Flet babai i njërit prej 3 të zhdukurve në Malësi të Madhe: U dëgjuan të shtëna në Razmë, në 3 të natës erdhi…

Nush dhe Gjelina Pepaj janë prindërit e Klement Pepaj, i cili rezulton të zhdukur që prej 3 Tetorit dhe dyshohet se mund të jetë vrarë nga kushëriri i tij Danjel Pepaj. Duke folur para mediave, u shpreh se janë dëgjuar krisma armësh, por nuk kishte dijeni për konfliktet e të birit.

“Nuk dimë asgjë për ta. Policia ka bashkëpunuar me ne. Njëri është djali im, tjetri djali i dajës. Sipas tjerve, kanë qenë në Razëm. Unë me djalin kam komunikuar vazhdimisht, ndoshta ka pasur konflikte po s’mi ka shfaqur mua.

Ne nuk kemi ditur gjë vetëm kur ka ardhur policia në 3 të natës. Atë natë nuk kishim as drita. Pyetën ku është Keli, pamë dhe nuk ishte aty. Na thërritën në rajon të policisë. Ne nuk dinim asgjë.

Policinë e ka denoncuar Olsi Cutaj sepse ka marrë vëllain në telefon dhe nuk i ka dalë. Të gjithë jemi të afërm. Ky djali i kushëririt tim thonë që ka pasur konflikt, kanë marrë drejtim të malit dhe asnjëri nuk është kthyer deri tani vec nëse i gjen policia se nuk di më gjatë. Klement ka ardhur para një viti se e kanë ekstradua nga Zvicra, ka qenë në Francë një herë, ka punuar në një kioskë të vogël në Razëm.

Jo se është djali im, por ka punuar sa ka pasur mundësi. Kam frikë mos e ka implikuar njeri me ndonjë problem. Sipas versionit që i kanë thënë disa bashkëfshatarë policisë se kanë pasur probleme droge. Të saktë nuk e di, por sipas policisë, djali i djalit të axhës, Danjeli është parë me armë. Ndërsa për djalin tim dhe Vilsonin tim nuk di asgjë. Këto janë thjesht thënie, unë nuk e di të vërtetën se nuk kam qëllime konfliktesh se është gjaku im.

Jo se nuk ka bashkëpunuar policia me ne po i kërkoj Ministrit të Brendshëm që të vërë në dispozicion gjithcka nga toka, nga ajri që edhe nëse është i vdekur, të dimë që që ti sjellë kufomat tek shtëpia. Këtë ia kërkoj Ministrit, kryeministrit, forcave të rendit të Shkodrës dhe më gjatë.

Deri nga ora 4 që kam pasur bashkëpunim vazhdimisht me policinë, mendoja se e kam djalin në shtëpi se vonohet ngaqë pi kafe me shokët. Kur më kanë thirrur jemi policia e Malësisë së Madhe, i kam thënë prisni sa të vishem se nuk kishte as drita. Me një cakmak me dritë jam cuar, jemi munduar të vishemi me grua e vajzë, na kanë pritur në Malësi të Madhe. Nuk kam ditur të ketë pasur konflikt. Më thanë që janë përleshur në Bajzë”, thanë familjarët.

Ndërkohë policia vijon kontrollet në zonat e thella për gjetjen e trupave të Klement Pepaj dhe Vilson Cutaj.

Njoftimi: Më datë 04.10.2020, rreth orës 17:30, në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe,  ka bërë kallzim shtetasi O. Ç., banues në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe,  se  me datë 03.10.2020, rreth orës 15:00, ka humbur kontaktet me vëllain e tij shtetasin V. Ç. 37 vjeç, banues në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, dhe me dy afërmit e tij (kushërinjë) shtetasit K. P. 21 vjeç, dhe D. P. 25 vjeç, të dy me banim në fshatin Vrith, Malësi e Madhe.

Shërbimet e Policisë pas  kallzimit të bërë nga shtetasi O.Ç, kanë nisur kontrollet për gjetjen e këtyre shtetasve.