Ministri gjerman: Negociatat me Maqedoninë e Veriut i hapim sivjet, për Shqipërinë ka kushte…

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, ka deklaruar se si kryesues të Presidencës së Bashkimit Evropian kanë planifikuar mbajtjen e Konferencës së Parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave brenda këtij viti si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë.
Z. Maas bëri një deklaratë të tillë gjatë Forumit Ballkanik Kundër Antisemitizmit, duke konfirmuar një fakt të tillë për Maqedoninë e Veriut, kurse për Shqipërinë e la të varur nga plotësimi ose jo i kushteve.

“Ne hapëm dyert për bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kemi në plan që Konferencën e Parë të Anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut ta mbajmë para mbylljes së Presidencës Gjermane. Dhe – nëse kushtet do ta lejojnë – edhe me Shqipërinë”, deklaroi ministri i Jashtëm i Gjermanisë.

Duke folur për të rinjtë, emigracionin dhe sfidat demografike të Ballkanit Perëndimor, ai theksoi se, se, migracioni nuk mund të ndalet dhe se ata që kanë tentuar ta bëjnë kanë dështuar, por nga ana tjetër theksoi se, “nuk mund t’i mbyllim sytë ndaj problemeve, që shkakton “rrjedhja e vazhdueshme e trurit” në Ballkanin Perëndimor”.

Ai iu referua të dhënave të revistës “The Economist”, ku parashikohet se deri në vitin 2050 popullsia e Bosnjës, Shqipërisë dhe Serbisë do të tkurret me 1/3 e saj ndërsa një studim i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal tregon se, 71 % e të rinjve në vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke marrë në konsideratë lëvizjen jashtë vendit.

“Është në interesin tonë të përbashkët strategjik, që vendet tuaja të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Aty është vendi i tyre. Aty shumica e të rinjve tuaj duhet të shohin të ardhmen e tyre. Dhe nëse BE nuk vjen tek ata, do të jenë ata që do të shkojnë në BE. Numrat flasin vetë. Në vitin 2001, para se të bashkoheshin me BE-në, 75 për qind e të rinjve rumunë donin të largoheshin prej vendit të tyre. Sot, dy të tretat e tyre dëshirojnë të qëndrojnë. Shpresojmë të shohim të njëjtin zhvillim edhe në Ballkanin Perëndimor”, tha ministri i Jashtëm gjerman.

Z. Maas deklaroi më tej se, për shkak të pandemisë shumë kompani po planifikojnë një zhvendosje të tipit “nearshore” të bizneseve të tyre prodhuese dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor janë në pozicionin ideal për këtë qëllim. Ai nënvizoi se, baza për investime të suksesshme janë reformat për të ulur korrupsionin dhe burokracinë.

Për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, deri tani janë katër vende që janë shfaqur skeptike. Bëhet fjalë për Francën, Holandën, Danimarkën dhe Spanjën. Madje, parlamentin holandez ka kërkuar më shumë prova për plotësimin e kushteve, duke i drejtuar disa pyetje qeverisë shqiptare.