Pipero kundër Ramës: Nuk jam dakord me hapjen e kinemave, maskat jo gjithnjë të domosdoshme

Prej thuajse një 1 jave, shifrat e të infektuarve me koronavirus në Shqipëri janë shtuar shumë duke kaluar 300 raste në ditë. Për mjekun Pëllumb Piperon, kjo rritje e rasteve është normale pasi është pranuar dhe më parë se me ardhjen e stinës së vjeshtës do të rriteshin dhe rastet.

Por ai ngre një tjetër shqetësim, atë të numrit të të shtruarve në spitale, ku në një intervistë për Report Tv tha se vetëm dje u shtruan 30 persona.

Pipero foli për pasojat pozitive që sjell mbajtja e maskës, por shtoi se maskat nuk janë të domosdoshme në ambientet e hapura ku nuk ka një densitet të lartë njerëzish. Gjithashtu, ai tha se është herët që ato të japin rezultate në uljen e shifrave.

“Angazhimi i madh për të shpëtuar qindra jetë. Shifrat e ditëve të fundit dëshmojnë atë që virusi po tregon kudo. Me fillimin e stinës së dimrit, shtohet numri i rasteve të infektuara. Në vendin tonë, unë e kam thënë disa herë që numri i raste të prekur është disa herë më i lartë se sa ai që njohim neve. Tashmë që i gjithë aktiviteti jetësor është hapur, shkolla apo lokale, rastet normalisht do jenë të larta.

Numri i rasteve të shtruara në spital është shtruar shumë. Vetëm dje janë shtuar 30 persona. Kjo është shqetësuese ndaj apeli ynë është që qytetarët të bëjnë sa më shumë kujdes. Shqetësimi ynë është maksimal por duhet të shoqërohet me respektimin e masave anticovid nga ana e qytetarëve. Unë personalisht nuk kam thënë që mbajtja e maskës në ambientet e jashtme do të ulë raste. Për këtë numër të kufizuar të infektuarish, ajri nuk është transmetues i lartë. Është ende herët që të presim rezultatin e vendosjes së maskave në mjedis. Janë efikasiteti dhe efektiviteti. Duam që efikasiteti i vendosjes së maskës në ambientet e jashtme të jetë sa më i lartë. Dua ta ritheksoj, mjediset kryesore ku transmetohet ky virus janë vendet e mbyllura, shtëpi, lokale shkolla dhe në shtëpi”, tha Pipero.

“Ajo që konstatojmë ne është e çuditshme. Rastet nuk ngjajnë me njëra-tjetrën. Përsa i përket mutacioneve, në Shqipëri e kemi të pamundur për të parë ndryshimin e virusit. Është një virus me peshë molekulare të madhe dhe është e vështirë që të pësojë mutacion. Mendoj se vaksina do të jetë efektive kundër këtij virusi. E kam të vështirë të bëjmë parashikime. Unë nuk besoj që do të kemi një valë të dytë apo mbyllje të dytë edhe pse numri po shtohet. Ka një gjë të veçantë për gripet të vitit stinor. Masat e vendosura për përhapjen e COVID janë shumë efektive dhe për parandalimin e gripit stinor. Nuk besoj në një mbyllje të dytë. Rekomandoj në një kufizim sa më herët të jetë e mundur për ato mjedise ku qarkullimi i virusit është i lartë. Duhet të kufizojë sa më shumë aktivitetin e tyre, restoranteve e lokaleve të natës”, shtoi.

Ai komentoi dhe vendimin e qeverisë për hapjen e kinemave për të cilën u shpreh se nuk ishte dakord.

“Nuk ka të bëjë me ndërgjegjësimin se sa më urbanizimin. Ku ka më shumë qytetarë, ekspozimi është më i lartë. Kjo është një sëmundje urbane. Nuk mund të presim raste të mëdha në fshatra. Unë e kam konsideruar hapjen e kinemave një hap të nxituar, njësoj edhe për teatrot. Ky virus nuk na mundëson për këtë kohë të shijojmë dhe të ndajmë me artistët emocionet tona, njësoj dhe me kinematë. Jam ndoshta i pari dhe i fundit mjek që i jam lutur kryeministrit që gjoba të rishikohet dhe të shtohen më shumë mundësitë për ne bluzat e bardha të jemi në komunikim”, tha Pipero.