Gazetarja i vë flakën vetes përballë Ministrisë së Brendshme

Një redaktore lajmesh në Rusi i dha fund jetës duke i vënë zjarrin vetes përpara zyrave të ministrisë së Brendshme në qytetin e Nizhniy Novgorod, raportojnë mediat lokale.

Irina Slavina më herët shkroi në Facebook: “Fajësoni Federatën Ruse për vdekjen time”. Ajo tha të enjten se policia kishte ushtruar kontroll në banesën e saj duke i sekuestruar kompjuterë dhe dosje me materiale.

Slavina ishte kryeredaktore e faqes së lajmeve në internet KozaPress. Motoja e medias është “lajmet dhe analizat” dhe “pa censurë”.

Autoritetet deri më tani nuk kanë bërë asnjë koment mbi çështjen. Vitin e kaluar, redaktorja u gjobit për “mosrespektim të autoriteteve” në një nga artikujt e saj. /BBC