Konflikti në Nagorno Karabakh

Një intervistë me Profesor Carlo Frappi

Të dielën e kaluar, më 27 shtator, kanë filkluar përleshjet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për kontrollin e rajonit të Nagorno Karabakh. Bëhet fjalë për eskalimin më të rëndë nga lufta 4 ditore e 2016, duke përfshirë të gjithë vijën e frontit dhe përdorimin e mjeteve të artilerisë së rëndë dhe këmbësorisë. Sulmet kanë prekur edhe zona përtej kufijve të të vetëshpallurës Republikë e Nagorno Karabakh dhe, sipas deklaratave, midis viktimave numërohen edhe civilë: të dy vendet kanë vendosur ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme.

Për një analizë më të thelluar dhe një vizion më të qartë të asaj që po ndodh, kemi intervistuar Profesor Carlo Frappi, hulumtues në Universitetin Ca’ Foscari të Venezia dhe Associate Research Fellow për Observatorin Rusi, Kaukaz dhe Azi Qendrore të ISPI (Institutit për Studime të Politikës Ndërkombëtare).

Duke parë se konflikti i Nagorno Karabakh zvarritet qysh nga 1988, pse përleshje në shkallë kaq të gjerë kanë shpërthyer pikërisht tani? Duke parë përleshjet e mëparshme të ndodhura më 2020, a mund të pritej një eskalim i tillë?
Rifillimi i përplasjeve ushtarake midis Armenisë dhe Azerbajxhanit ishte fatkeqësisht e parashikueshme. Konflikti i shkurtër i korrikut kishte evidentuar qartë një hop cilësor në përkeshje që nuk kish sesi të mos ngjallte preokupim, edhe të nesërmen e pushimit të luftimeve. Këtu nuk i referohem vetëm teknologjisë më të përparuar ushtarake dhe tipologjisë së armatimeve të përdorura. Parasëgjithash i referohem klimës që ka shoqëruar dhe ndjekur përleshjet, valëve të nacionalizmit që kanë përshkruar transversalisht shoqëritë civile armene dhe azere, në vend, ashtu si edhe jashtë tij, ku përplasje të përsëritura janë verifikuar thuajse në të gjitha vendet kryesore që mirëpresin përfaqësues të tyre. Njëkohësisht, i referohem një përplasjeje verbale midis përfaqësuesve institucionalë të të dyja vendeve që ka ardhur duke u thelluar në vend që të ridimensionohej gjatë javëve që kanë pasuar konfliktin.
Në se këtij kuadri i shtohet mosveprimi substancial dhe, do të shtoja, tradicional i bashkësisë ndërkombëtare dhe i ndërmjetësuesve përpara këmbanave të ndryshme të alarmit që binin në rajon, atëhere kuptohet sesi rindezja e konfliktit ishte një rezultat thuajse i pritur.

Më 29 mars të 2019 është mbajtur në Vjenë takimi i parë zyrtar midis liderit armen Pashinyan dhe atij azer Aliyev, ku të dy liderët qenë impenjuar t’i reduktonin luftimet përgjatë vijës së kufirit. Çfarë ka ndryshuar: cilët janë elementët që kanë çuar në përplasjen aktuale në shkallë të gjerë?
Personalisht do të përqëndrohesha në dy dinamika domethënëse të lidhura që janë prodhuar gjatë 2 vjeçarit të fundit. Nga njëra anë është sigurisht zhgënjimi progresiv i atyre (dhe qenë shumë, si në rajon, ashtu edhe jashtë tij) që kishin shpresuar se i ashtuquajturi Revolucion i Kadifenjtë armen i 2018, afirmimi politik i Nikol Pashinyan dhe marxhinalizimi i të ashtuquajturit Klan të Karabakh [Drejtimi i mëparshëm armen, me origjinë nga rajoni. Shënimi im.] do të mund ta lehtësonin rrugëtimin drejt një zgjidhjeje paqësore të konfliktit.
Megjithatë, pavarësisht sinjaleve inkurajuese, platforma reformiste e Pashinyan nuk është përkthyer një një pozicion negociiues më të hapur, në një prirje më të madhe ndaj kompromisit, që i vetëm do të mund të kontribuonte në prishjen e ngërçit diplomatik. Përkundrazi, në disa aspekte ka përfunduar duke qenë pengesë. Faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe të brendshëm kanë kontribuar në këtë dinamikë – nga polarizimi institucional i brendshëm tek raportet po aq të vështira me diasporën – mbetet megjithatë fakti që retorika dhe iniciativat e Kryeministrit armen nuk janë shkëputur nga ato të paraardhësve të tij.

