Dekonspiroi operacionin ndërkombëtar, ish-kreu i OFL: Më ktheni në detyrë se nuk i prish më provat

Ish-drejtori i pezulluar i OFL, Artan Shkëmbi ka ankimuar vendimin e dhënë ndaj tij nga Gjykata e Posaçme, pas dyshimeve se ka dekonspiruar aksione ndërkombëtare.

Sipas avokatit Artan Broci, vendimi i Shkallës së Parë i Gjykatës së Posaçme është i parsyetuar, dhe se Shkembi duhet të qendrojë në detyrë pavarësisht hetimeve. Broci deklaron se qëndrimi i tij në detyrë nuk rrezikon prishjen e provave pasi ato tashmë janë administruar nga SPAK.

Kujtojmë se kanë qenë hetues gjermanë ata që kanë ngritur dyshime se Shkëmbi ka informuar dy subjekte të OFL-së që të ishin të kujdesshëm, pasi ndaj tyre ishin duke e kryer hetime.

Vetë Shkembi i ka mohuar këto akuza, ndërkohë që kujtojmë se për rastin ka pasur polemika, pasi pavarësisht akuzës së rëndë ndaj kreut të OFL-së, hetimet ndaj tij po kryhen në gjendje të lirë.

Dyshimet janë se Shkëmbi i dërgoi SMS të koduar përmes një programi të kriptuar, dy personave në hetim në Gjermani për trafik droge, të cilët janë identifikuar si Aleksandër Prroni dhe Klaudio Vukaj. Mesazhi i Artan Shkëmbit për dy të kërkuarit për trafik kokaine është dërguar nga godina e Policisë së Shtetit, sipas prokurorisë gjermane.

Gjermanët kërkuan informacione te pala shqiptare

Hetuesit gjermanë kërkuan verifikim të pasurive për shtetasit Aleksandër Prroni dhe Klaudio Vukaj, që të dy me banim në Gjermani. Pas mbërritjes së letërporosisë nga policia gjermane, burimet ne fjalë thanë, se pala shqiptare u ka kthyer përgjigje gjermanëve në 22 prill. Ndërkohë që vijonin hetimet ndaj Prronit dhe Vukajt, të cilët kanë qenë në përgjim nga autoritetet gjermane, dhe u zbuluan të tjera prova që implikonin drejtuesit e policisë shqiptare.

Programi “Deep See” zbuloi Shkëmbin

Por në vazhdën e hetimeve një grup i përbashkët hetimor zbuloi komunikimin mes shtetasve shqiptarë në Gjermani, te cilët ishin vënë në dijeni për hetimet ndaj tyre, dhe me pas në telefonin e tyre u gjend edhe një fotografi e dërguar nga Shqipëria me të dhëna nga programi hetimor Deep See (Dip Si).

Në këtë program kanë akses vetëm zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit. Pikërisht kjo rrjedhje të dhënash ka bërë që në mesin e muajit shtator, menjëherë pas këtij zbulimi, oficeri ndërlidhës gjerman i bindur se dekonspirimi kishte ardhur nga efektivët shqiptarë të policisë kërkon hetime urgjente nga pala shqiptare.

Shkëmbi dhe dy oficerë kërkuan në sistem emrat e Prronit dhe Vukajt

Në këtë mënyrë, menjëherë ka nisur verifikimi i sistemit Deep See dhe TIMS për të kuptuar se kush kishte hyrë dhe kishte kryer kërkime për emrat e Prronit dhe Vukaj. Në të gjitha rastet personi që kishte kërkuar rezulton zyrtari Shkëmbi, të cilit për vite me radhë i janë besuar edhe hetime në bashkëpunim me policitë e tjera të huaja.

Përveç tij, nga hetimet rezultoi se në të njëjtën periudhë kanë kërkuar informacion për këta dy shtetas edhe dy oficerë të tjerë të policisë, një agjente femër dhe një tjetër agjent, të cilët njëkohësisht janë marrë në pyetje. Në marrjen në pyetje, Shkëmbi pretendon se ka kërkuar për efekt detyre pas kërkesës së ardhur nga pala gjermane. Ai ka thënë se të dhënat i ka përcjellë për procedim, dhe të njëjtën gjë kanë thënë edhe dy agjentët e tjerë që janë pyetur nga hetuesit shqiptarë.

SPAK: SMS-ja u dërgua nga iPhone

Por SPAK dyshon se të dhënat u përcollën përmes një aparati celular iPhone. Është pikërisht kjo markë telefoni që ka shtuar dyshimet ndaj Shkëmbit, duke qenë se telefoni që ai ka vënë në dispozicion të hetuesve është pikërisht një celular iPhone.