Dilema e shumë prindërve: A duhet këtë dimër t’i vaksinojnë fëmijët kundër gripit?

Duke pasur parasysh pandeminë e coronavirusit, mjekët e shumë vendeve të botës gjithnjë e më shumë pajtohen për atë që në fillim të sezonit të gripit të vaksinohen edhe fëmijët

Infektologu gjerman Bernd Salzberber, mjek në Spitalin Universitar në Regenesburg, thotë që mbrojtja e gjysheve dhe gjyshave është një ndër arsyet për shkak të të cilave vaksinimi i fëmijëve është ide e mirë, sepse kombinimi i gripit dhe i COVID-it do të mund të jetë fatal për personat e moshës së tretë.

Shumica e mjekëve pajtohen me këtë, ndërkaq Qendra Amerikane e Kontrollit dhe e Preventivës së Sëmundjeve (CDC) thotë që “vaksinimi kundër gripit në sezonin 2020 – 2021 është më i rëndësishëm deri tani”.

Megjithatë, shumica e prindërve hezitojnë, transmeton Telegrafi.

Njëra ndër arsyet është fakti që fëmijët e moshës shkollore relativisht mirë e përballojnë gripin, thekson Salzberger.

Mirëpo nëse fëmija “e merr” virusin në kopsht apo në shkollë, mund ta bartë te anëtarët e moshuar të familjes të cilët gripin shumë më vështirë e përballojnë. Dhe nuk duhet harruar që coronavirusi ende është kërcënim i madh, thotë infektologu gjerman.

– Është e mundshme të kesh coronavirusin dhe gripin njëkohësisht dhe kjo assesi nuk është situatë e mirë. Vaksinimi kundër gripit thjesht zvogëlon një pjesë të rrezikut. Ajo është sigurt për fëmijët mbi gjashtë muaj, thonë ekspertët e Institutit “Robert Koch”, qendër gjermane e kontrollit të sëmundjeve.

Ideale do të ishte, thonë mjekët, të vaksinohen diku rreth fundit të tetorit dhe fillimit të nëntorit, sepse efekti optimal mbrojtës shfaqet dy javë më vonë dhe pastaj ngadalë dobësohet në tre muajt e ardhshëm.

Mirëpo, megjithatë më e rëndësishme është që të vaksinohen personat mbi moshën 60-vjeçare, shtatzënat, personat me sëmundje kronike dhe punëtorët shëndetësorë.