Basha: Moszbatimi i planit e ngarkon Edi Ramën me përgjegjësi jo vetëm politike, por penale. Ai e di çfarë e pret pas 25 prillit

  • Gjithë plani im me 5 pika ka vetëm këtë qëllim: të ndalë rrokullisjen, ku të mos ndodhë që e vetmja masë që merret është gjoba, nëse qytetari nuk vë maskë. Ky është mjerimi i një qeverie të kapitulluar, që ka braktisur çdo detyrë sa i përket pandemisë dhe ekonomisë. Po bën vetëm një gjë vjedhjen dhe batërdisjen e buxhetit në ditët e fundit të saj.
  • 100 mijë shqiptarë kanë humbur vendet e punës gjatë këtij viti. 61% e bizneseve rezultojnë pa fitim, një pjesë e madhe deklarojnë humbje, por qeveria nuk bën asgjë, përvec tenderave korruptivë. Situata ekonomike në vend po përkeqësohet me shpejtësi dhe kriza po thellohet. Plani me 5 pika parashikon që qytetarët ta marrin ndihmën sot, se nesër është shumë vonë dhe 25 Prilli është larg.
  • Qeveria ka burime financiare, por nuk i ka për njerëzit. Vetëm 4 ditët e fundit ka paguar 2 milion euro për inceneratorët. Në vend të çekut për biznesin dhe qytetarët paguan veten, Ahmetajn, Mërtitin, bandën e Ludshnjës dhe ndonjë drejtues mediash që përfitojnë nga inceneratorët. Paratë janë, por paratë po vidhen.
  • Moszbatimi i planit e ngarkon Edi Ramën dhe ministrat e tij me përgjegjësi jo vetëm politike, por penale. T’u marësh lekët qytetarëve, të mos ua kthesh kur kanë më shumë nevojë, por të vazhdosh t’i vjedhësh me një grusht oligarkësh, nuk është thjesht keqmenaxhim, keqqeverisje, korrupsion, por është një krim i rëndë që duhet ndëshkuar dhe sot zotohem që do të bëj gjithçka për ta ndëshkuar.
  • Rama e di çfarë e pret pas 25 prillit. 25 prilli nuk do të jetë thjesht dhe vetëm fillimi i një ndryshimi, por do të jetë fundi i pandëshkueshmërisë. Kush ka vënë dorë në interesin publik të shqiptarëve, mbi pasuritë, mbi taksat e shqiptarëve do të marrë ndëshkimin e merituar me ligj.
  • Nevoja ulëritësë për ndryshim nuk ka qenë kurrë më e qartë. Sfida e vetme që kam unë dhe PD është t’u tregojmë shqiptarëve në mënyrë bindëse se Shqipëria i ka mundësitë për të dalë nga kjo krizë dhe forca e bashkimit për ndryshim është e pandalshme nga një pakicë e pakicës së pakicës, ditët e së cilës janë të numëruara.

KONFERENCA PËR SHTYP E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA

Mirë se vini në selinë e Partisë Demokratike! Para dy javësh nga kjo sallë, së bashku me ju, kemi prezantuar një plan me 5 pika për rimëkëmbjen dhe për masat kundër pandemisë. Që nga ajo ditë siç më keni ndjekur unë kam qenë në një tur në qytete të ndryshme dhe në fshatra të Shqipërisë. Ashtu siç e keni transmetuar, ashtu siç e di çdo shqiptar, situata po përkeqësohet me shpejtësi.

Kriza sa vjen dhe thellohet dhe të dhënat zyrtare të institucioneve ndërkombëtare tregojnë atë që çdo shqiptar dhe çdo familje shqiptare e ndjen nën lëkurë.

100 mijë shqiptarë kanë humbur vendet e punës gjatë këtij viti.

61% e bizneseve rezultojnë pa fitim, ndërkohë që në muajt e fundit një pjesë edhe më e madhe e tyre deklarojnë humbje.

Situata po vazhdon përkeqësimin, qeveria nuk bën asgjë. Përkundrazi ka vazhduar me tendera dhe konçesione korruptive dhe pagesa nga thesari për këto tendera dhe konçesione korruptive.

Kosova, Maqedonia e Veriut kanë prezantuar paketën e katërt, për t’i ardhur në ndihmë njerëzve. Këtu opozita, pas një pune pas më shumë se 6 javësh të studimit të situatës në terren dhe të praktive më të mira dhe mundësive të buxhetit shqiptar, prezantoi një plan me 5 pika, qeveria nuk e vë ujin në zjarr.

Nga mosmarrja e masave nga Edi Rama për të ndihmuar ekonominë, Banka Botërore dha këtë javë një parashikim se 45% e popullsisë, në më pak se 5.5 dollarë në ditë, do të zhyten edhe më thellë në varfëri dhe kjo nuk është një statistikë, kjo është një dhimbje e thellë që e ndjen çdo shqiptar, e ndjen çdo kryefamiljar dhe fëmijët e tyre. Për këtë arsye, kërkuam në planin tonë me 5 pika të merreshin të gjitha masat për të ndihmuar në rradhë të parë njerëzit që kanë humbur vendet e punës, familjet me ndihmë ekonomike, pensionistët që përballen me shpenzime të shtuara për shkak të pandemisë. Sipërmarrjen e vogël, që është ajo që e vuan e para dhe më thellë krizën ekonomike, si dhe në tërësi sipërmarrjen prodhuese dhe punëdhënësit e mëdhenj.

Padiskutim, që hapi i parë dhe më kryesor që duhet të ndodhte ishte ndihma për sektorin shëndetësor, për mjekët, për inferimerët, për mbrojtjen e tyre, për pajisjen e të gjithë kapaciteteve shëndetësore.

Nga mjeku i familjes tek spitalet me mjetet dhe medikamentet e duhura për t’u përballur me numrat në rritje të infektimeve, si dhe një ndihmë e veçantë për shkollat, hapja e të cilave ka vendosur para një rreziku të shumëfishuar pedagogët, mësuesit, stafin mbështetës dhe përmes mundësive transmetuese të nxënësve edhe ata dhe familjet e tyre.

Për fat të keq, asgjë deri tani. E keni parë, sepse më keni ndjekur edhe me kamerat tuaja live në terren, ku njerëzit pyesin, dhe kjo më shkakton një dhimbje të jashtëzakonshme mua sikundër çdo shqiptari, sikundër dhe ju që më keni ndjekur në terren;“Çfarë do bëhet me ne. S’kemi asnjë të ardhur. Kam mbyllur dyqanin”.

