Paralajmërimi i fortë i Bashës: Do t’ua nxjerrim nga hundët çdo qindarkë që ua kanë vjedhur shqiptarëve kudo që t’i kenë fshehur

Kryetari i PD, Lulzim Basha paralajmëroi sot të gjithë ata që do të kenë marrëveshje kontraktuale me Qeverinë në ikje, këto muaj para zgjedhjeve, të jenë të kujdesshëm, sepse me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, kontratat e tyre do t’i nënshtrohen ligjit të ri Anti-Mafia.

“Në emër të pacientëve shqiptarë me COVID apo me sëmundje të tjera, që nuk marrin as rimbursimin, në emër të mjekëve, pensionistëve shqiptarë për të cilët banda në pushtet ka ndarë 6 herë më pak vitin e ardhshëm sesa për koncensionet korruptive, i bëj thirrje çdokujt që ka ndërmend të ndërtojë të ndërtojë një marrëdhënie kontraktuale me shtetin, në katër muajt e fundit të qeverisë në ikje, të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm, sepse çdo kacidhe, çdo tender, çdo marrëdhënie, çdo kontratë, do t’i nënshtrohet ligjit të ri Anti Mafia.

Nuk kam për t’i lënë pensionistët pa pensione!

Nuk kam për t’i lënë vogëlushët në kushtet e mjerueshme të shkollave, 7% e të cilave janë akoma pa ujë të rrjedhshëm!

Nuk kam për t’i lënë shqiptarët të vetmit në Ballkan që nuk marrin kacidhen e bukës së gojës dhe kur kanë humbur vendin e punës nga pandemia.

Jo, jo! Do t’ua nxjerrim nga pasuritë kudo që t’i kenë fshehur, nga xhepat, nga kontot bankare në Shqipëri dhe jashtë Shqipërie, nga pasuritë e patundshme e do t’ua nxjerrim nga hunda çdo qindarkë që ua kanë vjedhur shqiptarëve”, tha Basha.