Infektohet me Covid-19 personeli në QSUT, mjeku jep alarmin: Rrezikojmë përhapjen te pacientët, nuk ka teste

Ditën e sotme, pesë punonjës të Shërbimit të Hemodializës në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Lajmi konfirmohet nga mjeku i njohur i këtij shërbimi, Ahmet Duraku që thotë se prej 4 ditësh i është drejtuar Shefit të Shërbimit me një kërkesë për të nisur hetimi epidemiologjik, por që nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.

Mjeku nuk e përjashton mundësinë që infeksioni të jetë përhapur nga stafi mjekësor tek pacientët, por për ta vërtetuar këtë duhet që të gjithë të shtruarit dhe bluzat e bardha t’i nënshtrohen testit.

Durakut i kujton qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë se pikërisht një prej grupeve më të rrezikuara nga COVID-19 janë të sëmurët që trajtohen në Qendrën e Hemodializës.

Një maskë e thjeshtë kirurgjikale në fytyrën e doktorit është i vetmi mjet mbrojtës përballë virusit vrasës.

Doktori apelon se në asnjë rast pacientët nuk duhen të shtrohen në spital pa kryer më parë testin për COVID-19.

Në emër dhe të kolegëve të tij, doktor Ahmed Duraku i kërkon qeverisë të investojë për të mbrojtur mjekët dhe infermierët si dhe të lëvrojë pagën e luftës për të gjithë bluzat e bardha pasi përballë përhapjes komunitare të virusit i gjithë personeli shëndetësor ndodhet në vijën e parë të betejës.

Burime për mediat thonë se në spitalin COVID 2 janë të paktën 2 mjekë të tjerë të diagnostikuar me koronavirus, të cilët ndodhen të karantinuar në shtëpi.

Që prej shpalljes së pandemisë, virusi vrasës sars cov 2 i ka marrë jetën 8 punonjësve të shëndetësisë, mjekë dhe infermierë./ Balkanweb/