5 dyqane të vogla në mes të Tiranës. I gjashti siç e patë vet aty, tha kam një muaj që nuk shkel njeri. Taksat i kam paguar, jam zhytur në borxh për t’i paguar taksat, nuk vjen njeri sepse ka rënë konsumi.

25 prilli për këta qytetarë dhe për familjet e tyre, është një ditë e largët. Ata duan të dinë çdo të bëhet sot.Si do t’ia dalin deri sot, të blejnë bukën e gojës, ushqimet bazë, ilaçet për të sëmurët?!

Për këtë arsye, plani me 5 pika ka parashikuar që ata të marrin sot, jo nesër, se nesër është shumë vonë, mbështetje direkte nga shteti, mbështetje direkte nga buxheti që nuk është i Edi Ramës.

Nuk është i qeverisë, por është i qytetarëve, sepse përbëhet nga taksat e qytetarëve. Kur do të shkojnë këto taksa tek njerëzit, nëqoftëse jo sot?!

Për këtë arsye kemi propozuar që biznesi të mos falimentojë e të mbyllë dyert e të largojë të punësuarit, apo edhe të vetëpunësuarit. Kemi propozuar që pensionistët të marrin atë çek prej 20 mijë lekë të vjetra në muaj që të paguajnë për shpenzimet shtesë që nga maska, dizifektantët apo ilaçet shtesë që mund t’ju duhen.

E patë, nga “Myslym Shyri” tek “Rruga e Durrësit” gjendjen.

E patë dje në Lushnjë gjendjen edhe të fermerëve edhe të industrisë agropërpunuese. Për këtë arsye mbështetja për ta që kemi propozuar në planin me 5 pika është urgjente, e domosdoshme dhe plotësisht e mundur. Situata shëndetësore vazhdon të përkeqësohet ditë pas dite.

Sado të fshihen shifrat e të infektuarve, qytetarët që janë të sëmurë dhe që po shtohen, kudo nuk fshihen dot. Dje tek po diskutoja me përfaqësues të sektorit farmaceutikës, m’u konfirmua ajo që pashë edhe në Durrës edhe në Elbasan.

Lista në Farmaci! Lista në farmaci sot është rregulli dhe jo përjashtimi. Numri i njerëzve që shkojnë në farmaci, për të marrë me listë po shtohet në mënyrë të frikshme.

Vetë ishit kur thanë që kërkojnë të hapin kutinë e të nxjerrin 1 kokërr ilaç apo dy kokrra, dy tableta ilaç medikamente sepse nuk arrijnë dot të blejnë asnjë tabak, jo më kutinë.

“80% e kutive i kam të hapura”, tha një farmacist. Për t’i dhënë pjesë – pjesë dhe ato me lista. Prandaj kemi propozuar rimbursimin e plotë të paketës së trajtimit Anti-COVID për të gjithë pacientët që trajtohen në shtëpi.

Apo siç njihen pacientët ambulatorë, sepse kjo kosto shkon në 600 mijë lekë minimumi. Minimumi 600 mijë lekë. Shkon deri në 1.5 milion lekë të vjetra. Ku do t’i gjejnë paratë? Ku do t’i gjejnë paratë të infektuarit që kanë humbur vendin e punës? Ku do t’i gjejnë paratë pensionistët për të paguar një faturë të tillë, të kripur? Ndaj kemi propozuar në planin tonë me 5 pika rimbursimin e këtyre shpenzimeve të diktuara nga pandemia. Të gjitha institucionet ndërkombëtare që merren me ekonominë, me financat kanë parashikuar rënie edhe më të madhe ekonomike për këtë vit dhe një situatë shumë të rënë ekonomike për vitin që vjen.

Sipas rishikimit ekonomik që ka bërë Banka Botërore të vjeshtës, është ulur ndjeshëm parashikimi për ekonominë shqiptare që pritet të shënojë një rënie  prej 8.4% nga 5% që ishte parashikimi i mëparshëm edhe siç e keni vënë re, rënia është edhe më e thellë sesa parashikimet e deritanishme.Ndërkohë borxhi publik po rritet, domethënë qeveria po vazhdon të marrë borxh, por këto para’ nuk içon tek njerëzit, nuk içon tek qytetarët.

Të njëjtën gjë ka thënë edhe FMN që rishikoi me ulje vlerësimin ekonomik nga m  -5 deri në -7,5%.

Banka Europiane për Rindërtim  edhe Zhvillim, e uli ndjeshëm parashikimin për rimëkëmbje në 2021-shin dhe e veçoi Shqipërinë nga të gjithë vendet e tjera të rajonit dhe nga vendet që mbulon si instuticion. Pse?

Pse Shqipëria do të ketë një krizë më të thellë edhe shanse më të pakëta për rikuperim, është fare e qartë, sepse ndryshe nga Kosova, ndryshe nga Maqedonia e Veriut, ndryshe nga Mali i Zi, për të mos shkuar tek të tjerët por tek tre fqinjët kufitarë tokësorë, jo anëtarë të Bashkimit Europian.

Këtu u fol për paketën e tretë edhe s’u dha asgjë ndërkohë ata kanë kaluar tek paketa e katërt e mbështetjes për qytetarët dhe për biznesin.

Cilat janë dy problemet kryesore që shkakton për ekonominë kjo krizë,rënien e konsumit dhe falimentin e biznesit.

Falimentimii biznesit rrit papunësinë, papunësia ul edhe më shumë konsumin, një rreth vicioz, një spirale që vjen duke rënë, duke rënë e duke rënë dhe këtu duhet dora e shtetit.

Sot duhet ndërhyrja e shtetit, sot duhen paratë e qeverisë të mbledhura me taksat e rritura për të shkuar te njerëzit e jo te të dyshuarit e zakonshëm, klientët e zakonshëm të qeverisë, çfarë po bëjnë këta?

Pikërisht të kundërtën, thotë “nuk kam burime financiare”, “nuk kam burime financiare për t’i siguruar bukën e gojës njerëzve që kanë humbur vëndet e punës edhe fëmijëve të tyre”, këtë thotë, e tha edhe sot, “nuk kam burime financiare për të mbuluar shpenzimet për maska dhepër dezifektantë për pensionistët”, se kollaj t’i thuash njerëzve mbani maskë, por maska duhet të blihet, se maska kushton para’, po ata që s’kanë për tëblerë bukën e gojës, ata që shkojnë e marrin dy tableta në farmaci edhe atë thonë “ma regjistro në listë”, me çfarë do ta blejnë maskën?