Me “faktorin zhgënjim” lidhet elementi i dytë që më duket i dobishëm për t’u përmendur. I referohem këtu ndjenjës në rritje të frustrimit të autoriteteve të Azerbajxhanit përpara ngrirjes së perspektivave të zgjidhjes paqësore të konfliktit. Për Baku – nw mënyrë koherente me parime dhe parashikime të dokumentave të miratuara deri më tani nga institucionet ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit – riafirmimi i plotë i sovranitetit mbi Nagorno Karabakh dhe distriket limitrofe me të nën pushtim nuk është i negociiueshëm. Ashtu siç nuk është e negociiueshme e drejta e kthimit në të njëjtat zona e të shpërngulurve të brendshëm [sipas të dhënave të Bankës Botërore, në dhjetorin e 2019 mbi 350000. Shënimi im.]. Në këtë perspektivë, përzierja eksplozive e frustrimit dhe e çinteresimit të dukshëm t[ bashkësisë ndërkombëtare ka gjeneruar një koniukturë ku iniciativa ushtarake mbetej alternativa e vetme e përshkueshme për të rimarrë me forcë atë që po me forcë i ishte marrë, domethënë – objektiv minimal i mundshëm i sulmit ushtarak – për ta rilançuar negociatën e paqes mbi baza të ndryshme.
Nga ana tjetër, drejtuesit më të lartë institucionalë azerë – nga Aliyev e poshtë – po theksonin haptaz prej vitesh se, pavarësisht preferencës dhe mbështetjes të dhënë zgjidhjes paqësore të konfliktit, opsioni ushtarak mbetej ultima ratio për afirmimin e të drejtave të tyre mbi zonën. Kushdo sot që habitet apo indinjohet prej operacionit ushtarak të gjerë dhe natyrisht të panifikuar të ndërmarrë nga Azerbajxhani – nga ky këndvështrim, pak ka rëndësi nëse në përgjigje ndaj një provokimi armen ose jo – nuk ka sesi të mos quhet hipokrit.

Në planin e brendshëm të dy vendeve kaukaziane, sipas jush, sa këto përleshje mund të jenë funksionale më politikat e brendshme e të dyjave, në një situatë krize dhe të rënduar nga pandemia?
Efekti rally ’round the flag, për të cilin kriza dhe konflikte ndërkombëtare përfaqësojnë në periudhë afatshkurtër instrumenta agregimi dhe forcimi konesnsusi përreth forcave qeverisëse, është një aksiomë e padiskutueshme e politikës ndërkombëtare dhe, si e tillë, vlen edhe në rastin që po diskutojmë. Por, siç e thashë edhe më lart, ngjarjet dramatike që po asistojmë gjatë këtyre ditëve kanë rrënjë më të thella dhe prandaj nuk do të kërkoja lidhje të rastësishme me situatën aktuale. Nga ana tjetër, nuk duhet nënvlerësuar efekti dhe qasja tipikisht nacionaliste që e mbështet rrezikon të bëhet kundërprodhuese atëhere kur shpresat e gjeneruara do të zhgënjeheshin: kështu që në këtë perspektivë ekziston rreziku që mund të përkthehet në një faktor të mëtejshëm radikalizimi të përplasjes në zhvillim.

Në planin ndërkombëtar, deri në çfarë mase janë të përfshirë aktorë të jashtëm të tillë si Turqia, Rusia, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara? Sa ka gjasa që Moska të ndërhyjë përkrah Armenisë nëpërmjet CSTO (Aleanca e Traktatit të Sigurisë Kolektive)?
Në të kaluarën aktorët ndërkombëtarë kanë pasur një rol të konsiderueshëm në konflikt, që sot e ruajnë vetëm pjesërisht. Midis atyre të sipërpërmendur, Rusia mbetet aktor kryesor: në ndryshim nga të tjerët, ka në lojë në zonë interesa jetike që ravijëzohen përgjatë një ndërthurjeje komplekse dinamikash të brendshme e të jashtme. Rusia mbetet aktori i vetëm me aftësi reale influence në zonë. Influencë që e ushtron jo pa ambiguitete të dukshme duke dialoguar me (dhe duke u shitur armë) të dyja palëve, duke i ofruar Armenisë garancinë kryesore të sigurisë së jashtme dhe, ndërkohë, duke u imponuar si ndërmjetës kryesor në konflikt, sa në kuadër multilateral të OSBE, aq edhe në atë bilateral.
Aktorët e tjerë të përmendur kanë një rol më marxhinal, që buron nga resurset më të kufizuara të forcës respektivisht Moskës – ky është rasti i Turqisë – ose nga mosgadishmëria e marrjes së një roli më aktiv në rajon. Është ky në fakt rasti i Shteteve të Bashkuara, që të paktën qysh nga lufta ruso – gjeorgjiane e 2008 kanë marrë një pozicion më të tërhequr, dhe i vetë Bashkimit Europian, që duke filluar qysh atëhere është treguar e çinteresuar apo e paaftë (pak ndryshon për qëllimet e analizës) që të bëjë të ndjehet pesha e tij, në rajon në përgjithësi dhe në konfliktin në Nagorno-Karabakh në veçanti.
Për sa i përket CSTO, nuk më duket se ekzistojnë kushtet që të mund të përdoret “klauzola e asistencës reciproke”, për arsye juridike më parë akoma se politike. Republika Armene nuk është dhe ka të ngjarë (urojmë) nuk do të jetë kurrë e sulmuar. Konflikti mbetet i “kufizuar” brenda territorit sovran të Azerbajxhanit, që nga ana e tij nuk do të kishte asnjë interes dhe asnjë përfitim nga zgjerimi i operacioneve ushtarake.
Thënë këtë, spostimi i vëmendjes ndaj aktorëve të jashtëm rrezikon që ta tërheqë vëmendjen nga vetë thelbi i konfliktit, që është dhe mbetet një konflikt etno – territorial midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Domethënë nuk jeni dakord me ata që e paraqesin konfliktin si një përplasje fetare midis Armenisë kristiane dhe Azerbajxhanit mysliman?
Sigurisht që jo. Konflikti i Nagorno-Karabakh nuk ka të bëjë adspak me përkatësinë fetare. Kjo narrativë – e lindur me vetë konfliktin dhe e mbijetuar qysh atëhere prej një përzierje inercishë dhe konveniencash propagandistike – vuan “mëkatin fillestar” që është imponuar në një fazë, në mesin e viteve ’90, ku teoria e “përplasjes së qytetërimeve” ishte dukshëm shumë e përhapur, të paktëm aq sa njohja e pakët e zonës, jo vetëm në opinionin publik ndërkombëtar, por edhe në shumë prej kancelarive të përfshira në titull të ndryshëm në konflikt. Në këtë fazë, në rrënjosjen e kësaj narrative ka kontribuar veç të tjerash edhe përplasja ruso – turke që atëhere ravijëzohej mbi shpatullat e atij armeno – azerbajxhanas. Por edhe në këtë rast ishte solidariteti panturk në vend të atij islamik ai që forconte aksin Ankara – Baku.
Konsideratave të mësipërme do t’i shtoja një element të mëtejshëm, të nxjerrë nga instikti latent islamofob nga ana e opinionit publik perëndimor. Instikt që sigurisht nuk ka arsye të ekzistojë në rastin specifik të Azerbajxhanit, vend thellësisht shekullar institucionet e të cilit janë ngritur tradicionalisht mbi shtyllën e laicitetit dhe që ka përjetuar të njëjtin proces ndërtimi identitar dhe kombëtar të mbështetet qysh nga ‘800 mbi shekullarizimin e jetës sociale, kulturore e politike të komunitetit të vet. Kështu që supozimi i përplasje fetare është e privuar nga çdo lloj baze.

