Mjeku i njohur: Shqipëria po tregon që nuk teston, nuk ka transparencë as për vaksinën e gripit

Në lidhje direkte me edicionin e pasdites në Syri Tv, mjeku Erion Dasho, është ndalur fillimisht te shifrat e ulëta të testimeve në Shqipëri.

‘Nuk është vetëm shifra më e ulët. Po të shikosh grafikun, vendi sipër nesh është 7.1 përqind, që do të thotë se vendin ynë ka testime dyfish më të ulëta.

Kjo është katastrofike. Që do të thotë që vendi ynë, nuk teston.

Por ajo që është më qesharake, është se ne shikojmë në media, përfaqësues të qeverisë, dje ishte Ministrja e Financës, që deklaroi se sipas Komitetit të Ekspertëve, që nuk është nevoja të testosh.

Kjo është një situatë qesharake.

Ndërkohë që shqiptarët sot dëgjojnë OBSH-në që thotë testo.

Qytetarët shqiptarët shikojnë se nëse duan të testohen I drejtohen sektorit privat, ku paguajnë 100 euro për test.

Ndërkohë që Aeroporti i Stambollit e ofron testin në mjedisin e aeroportit për 15 euro.

Ndërkohë që shqiptarët me të ardhurat më të ulëta e paguajnë testin në privat me 100 euro.

Pra ka kaluar të gjithë parametrat e mundëshem e kontrollit të epidemisë, dhe në krahun tjetër të përballosh edhe një demagogji të tillë është revoltuese

Po të dëgjosh përfaqësuesit e shtetit duket sikur çdo gjë shkon vaj.

Kur në fakt është e kundërta.

Shqiptarët marrin cilësinë më të ulët të shërbimit në Shqipëri.’

Mjeku Dasho ndërkohë komentoi edhe vaksinën e gripit, duke thënë se qeveria e ka sjellë me vonesë dhe nuk ka bërë transparencë për vendin nga e ka sjellë.

‘Fakti është që vaksina e gripit ka filluar ti jepet shtresave vulnerabël është për t’u vlerësuar.

Ajo që duhet parë është vonesa, sepse në vendet e Evropës jepet në dy javët e para të shtatorit

Unë uroj të administrohet, për ta çuar atë te përfituesi.  

A e ka certifikatën apo jo, unë nuk dua ta vë në dyshim këtë element.

Të paktën për vaksinat ka qenë mbështetja teknike e OBSH që ka arritur të ruajë një standard teknik.

Ajo që vë në dyshim është transparenca.

Ministria e Shëndetësisë gjatë kohës së pandemisë nuk ka bërë asnjëherë transparencë ku blihen testet kovid.

Nëse ne si specialist nuk dimë markën e testeve, duhet t’u shpjegojmë qytetarëve nëse janë brenda standardeve.

Kështu ndodh edhe me vaksinën e Covid.

I gjithë ky informacion duhet ndarë me publikun shqiptar, mbi produket që u ofrohen’, tha mjeku Dasho.