E emëruara e Trump për Gjykatën e Lartë, rol deçiziv për vendimin e votimit me postë në zgjedhje

Të mërkurën ligjvënësit demokratë ushtruan edhe një herë presion ndaj kandidates për Gjykatën e Lartë Amy Coney Barrett për të marrë përgjigje rreth një çështjeje të rëndësishme që lidhet me kujdesin shëndetësor për miliona amerikanë. Në ditën e tretë përpara komisionit Jurik të Senatit, pjesë e një procesi për konfirmimin e saj, zonja Barrett përsëriti se ajo nuk ka ndonjë qëndrim antagonist ndaj Aktit të Kujdesit të Përballueshëm, apo ligjit për kujdesin shëndetësor të miratuar gjatë administratës Obama. I ashtuquajturi Obamacare pritet të përballet me një sfidë ligjore përpara gjykatës më të lartë të vendit, më 10 nëntor.

“Një gjykatës duhet jetë mendje-hapur, në çdo hap”, u tha zonja Barrett senatorëve të mërkurën. “Nëse do të thoja thjesht se si mendoj unë se duhet zgjidhur një çështje, vetëm se e kam parë, nuk do të bëja gjë të tjetër veçse do të krijoja një qark të shkurtër të të gjithë procesit përmes të cilit duhet të kalojë një çështje”, tha ajo.

Edhe të martën gjatë një seance prej rreth 12 orësh e emëruara e zotit Trump për Gjykatën e Lartë, nuk pranoi t’u përgjigjet kur u pyet se si ajo do të vendoste mbi mosmarrëveshje të ndryshme ligjore me të cilat do të përballej nëse konfirmohej.

Por zonja Barrett u tha anëtarëve të komisioni Juridik të Senatit se ajo nuk do të lejonte që pikëpamjet e saj personale apo fetare të përcaktonin vendimet e saj.

“Unë nuk kam axhendë”, tha zonja Barrett të martën. “Do të zbatoj ligjin”, shtoi ajo.

Senatorët e pyetën zonjën Barret nëse në rast konfirmimi do të ishte e gatshme të hiqte dorë nga shqyrtimi i një mosmarrëveshjeje të mundshme ligjore lidhur me zgjedhjet e 3 nëntorit, pyetje së cilës zonja Barret nuk pranoi t’i përgjigjet.

Presidenti Trump po përpiqet të fitojë një mandat të dytë katër-vjeçar përballë ish-nënpresidentit demokrat Joe Biden. Presidenti ka kritikuar votimin masiv me postë dhe ka thënë se dëshiron që gjykata të ndihmojë për të vendosur mbi rezultatin e zgjedhjeve. Presidenti, i cili renditet pas zotit Biden në sondazhet kombëtare, thotë se dëshiron që zonja Barrett të konfirmohet për të shmangur një bllokim të mundshëm të një vendimi mbi çështjen e zgjedhjeve në 4 me 4, për shkak të vendit bosh të krijuar në gjykatë.

Të martën zonja Barrett tha se ajo nuk ka zhvilluar asnjë bisedë me Presidentin Trump apo stafin e tij mbi atë se cili do ishte vendimi i saj lidhur me një mosmarrëveshje mbi zgjedhjet. Ajo shtoi se zhvillimi i një bisede të tillë do të kishte qenë joetik për të si një gjykatëse federale e apelit.

Nëse konfirmohet 48-vjeçarja Barrett do t’i sigurojë gjykatës një shumicë të fortë konservatore 6 me 3 në dekadat që vijnë. Zonja Barrett do të zëvendësojë gjykatësen e ndjerë Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq muajin e kaluar në moshën 87 vjeçare. Kritikët demokratë druhen se zonja Barrett do të votojë për të zhbërë shumë nga reformat e mbështetura nga zonja Ginsburg, përfshirë të drejtën e abortit dhe të drejtën e homoseksualëve për t’u martuar e për t’u trajtuar në mënyrë të barabartë në shoqërinë amerikane.

Senatori Graham e quajti emërimin e zonjës Barrett “një nga zgjedhjet më të shkëlqyera që Presidenti Trump mund të bënte”. Ai parashikoi të hënën se të 12 republikanët e komisionit do të votojnë të gjithë në favor të emërimit të saj me votat kundër të 10 demokratëve. Udhëheqësit republikanë thonë se kanë mjaftueshëm vota në Senat për konfirmimin e saj.

Zonja Barrett siguroi zotin Graham se pavarësisht se familja e saj zotëronte armë, ajo do të gjykonte dhe vendoste me drejtësi “mbi një rast të tillë” duke kërkuar kufizime më të rrepta lidhur me pronësinë mbi armët që garantohet nga amendamenti i dytë i Kushtetutës. Në mënyrë të ngjashme, zonja Barrett tha si gjyqtare e gjykatës së apelit ajo e kishte lënë mënjanë besimin e saj si katolike e devotshme duke marrë vendime sipas ligjit amerikan dhe se do ta bënte këtë sërish edhe në Gjykatën e Lartë. Por ajo nuk bëri asnjë koment konkret kur u pyet se çfarë vendimi do të merrte në në rastin e abortin, të cilin Kisha Katolike e kundërshton.

“Do të ishte e gabuar për mua si gjykatëse ta thosha një gjë të tillë”, i tha zonja Barret senatores Feinsteinit. “Unë duhet të vendos kur çështjet të paraqiten para meje. Në asnjë mënyrë nuk mund të angazhohem paraprakisht për të gjykuar një çështje. Do të zbatoj ligjin”, tha ajo.

Sipas parashikimeve kryetari i komisionit Juridik ka caktuar një votim fillestar të enjten mbi emërimin e saj. Kjo do të mundësojë miratimin përfundimtar të zonjës Berret javën e ardhshme dhe një votim nga Senati me shumicë republikane para fundit të muajit, vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve presidenciale.