Ekzekutohet me plumb në kokë 50-vjeçari në Fier, po çonte gruan në punë…

Një 50-vjeçar u ekzekutua mëngjesin e sotëm në Fier rreth orës 06:00, në lagjen “Sheq i Madh” teksa po çonte si çdo dite gruan në punë.

Nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Ahmet Toska, 50 vjeç, banues në lagjen “Sheq i Madh”, baba i dy fëmijëve, djalë e vajzë. Raportohet se ai punonte në një pikë karburanti.

Ky i fundit është vrarë me armë zjarri, 200 metra pranë banesës së tij, ndërsa dëshmitare është bërë gruaja e tij, e cila ka parë të gjithë skenën.

Ndërkohë që autori fill pas krimit është larguar, ndërsa ulërimat e gruas kanë alarmuar lagjen.

Viktima ishte duke përcjellë gruan e tij për në punë, ashtu si për çdo ditë, ndërkohë që një person i paidentifikuar e ka qëlluar me armë zjarri nga afër në kokë.

Një banore në pranë lagjes ku u ekzekutua 50-vjeçari, shprehet se ai nuk ishte njeri problematik. Ajo thotë se bashkëshortja e tij punonte në një furrë buke.

“Në mëngjes më tha djali që u dëgjuan të shtëna me armë zjarri. Ahmeti ishte njeri i mirë. Nuk e di shumë mirë se ku punonte. Gruaja punonte tek një furrë buke”, thotë një banore.

Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe po punon për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje daljet e qytetit dhe po vijon krehja e zonës nga shërbimet e Policisë Fier dhe FNSH Fier.