Po nuk i shkon në mend për ta, ja për kë i ka shkuar në mend Edi Ramës edhe javën e kaluar.

Kjo këtu është tabelë e pagesave të Thesarit të Shtetit të javës që po lëmë pas të kësaj jave.

Është një e dhënë e hapur që tregon dhe e aksesueshme nga ju përveçse ta bllokojnë pas kësaj konference për shtyp që tregon se në vetëm katër ditët e fundit janë paguar 2 milion euro për inceneratorët.

1.8 milionë euro  për inceneratorin e Fierit dhe 250 mijë euro për incerneratorin e Tiranës. 

Shkoni pak në Fier edhe shikoni ku është inceneratori.

Nuk ka incenerator në Fier. Ka një lëndinë të rrethuar nga një gardh dhe një kabinë sikur e ka bombarduar NATO.

Dhe për atë mënxyrë që është aty, ju, prindërit tuaj, gjithë shqiptarët kanë paguar deri më sot 24 milionë euro.

Para’ të taksave të tuaja që u janë dhënë kompanive fantazëm, të regjistruara si kompani guackë.

Plotë 24 milionë euro për diçka që as ekziston, as funksionon. 

“Kam burime financiare të limituara” – tha sot. “Nuk paguaj dot pensionistët. Nuk jap dot 160 mijë lekëshin që propozon Lul Basha për të papunët. Nuk jap dot  çekun 1 milionë euro për biznesin e vogël”, që mos të falimentojë edhe ta dyfishojë ushtrinë e të papunëve sepse paratë Edi Rama  i ka për  Klod Mërtirin, anëtarin e bandës së Lushnjes   që bashkë më Edi Ramën Arben Ahmetajn, Erion Veliajn dhe ndonjë drejtues mediash  janë  aksionerët dhe përfituesit  e kësaj   afere  të tmerrshme  korruptive.

Po nuk është vetëm Fieri, është edhe Tirana, është edhe Elbasani. A e dini sesa para janë paguar në total? Plot 74 milionë euro.

Çfarë mund të ishin bërë me këto 74 milionë euro që Edi Rama ia ka dhënë  inceneratorëve?

Për pensionistët, për të gjithë pensionistët shqiptarë.

Paketa jonë për 6 muaj ka një kosto totale prej 60 milionë euro, pak më e ulët se totali i pagesave për inceneratorët, që është 74 milionë euro.

74 mijë biznese janë pothuajse 2/3 e bizneseve të vogla aktive në vend, do të kishin përfituar bonusin prej 1 mijë euro.

Llogaritet që në Shqipëri aktualisht të ketë më shumë se 100 mijë biznese të vogla aktive. 74 mijë prej tyre do të kishin marrë bonusin 1 mijë euro për të mbajtur kokën mbi ujë këto 6 muaj.

Afro 100 mijë të papunë do kishin patur mundësinë të paguheshin me 16 mijë lekë të reja ose 160 mijë lekë të vjetra ne muaj.

Në vend që këto para të përfitohen nga një shumicë dërrmuese e shqiptarëve që po vuajnë efektet e krizës ekonomike, këto para’ Edi Rama vazhdon t’ua japë paratë tuaja, paratë e taksapaguesve, vazhdon t’ua japë inceneratorëve. Nuk ndalon këtu.

Një nga kompanitë më të përfolura për aferat korruptive me rrugët, merr një kontratë në kulmin e pandemisë për të ndërtuar 4 km tëRrugës Korçë-Leskovik me një kosto prej 5 milionë Euro kilometri. Nuk dua të ndalem më gjatë por qeveria dhe Edi Rama po shpenzojnë çdo ditë miliona Euro të taksave të shqiptarëve për t’i ndarë ato me klientët dhe oligarkët e zakonshëm.

Paratë janë, por paratë po vidhen. Kriza aktuale dhe që po thellohet nuk përballohet me llafe, kriza aktuale dhe pandemia nuk përballohet me gërr – vërre dhe gënjeshtra, as me konferenca për shtyp dhe as me theatro të dala mode.

I kam propozuar një plan konkret duke nisur nga mbështetja për shëndetësinë, rritja e testimeve, siguria për shkollat e deri te ndihma ekonomike për njerëzit e bizneset, ky nuk e bën, nuk i nxjerr lekët nga buxheti, nuk anullon asnjë koncesion, përkundrazi vazhdon t’i paguajë dhe në kulmin e pandemisë.

A është kjo diçka e re?Ju pyes ju si gazetarë,i pyes dhe qytetarët?

Absolutisht jo, është e vetmja qeveri në botë që dhe në situatën si ajo e tërmetin të 26 Nëntorin nuk ndalon vjedhjen. U ngrit gjithë bota të na ndihmonte me çfarë kishin mundësi dhe me fonde dhe qeveria e vendit ku kishte ndodhur fatkeqësia, vazhdonte vjedhjen dhe vazhdon vjedhjen, me fondet e tërmetit.

Shqiptarët janë akoma në çadra, ishim para disa ditësh bashkë dhe i pamë në Kurbin apo dhe në Bashkinë e Durrësit, akoma në çadra, me shiun që u futet brenda, pa asnjë ndihmë, as ndihmë ushqimore prej muajsh.

Pandemia, edhe qeveritë me mundësitë më të vogla në botë, edhe qeveria e Kosovës me buxhet sa gjysma e buxhetit tonë i dedikoi të gjitha fondet për pandeminë.

Çfarë bëri ky, ndonse i paraqitëm më 11 mars një plan masash të ngjashëm me këtë që paraqesim sot?

Kyi bëri tendera sekretë për të vjedhur në mes të pandemisë.

Kanë kaluar 6 muaj që kemi bërë kallëzimin penal dhe akoma nuk lëviz asgjë atje, është çështje tjetër.

Sot 2 javë pasi kemi shpalosur planin tonë me 5 pika për rimëkëmbjen dhe për t’i dalë përpara krizës që po thellohet, mund të thuhet me gojën plot se kemi një kryeministër dhe një qeveri që është e vendosur të injorojë interesin dhe nevojat akute të shqiptarëve dhe të vazhdojë vjedhjen.

