realitetin tonë social. Kjo ka bërë që, shumë herë, ligjet të kenë probleme të mëdha teknike dhe po ashtu edhe vështirësi zbatimi.

Formula e koalicioneve, apo e kodit tonë zgjedhor, nuk duhet të jetë detyrimisht e njëllojtë apo e ngjashme me një vend, apo me disa vende të tjera. Aprovimi apo miratimi i një ligji duhet të ketë parasysh disa kritere. Kriteri i parë, duhet të jetë përputhja me frymën kushtetuese të vendit. Kushtetuta jonë nga ’98, deri më sot, është ndryshuar pa i pyetur qytetarët, kur parlamenti është bërë nga një parlament ilegjitim.

Ndërkohë, jo vetëm që nuk është marrë në konsideratë opinioni i qytetarëve, por këtë herë është bërë në mënyrë të njëanshme pa pyetur edhe opozitën. Megjithatë, përtej kësaj nuk ka një nen të kushtetutës që bie në kundërshtim me formulën e koalicioneve të ofruar nga opozita.

Evropa nuk ka çfarë të na mësoj në lidhje me sistemin zgjedhor, sepse vetë format e tyre të regjimeve kanë pësuar evolucion të vazhdueshëm e prandaj kanë kaluar në disa republika, siç është rasti i Italisë. Po ashtu, shpesh është kaluar nga republikë parlamentare e fortë me tendencë për republikë kryeministrore, me dëshirën që kryeministri të zgjidhet nga qytetarët drejtpërdrejtë, ose nga presidencializëm të fortë në gjysmë presidencializëm.

Shqipëria ka një të kaluar të fortë autoritare e për këtë arsye edhe kushtetuta e ’98, jo vetëm që konfirmonte pluralizmin e fortë politik, por mbështet fuqishëm idenë e koalicioneve, duke e shpërndarë përgjegjësinë e pushtetit në shumë aktorë, duke e zvogëluar mundësinë për rikthim në autoritarizëm.

Ardhja e Ramës në pushtet, bëri që modeli i tij të ishte përqendrim i pushtetit vetëm në një parti dhe në një njeri, si brenda partisë ashtu edhe në qeverisje, parlament apo edhe në pushtetin lokal. Shqipëria duhet të zgjedhë çfarë duhet të bëj me modelin e regjimit dhe të pushtetit. Të vazhdojë me Republikën Parlamentare Kryeministrore dhe me një President me kompetenca qesharake?

Presidenti të zgjidhet nga populli e të bëhemi presidencializëm? Apo një model si Franca? Po ashtu, nëse Shqipëria mendon se nuk duhen koalicionet a është e gatshme të shkoj drejt një bipolarizmi të pastër dhe në këtë rast duhet një maxhoraritar, duke ulur pragun e firmave për kandidatët e pavarur dhe pa subjekt politik?

Partia Socialiste ka frikë nga zgjedhjet dhe debati i hapur tani mbi modelin, ka vetëm një qëllim, që zgjedhjet të mos bëhen në një atmosferë politike të pranueshme.