Ndryshimi i lejes së qarkullimit do të kushtojë 21 mijë lekë

Qytetarët nuk janë të detyruar të ndryshojnë lejen aktuale të qarkullimit të mjeteve.

Pas miratimit të urdhrit të Ministrisë të Infrastrukturës për ndryshimin e formatit të lejes të qarkullimit, Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë të Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe shpjegoi për Monitor se modeli i ri do të jepet vetëm për aplikimet e reja.

“Formati i ri i lejes të qarkullimit të mjetit rrugor të regjistruar, do të jepet vetëm për ata qytetarë që kryejnë veprime të reja me mjetin. P.sh ata qytetarë që do të merrnin lejen e re në çdo rast apo që kryejnë ndryshime. Të tjerët nuk detyrohen të ndryshojnë lejen e qarkullimit”.

Z.Gonxhe shpjegon se leja e re e qarkullimit, nuk do të ketë afat vlefshmërie, vula kolaudimi dhe do të kushtojë 2,100 lekë. (Leja aktuale për shkak të vulave të kolaudimit duhet të rinovohej, për kategori të caktuara mjetesh, çdo 5 ose çdo 10 vjet)

“Çmimi mendohet që do të jetë 2,100 lekë, sepse do të ketë një letër speciale shumë më të kushtueshme sesa letra e zakonshme që përdoret sot dhe do të jetë e pajisur me elemente sigurie. Dokumenti i ri do të unifikojë së bashku 3 në 1 do të uli ndjeshëm me 40% koston që qytetari paguan aktualisht për këto dokumente (certifikata dhe leja ndërkombëtare) që më total I aktualisht i kushtojnë 3,500 lekë. Pra me lejen e re do të paguajë vetëm 2,100 lekë. Do të kursejë dhe kohë dhe angari. Do të marrë 1 dokument me standard, si leja e mjetit të Gjermanisë”, shpjegon Gonxhe.

Sipas kreut të Drejtorisë të Shërbimit Rrugor, leja e re shqiptare e qarkullimit do të kushtojë 17 euro, ndërsa në Kosovë kushton 25 euro dhe në Itali 30 euro. Urdhri i Ministrisë të Infrastrukturës përcakton se Leja e re e qarkullimit të jetë e barasvlershme me certifikatën e pronësisë. Prodhimi dhe plotësimi i lejes së re të qarkullimit të bëhet sipas rregullores së hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.