Të dashur miq, të dashur qytetarë,

Ky është një problem jetik për vendin për të cilin unë zotohem dhe kërkoj një bashkim të madh shqiptarësh për ta zgjidhur me 25 prill.

Por dua të përsëris ato që kam dëgjuar me veshët e mi nga prindërit pa të ardhura, nga të papunët nga farmacistët, nga fermerët, nga sipërmarrësit.

Nuk pret koha deri në 25 Prill ndaj nëse këto 2 javë janë drejtuar me civilitet por me vendosmëri që të marrë planin dhe ta zbatojë, sot po i them që moszbatimi i planit me 5 pika që nuk është gjë tjetër veçse përgjigja e duhur në kushtet aktuale të Shqipërisë për të ndihmuar qytetarët.

Mos zbatimi i këtij plani e ngarkon Edi Ramën dhe ministrat e tij me përgjegjësi jo thjeshtë politike, por penale.

Dhe se çdo dëm i shkaktuar në jetë, në shëndet, dhe në ekonominë e vendit nesër, nuk do të jetë thjeshtë dhe vetëm një problem i madh për qytetarët, nuk do të jetë thjeshtë dhe vetëm përgjegjësi politike e këtyre që kemi akoma dhe për 6 muaj në drejtim të vendit, por ju siguroj që do të ndiqet me të gjitha format dhe mënyrat si përgjegjësi penale.

T’u marësh lekët qytetarëve, të mos ua kthesh atyre që kanë më shumë nevojë, në kohën kur kanë më shumë nevojë, portë vazhdosh t’i vjedhësh me një grusht oligarkësh, nuk është thjesht keqmenaxhim, nuk është thjesht keqqeverisje, nuk është thjesht korrupsion por është një krim i rëndë që duhet ndëshkuar, dhe sot zotohem që do të bëj gjithçka për ta ndëshkuar.

Por bëj thirrje dhe njëherë t’i verë gishtin kokës, të lerë llafet, planin me 5 pika e ka gati ta zbatojë, le ta marrë ta zbatojë, t’ia ndryshojë ngjyrat, fjalët, s’ka pikë rëndësie për mua, të ndalë menjëherë pagesat korruptive nga Thesari iShtetit dhe paratë t’i çojë urgjentisht tek njerëzit në nevojë.

Shteti ka mundësitë, Shqipëria i ka mundësitë, Shqipëria është një vend që ka mundësi ta përballojë këtë krizë po me aq dinjitet dhe mundesi për qytetarët sa Kosova dhe Maqedonia.

Shqipëria nuk është një vend i varfër por është një vend i vjedhur dhe i keqqeverisur.

Si gjatë dhe pas tërmetit, si gjatë pandemisë po ashtu dhe tani, ç’do vend tjetër po mëson nga gabimet, vetëm ky po vjedh sikur e nesërmja nuk do të gdhi më.

Dhe i bëj thirrje çdo qytetari, të ngrihet e të kërkojë të drejtën e tij.

Nuk është lëmoshë 160 mijë lekëshi për të papunët, është detyrim.

Nuk është lëmoshë 20 mijë lekëshi për pensionistët, është detyrim.

Nuk është lëmoshë të merren masat për të mbrojtur stafin shëndetësor, personelin shëndetësor, mjekët, infermierët, është detyrim, nuk është lëmoshë.

Paketa e rimbursimit 100% për ilaçet Anti Covid të atyre që i marrin në shtëpi minimum 600 mijë lekë për person është detyrim.

Nuk po i kërkojmë të bëjë asnjë nder portë paktën në këtë moment krize të thellë të bëjë detyrimet minimale para shqiptarëve të paktën në këto muaj krize të thellë të ndalë vjedhjen, batërdisjen dhe korrupsionin që për 7 vite e ka sjellë Shqipërinë në këtë gjendje dhe që është shkaku kryesor pse ekonomia jonë është më keq se ekonomia e çdo vendi tjetër të rajonit dhe pse mundësitë e ekonomisë për tu ripërtërirë me këta në krye janë 3, 4 herë më të vogla se sa të çdo vendi tjetër të rajonit duke nisur me vendet kufitare.

Pyetje: Pak më parë Kryeministri ka prezantuar se duke filluar nga dita e hënë do të hëhet e detyrueshme mbajtja e maskave edhe në ambientet e hapur edhe në rrugë, dhe në rast të kundërt qytetarët do të gjobiten. Si e shihni ju këtë masë të vendosur nga kryeministri? Pyetja e dytë. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor tanimë janë votuar nga parlamenti dhe koalicionet nuk do të funksionojnë më siç kanë funksionuar deri tani. A ka një plan opozita se si do të organizohet koalicioni i opozitës së bashkuar në zgjedhjet e ardhshme? Do të dilni me një listë? Me dy lista? Cilat janë opsionet që keni në tryezë?

Lulzim Basha: Dua ta mbaj të gjithë vëmendjen tek pyetja e parë për të cilën jemi mbledhur sot. Për tjetrën jam shprehur dhe nuk i heq asnjë presje asaj që kam thënë. Është diçka që është kontestuar dhe do të kontestohet nga PD dhe opozita e bashkuar, por nuk ka formulë që ta shpëtojë Edi Ramën nga ndëshkimi i merituar që e pret me votë.

Tani të kthehemi tek çështja e parë që shtrova.

Dy javë më parë kemi kërkuar që qeveria të marrë masa për valën e dytë të pandemisë. Ka dalë me dhjetëra herë në ekran dhe ka sulmuar opozitën, Partinë Demokratike dhe mua personalisht në vend që t’i vinte gishtin kokës, t’i vinte veshin propozimeve tona mqse vetë është pa ide dhe pa pikë motivimi për t’i shërbyer njerëzve, por e ka të gjithë mendjen në këtë kohë të mbushë xhepat e tij dhe të klientëve të tij dhe t’i dilte përpara të keqes. Kaq ishte e gjitha. Dili përpara të keqes. Po t’i kishte vënë veshin më 11 mars propozimit tonë, nuk të kishim qenë në këtë ditë që jemi nga pikëpamja ekonomike dhe nga pikëpamja e shthurjes totale të sistemit shëndetësor. E rraskapitjes së personelit shëndetësor. E infektimit masiv të personelit shëndetësor. Të njëjtën gjë i thamë edhe para dy javësh nga kjo sallë, ku isha bashkë me ekipin që kontribuoi në hartimin e planit me 5 pika për rimëkëmbjen. Dhe pika e parë e planit, nqse ju kujtohet, t’i marrim me rradhë mqse më pyetët;

  • Mbështetja dhe përgatitja e sistemit shëndetësor. Përgatitja për një shpërthim tjetër të infeksionit të Covid 19 duke rritur numrin e testimeve për Covid 19 me 2500 testime në ditë.
  • Rimbursimin e plotë për marrjen e mjekimit ambulator kundër Covid 19.
  • Sigurimin e pajisjeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve spitalore.

