Kryemadhi: Rama po tenton pazare që të shpëtojë kokën e tij…

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha se, gjatë qeverisjes së Edi Ramës më shumë janë krijuar polici, se sa lehtësira për qytetarët dhe bizneset.

Kryemadhi tha se, në PS dhe në elektoratin e majtë, angazhimi i kreut të Qeverisë, tregon panikun që ka ai.

“Rama po tenton të largohet nga debati mbi inceneratorët apo rafineria, që përbëjnë debatet reale. Sulmet që Rama i bën Metës janë një ftesë që Kryeministri në ikje po bën për pazare që ai të shpëtojë kokën e tij”, tha Kryemadhi.

Referuar aferës së inceneratorëve, Kryemadhi tha se, ai në Elbasan nuk ka bërë as 100 ditë punë nga momenti kur është thënë se u vu në punë dhe kjo tregon se e gjithë kjo është një aferë që favorizon një biznesmen të lidhur me qeverinë. Kryemadhi tha se nuk mban përgjegjësi për asnjë njeri lidhur me inceneratorët.

“Petrit Vasili ka denoncuar që në fillim këtë aferë, ndërsa Lefter Koka ka tentuar përmes strukturave të LSI të na mbyllë gojën. Por secili mban përgjegjësi për veten e tij”, tha Kryemadhi.

Përsa i takon strategjive elektorale të opozitës së bashkuar, pasi Kodi Zgjedhor me ndryshimet e miratuara ndalon koalicionet parazgjedhore, Kryemadhi tha se, formulat apo strategjitë nuk shtojnë votat në kutitë e votimit.

“Të jeni të bindur se forca e opozitës është shumë më e madhe se taktikat që synon të ndjekë Rama”, tha Kryemadhi.