Nga Veriu në Jug, rekord hashashi në dy muaj

Teksa prej vitesh po flitet për nevojën e një modeli të ri ekonomik në vend, të orientuar nga zhvillimi i qëndrueshëm, në hije, ai që po lulëzon është biznesi i jashtëligjshëm i kultivimit dhe më pas tregtimit të hashashit.

Në media lajmet për zbulimin apo edhe shkatërrimin e parcelave në çdo cep të vendit, raportet e institucioneve të huaja, por edhe atyre shqiptare mbi këtë dukuri po bëhen të përditshme, duke krijuar një perceptim që tashmë ky fenomen me sa duket i ripërsëritur, ka ndodhur, dhe Shqipëria është kthyer në “jeshile”.

Kështu vetëm në dy muajt e fundit, periudha Gusht-Shtator, policia e shtetit në njoftimet e të saj për median pothuaj ka raportuar përditë sekuestrim të lëndëve narkotike, dhe arrestimin e personave që i kultivonin ato, por edhe ata që favorizonin kultivimin, ku në këta të fundit nuk janë “kursyer për të dhënë ndihmën e tyre ndaj kultivimit”, kryepleq të zonave të thella dhe as vetë efektivët.

Vetëm nga një vështrim jo i hollësishëm, gjatë kësaj periudhe vetëm sasitë e mëdha që janë raportuar nga policia kapin shifrat e rreth 700 kg lëndë narkotike të llojit cannabis sativa përveç sasisë rekord që është kapur në javën e parë të tetorit, ku u gjetën rreth 10 mijë rrënjë cannabis sativa në zonën e rrethinave të Vlorës.

Zbulimi i tyre çoi në pezullimin nga detyra të disa efektivëve dhe oficerëve të lartë të kësaj drejtorie.

Sipas informacioneve, mësohet se zonat ku janë asgjësuar bimë narkotike gjatë këtij sezoni janë zonat e Dukagjinit, malësia e Krujës, Tepelena, Vlora, rrethinat e Skraparit por nuk mbeten mbrapa as zonat e thella të Librazhdit, dhe zonat rurale të kryeqytetit.

Në shumicën e rasteve pas mbjelljes së hashashit në këto zona qëndrojnë grupe kriminale, por ka dhe raste kur banorë të zonës nisin rrugën e prodhimit të bimës së ndaluar.

Kryesisht trafikantët hapin toka mes pyjeve, ose në male dhe aty nisin kultivimin.

Ky “biznes”, në pamje të parë fitimprurës për individët e përfshirë, është edhe nxitës i konsumit në ekonomi, të cilat kanë efekte negative nëse aplikohet në shkallë të gjerë.

Referuar burimeve të policisë, bëhet me dije se monitorimi për t’i identifikuar zonat ku mbillet kanabisi nis gjatë sezonit kur mbillet bima narkotike e cila përkon konkretisht me këtë periudhë.

Sipas Njoftimeve të Policisë gjatë muajit Gusht-Shtator:

-Policia Kufitare Bllatës në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër parandaluan dhe goditën një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike. Arrestohet në flagrancë 26 vjeçari, i cili tentoi të trafikojë 370 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

-Në 27 gusht, janë asgjësuar 1800 rrënjë canabis sativa në 50 parcela në malësinë e Krujës.

-Finalizohet me sukses operacioni antidrogë i koduar “Shtegtimi”. Sekuestrohen 65 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe bimë narkotike. Vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.

-Në kudër të operacionit të gjerë të zhvilluar nga Renea, policia dhe FNSH është arrestuar një 59-vjeçar, i cili u kap me 203 kilogramë canabis sativa. Policia thotë se 59-vjeçari e kishte mbjellë drogën në fshatin Zallë, të Fushë Krujës.

-Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë. Sekuestrohen 50 kg kanabis, 2 armë gjahu (çifte), municion luftarak, fitila zjarrpërcjellës dhe sende të tjera.

-3 tetor 2020 Shkak për pezullimin e tyre dyshohet të jetë bërë fakti se nuk kanë raportuar për parcelat ku kultivohej kanabisi, të cilat u zbuluan pas kontrolleve nga ajri me helikopter. Gjatë kontrolleve janë zbuluar 10 mijë rrënjë kanabis./Abcnews