Ja ku e ke, dy javë më parë ia kemi kërkuar.

Bonusi prej 1 mijë eurosh për çdo mjek dhe 500 euro për infermier për 6 muajt e ardhshëm.

Për të gjithë, sepse të gjithë po përballen dhe duhet të përballen dhe të jenë pjesë e përballjes me pandeminë.

Ja ku e ke pikën e tretë; Sigurimin e pajisjeve mbrojtëse. Çfarë ka bërë? Më thuaj i nderuar, përfaqësues i Euroneës Albania, çfarë ka bërë? Ju e ndiqni. Të gjithë ju e ndiqni. Çfarë ka bërë dy javë që kur e kemi bërë këtë kërkesë? Dhe del sot dhe thotë; Do mbani maska se ndryshe do ju gjobis? Po ata që s’kanë para për të blerë bukën e fëmijëve, me çfarë do t’i blejnë maskat? Përse s’i ke marrë masat në rradhë të parë për maskat për personelin shëndetësor pastaj për maskat për mësuesit dhe për fëmijët, falas, t’i paguajë shtetit.

Ja ku e ke përgjigjen.

Se shuma që do të mjaftonte, do të të tepronte për të blerë maska për të gjithë ata që nuk kanë lek për bukë. Vetëm këtë javë i ka shkuar 2 milionë euro inceneratorëve. Live jemi? Live jemi apo jo? Se mos ndodh ndonjë gjë, në ndonjë studio, i këputen këmbët dhe i bie leva ndonjë televizioni? Se nuk i japin në lajme inceneratorët me ndonjë përjashtim, dhe turp të kenë. Ja ku e keni. 2 milionë euro. Me këto para mund të ishin siguruar mjaftueshëm maska mbrojtëse për një numër shumë të madh personash me rrezik të lartë, duke filluar me pensionistët, personelin shëndetësor, me mësuesit dhe fëmijët.

Pika e dytë.

Fëmijët të arsimohen të sigurtë. Të garantojnë që fëmijët dhe mësuesit në shkollë të jenë të sigurtë duke përmirësuar kushtet sanitare në shkolla, 70% e të cilave akoma nuk kanë ujë të rrjedhshëm. Me çfarë do t’i lajnë duart? Duke përfshirë furnizimin me ujë, pajisjen me maska mbrojtëse dhe dezinfektimin e rregullt të ambienteve mësimore.

E mban mend që u shpalos këtu me një ekran të madh që ta shikonin të gjithë shqiptarët. Por vetëm ai mbyll sytë. Dy javë më parë e kam kërkuar këtë dhe del sot dhe thotë: Vendos maskën ose do të të gjobis. Po ata që nuk kanë para’ për t’u blerë maskën fëmijëve? Për çfarë u duhet qeveria nqse në këtë ditë nuk jep ndihmën që kemi propozuar, midis të tjerave edhe për të pajisur me maskat mbrojtëse apo dezinfektantë për të larë duartm, sepse një shishe dezinfektant për 3 mijë lek, për 2 bën 6 mijë lek. Po ai që ka 50 mijë lek ndihmë ekonomike, po ai që ka humbur çdo të ardhur dhe ka 4-5 muaj që jeton me borxhe, e kupton. S’e kupton, sigurisht se çfarë do të thotë mos të kesh mundësi t’i blesh bukën e jo më maskën apo dezinfektantin.

Kryerjen e testimit periodik për mësuesit dhe stafin ndihmës. “Jo, nuk duhet”…. Kosova e bën. Se ata janë “budallenj”, këta të “mençurit” këtu, “nuk duhet” dhe e keni parë se si ka shpërthyer nëpër shkolla.Kemi kërkuar investimin në tekonologji për raste ku mund të aplikohet mësimi në distancë, sepse situata mund të çojë edhe në vendet më të zhvilluara, drejt nevojës për të ndërmarrë masa drastike dhe këtu kemi kërkuar që për familjet me të ardhura të ulta të blihen tableta për fëmijët e tyre që të mos kenë shkëputje dhe ta kenë të mundur mësimin në distancë.

Pika tre e planit me 5 pika që kemi propozuar prej dy javësh.

Asnjë shqiptar të mos lihet pas dore. Të mbështesim ata që kanë humbur vendet e punës. Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekësh të reja në muaj përpos pagesës ligjore për papunësinë për një periudhë prej 6 muajsh.

Krijimi i një fondi punësimi në mbështetje të bizneseve për të rimarrë në punë të larguarit gjatë pandemisë duke i alokuar çdo punëdhënësi që punëson çdo individ që ka humbur vendin e punës një shumë mujore prej 20 mijë lekësh të reja në muaj për një periudhë gjashtë mujore.

Bashkë ishim tek Myslym Shyri, e mbani mend, kur më tha një nga pronarët e biznesit se: “I hoqa, kisha dy të punësuar, i hoqa, s’ia dal dot”. E pyet veten kryeministri se me çfarë jetojnë ata që dy që u hoqën nga puna dhe qindra mijëra të tillë anembanë vendit? Jo. Ja ku e ka propozimin, 20 mijë lek për çdo punëmarrës që të rimarrë në punë atë që ka hequr nga puna.

Dyfishimin e ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike, që prapë nuk mjafton. Por të paktën për këto shpenzimet shtesë mqse do bëhet edhe maska me detyrim dhe po s’e vure do të të vërë gjobë Ed Rama. Se për gjoba është i vetmi.

Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekësh të reja në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë për gjashtë muaj. Ja ku e ka propozimin. Dhe po ta bënte këtë realitet, mund të thoja që me këtë 20 mijë lekësh edhe një pensionist mund ta blejë një maskë, por tani ku pensionisti e ka lakun në fyt dhe pensioni nuk i del pas ilaçeve dhe faturës së energjisë dhe nuk i del as për të ngrënë bukë. Ti çfarë bën? Ti i thua, do të të gjobis po dole pa maskë? Po siguroja maskën.

Ndihma për biznesin e vogël. Mbështetja e drejtpërdrejt për të gjithë bizneset e vogla të prekura nga pandemia, me një çek prej 1 mijë euro për çdo biznes të vogël aktiv, për të gjithë periudhën gjashtë mujore, 1 çek, vetëm një herë, 1 mijë euro. Nuk do bëjmë mrekulli, por do të jetë një farë suporti. Se taksat ka shkuar dhe ia ka marrë kokërr më kokërr siç e dëgjuat nga bizneset e Tiranës. Dhe ato pagat e luftës që iu dha, i kanë dorëzuar si pagesa të sigurimeve apo taksa lokale. Të paktën të mos falimentojnë, të mos i shtohen ushtrisë së të papunëve.

Pika e pestë:

Mbështetja për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj që konsiston nga dy propozime:

Për gjaashtë muajt e ardhshëm subvencionimin 50% të qerasë për ambientet e punës ose heqjen e taksës së pronës për ata që janë pronarë të ambienteve të punës, që këto para t’i mbajnë për t’u dhënë rrogat në vend që t’i heqin nga puna ata që kanë në punë, dhe shtrirja në kohë dhe rikonceptimi i kritereve të përfitimit gat ë dy skemat e garancisë sovrane për ta bërë më të përballueshme dhe më të aksesueshme kredimarrjen nga biznesi ku kemi kërkuar një tavan prej 2% të normës së interesit për biznesin dhe subvencionimin e çdo përqindje mbi këtë vlerë sa i përket kredimarrjes për investime dhe për shpenzime operative dhe mbajtjen me zero përqind të interesit për ata që duan të shkojnë në bankë të marrin lekët për të paguar punëtorët e tyre. Në fakt është hapi i parafundit para mbylljes së biznesit.

Ky propozim ka dy javë mbi tavolinë, ka dy javë që siç e keni parë e kanë mësuar edhe shqiptarët kudo ku kemi shkuar planin me 5 pika.

I vetmi që nuk ia ka vënë veshin dhe që na del sot dhe thotë “vëre maskën përndryshe të vura gjobën” është njeriu që paratë që dalin e teprojnë për këto 5 masa ua jep ditë për ditë klientëve të tij.

 Pyetje: Ju thatë që kriza nuk kalohet me konferenca për shtyp.

A keni komunikuar ju me z.Rama për tu ulur për të komunikuar planin tuaj me 5 pika, meqë e keni gati dhe për të zgjidhur këtë krizë? Pasi ai është shprehur për t’ju dëgjuar, madje jo vetëm kaq por edhe për t’ju shpëtuar nga LSI-ja.

Pyetje: Nëse Partia Socialiste, z.Rama ju propozon që të qeverisni bashkë pas 25 prillit, do të pranonit?

Lulzim Basha: Ne duhet ta kemi të qartë dhe të tregojmë minimumin e të kuptuarit të politikës, siç e kupton çdo qytetarë, që llafet kot i merr era.

Ky plan është publik.

Ky plan nuk është sekret.

Po të ishte Edi Rama në vendin tim, do të fërkonte duart dhe do të thoshte “le të shtrihen barkas njerëzit”, “le të mbushen spitalet”, “keq e më keq të shkojë puna se ishalla po vij në pushtet”. Ky është Edi Rama.

Ndërsa kjo nuk është përpjekja ime e parë për të korrigjuar diçka; për interesin e njerëzve, jo për interesat e mia, për interesat e shqiptarëve, për interesat e atyre që kanë mbetur pa një kacidhe për shkak të krizës.

Siç e kupton e nderuar znj. Beleshi këto janë dy përqasje krejtësisht të papajtueshme. Ai e po përdor pushtetin për të dëmtuar shqiptarët dhe për të pasuruar klientët e tij.

Ndërsa kërkesa ime ultimative është të ndalë këtë sjellje kriminale dhe paratë e shqiptarëve të mos ua japë oligarkëve por t’ua kthejë shqiptarëve, se sot kanë nevojë më shumë se kurrë, se kjo nuk pret për 25 prill.

Sa për 25 prillin e di farë mirë se ç’e pret dhe po ta përsëris ty dhe kujtdo që e kanë merak apo atyre që e qarkullojnë javë pas jave.

Pas 25 prillit Edi Ramën nuk e pret asgjë tjetër përpos gjykimit qytetar dhe vendosmërisë time për të bërë të mundur që drejtësia të bëjë punën e saj dhe ta ndëshkojë për çdo krim dhe aferë korruptive që ua ka nxirë jetën këto 7 vite.

Kjo dhe vetëm kjo është shpëtimi i Shqipërisë, jo vetëm nga përgjegjësi për këtë situatë por edhe nga kushdo tjetër që mund të mendojë pas tij se mund të bëjë çfarë ka bërë ai me shqiptarët dhe t’ia hedh pa lagur. Jo, 25 prilli nuk do të jetë thjesht dhe vetëm fillimi i një ndryshimi, por do të jetë fundi i pandëshkueshmërisë. 

Pushtetet janë ndërruar edhe më parë por pandëshkueshmëria ka vazhduar dhe për këtë pa diskutim përgjegjës jemi edhe ne.

Unë po ju përsëris diçka për të cilën jam zotuar para shqiptarëve, më 25 prill merr fund jo vetëm një regjim i korruptuar që ua ka bërë jetën ferr shqiptarëve, që nuk ka mbajtur asnjë premtim, i ka varfëruar, i ka shpunësuar, i ka kthyer të dytët pas sirianëve si azilantë në Europë, por më 25 prill merr fund edhe kultura e pandëshkueshmërisë.

Kush ka vënë dorë në interesin publik të shqiptarëve, në pasuritë e shqiptarëve, në taksat e shqiptarëve dhe ka cenuar rëndë jetën, shëndetin, punësimin dhe shpresën e tyre do të marrë ndëshkimin e merituar me ligj.

