Dita e pestë e grevës së urisë/ Flet naftëtari që përfundoi në spital: Nuk e di si jam, do rikthehem në grevë pavarësisht…

Aleksandër Mejdani është naftëtari nga Ballshi që u dërgua me urgjencë në spital pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore teksa qëndronte në grevë urie me të tjerë punëtorë. Ai ka folur para mediave duke thënë: “Nuk e di si jam. Ndjej këputje e më dha goditje zemra. Do rikthehem mes shokëve edhe nëse shëndeti s’më lë, do jem nga mëngjesi në darkë aty”.

Mësohet se Mejdani vuan edhe nga tensioni, diabeti dhe kushtet ku janë vendosur stimulojnë shfaqjen e shqetësimeve të naftëtarëve grevistë.

Sipas raportimeve për Fax Neës 10 naftëtarë së bashku me bashkëshortet e tyre kanë vendosur të mos ndalen derisa të zbatohet vendimi gjyqësor që detyron kompaninë të shlyejë detyrimet e prapambetura karshi tyre.

Naftëtarët e Ballshit prej shumë muajsh vijojnë protestat e tyre pasi kanë pa marrë pagat e tyre si dhe kërkojnë rifillimin e punës në këtë rafineri me kontrata të vlefshme.

Greva e kaluar zgjati 12 ditë po në këto ambiente të qendrës shëndetësore pranë uzinës Ballsh ku naftëtarët morën pagat e prapambetura, por mbetën sërish të papunë.