Duke u kthyer tek dimensioni ndërkombëtar, çfarë roli mund të ketë Grupi i Minskut?
Në se shikojmë nga e ardhmja e konfliktit, është qartazi një prej nyjeve qendrore dhe, ndërkohë, më të koklaviturat për t’u zgjidhur. Ai i Grupit të Minskut është dukshëm një mekanizëm i lodhur më parë akoma se joefikas, që megjithatë ofron një format negociiues tashmë i gatshëm, i kolauduar dhe i pajisur me parime për zgjidhjen e konfliktit të miratuara nga palët [të ashtuquajturit Parime të Madridit, shënimi im.]. Dhe, për pasojë, është mekanizëm i vështirë për t’u zëvendësuar, kështu që mbetet pika e detyrueshme e referimit për të gjithë aktorët e përfshirë.
Përtej joefikasitetit të provuar të Grupit të Minskut për t’ua forcuar dorën palëve ndërluftuese lidhur me respektimin e parimeve tashmë të miratuara, mendoj se dobësia e mekanizmit negociiues buron parasëgjithash nga qënia demode e tij. Domethënë po flasim për një format që në formën aktuale të tij është përcaktuar në mesin e viteve ‘90, duke pasqyruar logjika bashkëpunimi dhe konkurrenca forcash në Kaukazin jugor thellësisht të ndryshme nga këto aktuale. Vetë përbërja e Bashkëpresidencës së Grupit [Shtete të Bashkuara, Rusi, Francë. Shënimi im.] ka pak kuptim në skenarin aktual: Shtetet e Bashkuara dhe Franca – në çimpenjim të parët, asnjëherë realisht influentë të dytët – duken gjithnjë e më pak të besueshëm dhe, në çdo rast, sigurisht jo në gjendje të balancojnë peshën e Rusisë, për të cilën tashmë kemi diskutuar. Mendoj se një refektim më i madh ndaj ekulibrave aktualë të forcës dhe influencave rajonale është kusht i domosdoshëm për çfarëdolloj mekanizmi që do përdorej, tash e prapa, në ndërmjetësim.

Për ta mbyllur, si kjo përplasje mund t’i kompromentojë ekulibrat në rajon?
Në termat e rezervave natyrore, rëndësia e zonës së kontestuar midis Armenisë dhe Azerbajxhanit nuk është e tillë sa të mund të spostojë ekuilibrat rajonalë, cilido qoftë fati i saj. Ajo merr rëndësi më shumë në kuadër të konstruksionit kombëtar të ndërluftuesve sesa tjetër, në terma jomaterialë më shumë sesa materialë. Nga ana tjetër, është e vërtetë se konflikti në zhvillim dhe reagimi i aktorëve të jashtëm mund të çojë në një ripozicionim të pjesshëm të tyre në lojën diplomatike dhe strategjike rajonale.
(nga Geopolitica)

Përgatiti
ARMIN TIRANA