Pyetje: Ju dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike prej kohësh keni qenë në terren duke publikuar dhe shqetësimet e qytetarëve, ndërkohë për maxchorancën këto shqetësime janë të inskenuara. Rasti konkret është një video e publikuar nga zëdhënësja e Partisë Demokratike ku publikon qytetaren në Njësinë Nr.4 që tregon edhe problematikat e saj pasi është dëmtuar nga tërmeti. Sipas bashkisë zonja nuk ka as emrin e njëjtë siç është publikuar në videon e PD. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Kryeministri, pas vizitës tuaj në një thertore në Lushnje, ku sipas tij kompleksi i tregtimit të kafshëve ka marrë një financim prej 300 mijë euro, duke përgënjeshtruar atë që thatë ju në vizitë atje. Si qëndron e vërteta, kë duhet të besojnë qytetarët?

Lulzim Basha: Ju keni një mundësi që nuk e kanë shumica e njerëzve, të shkoni të investigoni si qëndron e vërteta. Por mendoj se një qeveri që harxhon gjysmën e kohës duke ndjekur pas kryetarin e opozitës dhe duke montuar, duke bërë montazh të videove për të treguar shqiptarëve që; ne jetojmë në një vend me rritje ekonomike, me 300 mijë vende pune, me shëndetësi falas, me fermerë të lumtur nga subvencionet, flet vetë dhe s’ka nevojë për komentet e mia. Kjo tregon që kjo është një qeverie mbaruar, në çdo kuptim.

Të vërtetat nuk fshihen dot, as nuk manipulohen dot nga ekipet e montazhit dhe të propagandës së Edi Ramës.

Të vërtetat janë aty, siç kam shkuar unë mund të shkoni edhe ju t’i vini mikrofonin atyre dhe gjithë të tjerëve që ta kuptoni që e vërteta e flluskës së Edi Ramës ku ndodhet bashkë me një grusht servilësh, klientësh dhe oligarkësh, kriminelësh nuk ka asgjë të përbashkët me realitetin ku jetojnë shqiptarët, të cilin ne po e tregojmë ditë për ditë me fakte dhe me prova, ku siç e sheh flasin ata nuk ka nevojë të flas unë. E vërteta flet vetë.

Pyetje: Z.Basha kryeministri Rama sot në konferencë nuk e përjashtoi mundësinë e një mbylljeje të dytë nëse qytetarët nuk do të respektojnë masat dhe situata do të përkeqësohet. Cilat do të ishin pasojat e një skenari të ri për tu rimbyllur?

Lulzim Basha: E gjithë përpjekja jonë ka qenë për të shmangur diçka të tillë. Të gjitha propozimet tona edhe plani me 5 pika është për të shmangur diçka të tillë.

Kur ti nuk bën asgjë, nuk merr asnjë masë, ndërkohë që vendet e tjera kanë paketën e katërt të ndihmës, po e them edhe një herë, jo vetëm që je fajtor për situatën, por je përgjegjës për situatën, je ti që e ke bërë të vijë puna deri këtu.

Në qoftë se ti nuk merr masa për të ndihmuar dhe mbrojtur personelin shëndetësor, nëse ti nuk merr masa për të ndjekur siç është e duhur përmes testimeve ecurinë e vërtetë të epidemisë por e cakton në zyrë shifrat dhe numrat që do të shpallësh, ndonëse e vërteta ulëret kudo.

Në qoftë se ti nuk merr masa për të mbrojtur ekonominë nga kolapsi total, aq më shumë kur ta kemi kërkuar publikisht, opozita e vendit ta ka kërkuar publikisht dhe jo thjesht ta ka kërkuar por të ka treguar si ta bësh. Dhe ti nuk e ke marrë, nuk e ke bërë jo sepse nuk ke mundësi, por sepse ke bërë këtë, sepse lekët ia ke dhënë inceneratorëve, ia ke dhënë kontratave me 5-fish çmimin, të ndërtuesve fantazëm me të cilët ndan paratë.

Shqiptarët kanë nevojë për bukë, ti tallesh me ta dhe thua “do tu bëj aeroport në çdo qytet”. Kësaj i thonë ‘fluturon gomari’. Po gomari i Ramës mund të fluturojë por shqiptarët e kuptojnë shumë mirë nuk janë budallenj. Ka vetëm një përgjegjës për situatën ku ndodhemi. Ka vetëm një përgjegjës në qoftë se shkojmë një kolapsi edhe më të thellë.

Gjithë propozimet e mia, gjithë plani im me 5 pika ka patur dhe ka vetëm këtë qëllim: të ndalë rrokullisjen në atë situatë ku tani ky del dhe na e profetizon dhe e vetmja masë që merr është të thotë “të vë gjobën por nuk vure maskën”.

Ky është mjerimi i një qeverie të kapitulluar që ka braktisur çdo detyrë sa i përket pandemisë dhe

ekonomisë. Dhe po bën vetëm një gjë: vjedhjen dhe batërdisjen e buxhetit të shtetit në ditët e fundit të kësaj qeverie.

Pyetje: Pyetje e dytë lidhet me faktin që ju si kryetar opozite keni vlerësuar një situatë kritike që na pret 6 muajt e ardhshëm. Si e keni lexuar një konflikt me një retorikë gati banale midis presidentit dhe kryeministrit ditët e fundit, përballë një situate të tillë?

Lulzim Basha: Shqetësimi im kryesor është fati i shqiptarit të thjeshtë. Shqetësimi im kryesor është fakti që 90 përqind e shqiptarëve sot janë të kërcënuar në të ardhurat e tyre minimale. 45 përqind e shqiptarëve janë të kërcënuar tek buka e fëmijëve, tek buka e gojës. Shqetësimi im është që 70 përqind e biznesve nuk dalim më as fit e fit, por shkojnë drejt humbjes. Shqetësimi im janë 100 mijë të papunë që po shtohen e do të shtohen dita ditës. Shqetësimi im është shëndetësia në kolpas dhe rraskapitja e mjekëve dhe infermierë, heronjve tanë që nuk trajtohen si heronj, por trajtohen si argatë nga një qeveri që nuk mban fjalën, nuk mban premtimet. Këto janë shqetësimet e mija. Të tjerat, jo vetëm që nuk ndihmojnë në zgjidhjen e këtyre problemeve, por përdoren si një alibi për të tërhequr vëmendjen nga hallet e vërteta të shqiptarëve. Këto janë hallet e vërteta dhe unë nuk e kam as luksin dhe as moralin të merrem me diçka tjetër.

