Nuk ka negociata me Shqipërinë/ Progres-raporti i BE: Reforma Zgjedhore, ngritja e organeve të drejtësisë, ligji për mediat dhe…

Komisioni Europian pritet të prezantojë sot planin ekonomik të investimeve sa i takon vendeve të rajoni dhe Shqipërisë. Paketa i nënshtrohet aprovimit nga Kolegji i Komisionerëve përpara mesditës. Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, pritet ta prezantojë në Parlamentin Europian.

Prezantimi pritet të jepet rreth orës 15:00 ditën e sotme, më pas rreth orës 16.30 Komisioneri do të dalë në një konferencë për shtyp për të sqaruar detajet të kësaj pakete investimesh për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gazetarja Erisa Zykaj nga Brukseli raportoi për Abc News se progres-raporti nuk sjell asnjë surprizë për Shqipërinë.

Shqipëria ka 15 kushte për të plotësuar, në këndvështrimin e Komisionit Europian, vendi ynë ka 6 parakushte që ata konsiderojnë se duhen plotësuar përpara se të hapen negociatat e anëtarësimit me BE.

Në këto 6 parakushte kanë të bëjnë me Reformën Zgjedhore, Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, ngritjen e organeve të drejtësisë në luftën me krimit, ligji për mediat dhe masat që janë marrë nga qeveria për uljen e emigracionit, si dhe me goditjen e aseteve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar.

Komisioni Europian ka përshëndetur marrëveshjen e 5 qershorit si një përpjekje e të gjitha palëve për aprovimin e reformës zgjedhore, por zhvillimet politike së fundi kanë bërë që qëndrimi i KE të vihet në dyshim.

Mbetet e paqartë qëndrimi i Komisionit Europian në lidhje me ndryshimet që u bënë në Këshillin Politik dhe se do të duhet një moment i dytë për një panoramë të qartë të qëndrimit të KE.

Raporti i BE për Shqipërinë dhe Ballkanin  

Pak orë para publikimit të progres raportit për Shqipërinë, Vizion Plus, siguron një pjesë të tij. Në dokumentin i cili bën një vlerësim të situatës ekonomike dhe hapave që duhet të ndërmarrin qeveritë e Ballkanit Perëndimor theksohet qeverisja e dobët dhe në veçanti,  progresi i kufizuar në adresimin e mangësive në shtetin e së drejtës dhe në trajtimin e korrupsionit.

Sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave themelore, funksionimi i institucioneve demokratike dhe administrata publike përbëjnë një nga motorët kryesorë për rimëkëmbjen ekonomike si të Shqipërisë dhe gjithë vendeve të tjera të rajonit që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Si pikë kryesore në dokument nënvizohet qeverisja e mirë si një element i rëndësishëm në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë, me theksin te zbatimi i ligjit si një etapë kryesore kundër së cilës vlerësohet progresi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sidoqoftë, thuhet në dokument, përparimi i besueshëm në fushën e sundimit të ligjit mbetet një sfidë e rëndësishme, e cila shpesh ndërlidhet me mungesën e vullnetit politik, ekzistencën e vazhdueshme të elementeve të qarta të kapjes së shtetit dhe progresin e kufizuar në pavarësinë e gjyqësorit.

Në dokumentin e siguruar ekskluzivisht nga Vizion Plus, në pjesën që lidhet me paketën e zgjerimit në aspektin ekonomik rekomandohet një gjyqësor i fuqishëm dhe i pavarur, i paanshëm dhe efektiv që dukshëm siguron që të gjitha institucionet shtetërore të respektojnë ligjin, të ruajnë integritetin dhe që qytetarët të mbrohen nga vendimet arbitrare dhe të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre plotësisht.

Bizneset kanë nevojë për siguri ligjore dhe mungesë korrupsioni, sikundër edhe investitorët e huaj kanë nevojë për siguri në një fushë të barabartë që do të mbrojë investimet e tyre, thuhet më tej në progres raportin e Komisionit Evropian.