Gjiganti i përgjumur zgjohet

Tridhjetë vjet pas bashkimit, Gjermania po mban mbi supe më shumë përgjegjësi. Por ka edhe shumë më tepër për të bërë

Margaret Thatcher i druhej dhe e kundërshtonte haptazi ribashkimin e Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore. François Mitterrand thuhej se kishte të njëjtat shqetësime, megjithëse e pranonte se ishte e pashmangshme. Giulio Andreotti përsëriste vazhdimisht shakanë e famshme: se e donte aq shumë Gjermaninë, saqë dëshironte të kishte dy të tilla. Megjithatë, pavarësisht rezervave të udhëheqësve britanikë, francezë dhe italianë në 1990, një shtet i ri u krijua 30 vjet më parë, më 3 tetor.

Me 80 milionë njerëz, ai u kthye menjëherë në vendin më të populluar dhe ekonominë më të fuqishme në një Europë që deri atëherë kishte katër aktorë kryesorë afërsisht të barabartë. Që atëherë, burra shteti dhe studiues, janë marrë me problemin se si duhet të trajtohet hegjemoni ngurrues në zemër të Europës. Si duhet të udhëheqë Gjermania pa qenë dominuese? Në të vërtetë, pas tmerreve të nazizmit, a mund t’i besohet roli i udhëheqësit?

Tridhjetë vjet më vonë, ribashkimi gjerman ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm. Gjermanët Lindorë u çliruan nga zgjedha e rëndë e komunizmit. Me vetëm tre kancelarë në tre dekada, Gjermania e re dhe liberale, ka qenë e qëndrueshme dhe pragmatike. Ajo ka mbështetur zgjerimin e Bashkimit Europian në lindje dhe krijimin e euros. Ka treguar një rritje të fortë, madje spektakolare, në kontinent – të paktën deri në ardhjen e Covid-19.

Europa i mbijetoi krizës ekonomike të viteve 2007-‘08, panikut të euros në 2010-‘12 dhe valës së migracionit në 2015-‘16. Gjermania ka ushtruar një ndikim më të ulët se ç’mendonin skeptikët, megjithëse europianët e jugut në borxhe, janë ende të hidhëruar për qëndrimin dorështrënguar në epokën e krizës.

Nën kancelarët e saj të ardhshëm, Gjermania do të ketë nevojë për më tepër ambicie. Kjo nevojë është më e theksuar kur bëhet fjalë për sigurinë. Shpenzimet ushtarake po rriten, por mbeten shumë më poshtë se 2% e PBB-së që supozohet se duhet të kontribuojnë anëtarët e NATO-s.

Edhe brenda Partisë Kristian Demokrate të kancelares Angela Merkel, kjo është një çështje e ndjeshme; edhe më tepër për partnerët e koalicionit të saj, Partinë Social Demokrate dhe të Gjelbrit, të cilët mund të ndihmojnë në formimin e koalicionit qeverisës pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Më e rëndësishmja, Gjermania ka qenë shumë e kujdesshme në politikën e saj ndaj Rusisë dhe Kinës, duke u përpjekur të vendosë interesat komercialë përpara atyre gjeopolitikë.

Një shembull i tillë është ndërtimi i Nord Stream 2, një tubacion gazi që lidh Rusinë me Gjermaninë. Kjo dëmton interesat e Ukrainës, Polonisë dhe shteteve baltike, por deri tani, zonja Merkel nuk ka pranuar ta anulojë, pavarësisht sjelljes së papranueshme të presidentit Vladimir Putin. Ajo gjithashtu nuk ia ka vënë shumë veshin anëtarëve të partisë së saj që paralajmërojnë se është shumë e rrezikshme të lejohet firma kineze Huawei, për të furnizuar Gjermaninë me pajisje telekomunikacioni 5G.

Gjithsesi, vihen re shenja ndryshimi. Së fundmi u raportua se zonja Merkel kishte shkuar për të vizituar liderin rus të opozitës, Alexei Navalny në një spital në Berlin, ku ai po shërohej nga helmimi (zoti Putin pretendon se është helmuar vetë). Huawei do të përballet me pengesa më të thella burokratike në Gjermani nga sa ishte parashikuar më parë, dhe zonja Merkel duket se po shfaq dyshime për Nord Stream 2, megjithëse të zbehta.

Ajo duket se po e pranon gjithnjë e më tepër argumentin e Emmanuel Macron se Amerika po bëhet një aleat i pasigurt, dhe se Europa duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar veten, pa marrë parasysh se kush do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Kjo nuk do të thotë se do të kemi një Gjermani më të fortë që udhëheq një Europë më këmbëngulëse, por është një zhvendosje në drejtimin e duhur.

Në mënyrë të ngjashme, Gjermania duhet të bëjë më shumë në frontin ekonomik. Pandemia ka arritur atë që nuk e bëri dot kriza e euros, duke i detyruar vendet më të pasura të BE-së të tregojnë më shumë solidaritet me vendet më të varfra. Marrëveshja e arritur në verë për të ngritur një fond rimëkëmbje prej 750 miliardë eurosh (880 miliardë dollarë) që do të financohet nga borxhi i përbashkët, ka qenë një ndryshim thelbësor që Gjermania deri vonë, nuk do ta kishte lejuar.

Më shumë se gjysma e fondit do të jepet si grante në vend që të shtojë edhe më shumë borxh te borxhlinjtë e mëdhenj. Fondi mund të vonohet; por është një shenjë që Gjermania më në fund po mban përgjegjësitë e saj. Do të nevojiten më shumë nga këto masa 30 vitet e ardhshme nëse bashkimi i monedhës së Europës, dhe ndoshta edhe vetë BE, do të mbijetojnë. Por Bundesrepublik po rritet.