Pyetje: Paratë e korrupsionit siç edhe ju e denonconi, me shumë gjasë mund të përdorën për zgjedhjet, ndërkohë për herë të parë ndoshta pas 20 vitesh është bërë një kod i njëanshëm elektoral, gjithashtu ka një ndarje kaotike të votuesve. Me të gjitha të dhënat ju po shkoni në një palë zgjedhje që mund të mos plotësojnë standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme, çfarë ju bën optimist zoti Basha se do të dilni fitues me 25 prill?

Lulzim Basha: Për të gjitha problemet që shprehet do të keni komunikim të rregullt, duke filluar besoj nga java e ardhshme, ndoshta edhe ditë për ditë, nga grupi i punës që është ngritur nga PD dhe Opozita e Bashkuar për këto çështje. Ndërsa nevoja ulëritëse për ndryshim kurrë nuk ka qenë më e qartë. Sfida e vetme që kam unë dhe Partia Demokratike, është që tu tregojmë shqiptarëve në mënyrë bindëse se Shqipëria i ka mundësitë për të dalë nga kjo krizë, se rruga që ne propozojmë i bën këto mundësi realitet dhe se forca e bashkimit për ndryshim është e pandalshme nga një pakicë e pakicës së pakicës, ditët e së cilës janë të numëruara.

Pyetje: Në kushtet kur plani me 5 pika i propozuar dy javë më parë nga ju, mund të mos merret në konsideratë nga kryeministri Edi Rama, cila është lëvizja e rradhës së opozitës pasi gjatë konferencës për shtyp pashë që iu drejtuat me një thirrje qytetarëve nga të cilët kërkuat që të bëjnë atë që u takon. Keni bërë thirrje për protestë, për kryengritje popullore, për ta kuptuar më qartë?

Lulzim Basha: Pa diskutim që çdo formë reagimi është legjitime ndaj një qeverie që ka braktisur detyrën e saj, dhe në kohën e pandemisë dhe të krizës vazhdon të bëjë të vetmen gjë që ka bërë këto vite dhe që është arsyeja se pse kemi ardhur këtu: të shkelë premtime, të mbushë xhepat, dhe paratë e taksave të shqiptarëve që kanë sot më shumë nevojë se kurrë, sot, sot, jo pas 25 prillit sepse pas 25 prillit kemi planë të tjera, këto para vazhdon ti vjedhë e ti shpërdorojë në vend që ti çojë aty ku ka nevojë. Tani dua tju kujtoj diçka elementare që ndoshta edhe në mënyrë të investuar harrohet edhe nga njerëzit: opozita fjalën ka për të denoncuar, fjalën për të paraqitur alternativen dhe si asnjë opozitë tjetër në Ballkan dhe pak opozita në Europë, fjalën për ti dhënë një qeverie pa ide, pa vizion, pa motivim, të lodhur dhe të zhytur deri në fyt në reumatizëm politik, në korrupsion dhe në vjedhje, një plan për të mos e lënë vendin të rrëshqasë në kolaps total. Të tjerat për fatin e keq të shqiptarëve nuk janë në dorën tonë deri kur shqiptarët të na besojnë me votë, atëherë përgjegjësia e jonë nuk është fjala, por është vepra.

Pyetje: Zoti Rama ju ka quajtur pasagjer VIP në një tren të udhëhequr apo që ka timonier zotin Ilir Meta. Pse mendoni se e ka bërë këtë paralelizëm dhe a mendoni se zhvendosja e betejës politike në arenën Rama-Meta po e zbeh rolin tuaj si lider i opozitës së bashkuar?

Lulzim Basha: Nëse Edi Rama do ti kushtonte një të dhjetën e kohës dhe energjive që harxhon për të menduar batuta të lodhura, gërr-vërre bajate me të cilat mbush ekranet, për të ndihmuar njerëzit, as ti, as familja jote, as të afërmit e tu, as komshinjtë e tu dhe as shqiptarët në nevojë nuk do ti ndjenin pasojat e krizës kaq thellë. Nëse do të harxhonte një të dhjetën e kohës duke bërë detyrën e tij, edhe pa ide, edhe pa vizion, në qoftë se do të ndiqte propozimet tona që nuk i kemi shpikur ne por i kemi nxjerrë nga përvojat më të mira të rajonit dhe të Europës, të aplikuara për kushtet e Shqipërisë, sot shumë prej problemeve që kanë dalë jashtë kontrollit do të ishin nën kontroll. 100 mijë të papunë! Çfarë përgjigje ka Edi Rama?! Pensionistë që pasi paguajnë dritat dhe ilaçet nuk kanë më para për të blerë bukën e gojës, jo më maska. Çfarë përgjigje ka Edi Rama për këta?! Sipërmarrja e vogël që shkon kokëposhtë drejt falimentimit, çfarë masash ka marrë Edi Rama për këtë?! Konsumi që bie ditë për ditë, njerëz që me lista shkojnë blejnë gjysëm buke, një domate dhe një shishe dhallë për një familje me 4 veta. Çfarë përgjigje ka Edi Rama për këtë?! Këto janë përgjegjësitë e Edi Ramës, se përgjegjësitë e një klouni cirku janë të tjera. Atij po, jo vetëm i lejohet por e ka për punë të bëjë klounin që të zbavisë fëmijët. Ky nuk zbavit dot as fëmijët e vet me batutat e lodhura dhe me gërr vërret, dhe në asnjë mënyrë, harroje ti se mbulon këto të vërteta apo iu heq vëmendjen shqiptarëve nga vuajtja dhe dhimbja e përditshme që është ulur këmbëkryq në shtëpitë e tyre.

Pyetje: Ju zoti Basha keni prezantuar planin me 5 pika për 6 muajt e ardhshëm që ende nuk është marrë parasysh nga Rama, ndërsa nga ana tjetër deklaroni se me 25 prill do të largohet qeveria Rama. Kur do ti prezantoni drejtuesit e qarqeve të cilët kanë një rol mjaft të rëndësishëm për zgjedhjet?

Lulzim Basha: Për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me organizimin e PD dhe me procesin zgjedhor do të kemi një komunikim të përditshëm me mua dhe me të gjithë të tjerët që janë përgjegjës për këtë çështje. Sot kemi diçka tjetër si temë kryesore dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj.

Ju faleminderit! Punë të mbarë!