Deklarata e fortë e Kryeprokurorit: Situata si në vitet 70-80 me mafian në Siçili, ajo që po ndodh me krimin vetëm maja e ajsbergut

Niveli i krimit në rritje, si dhe ekonomia dhe territori i qytetit po ndikohet nga bandat e krimit të organizuar, ishin konstatimet e kryeprokurorit të vendit Olsian Çela gjatë një takimi me vartësit në prokurorinë e Elbasanit. Sipas Çelës situata kërkon një përgjigje profesionale dhe të shpejtë nga institucionet ligjzbatuese, në mënyrë që perspektiva e të rinjve të mos jetë rekrutimi nga bandat.

Kryeprokurori i vendit, Olsian Çela, nuk ka nguruar ta cilësojë qytetin e Elbasanit, si një qytet ku jeta ekonomike dhe territori po diktohen nga bandat e krimit të organizuar. Duke iu referuar ngjarjeve të fundit të ndodhura në Elbasan, por edhe atyre të mëparshme, Çela ka kërkuar reagimin e institucioneve ligjzbatuese në mënyrë sa më të shpejtë dhe profesionale, në mënyrë që të rinjtë e Elbasanit të mos rekrutohen nga bandat.

Olsian Çela, prokuror i përgjithshëm i Shqipërisë: “Niveli i krimit është në rritje, nuk kemi të bëjmë me krimin e zakonshëm, por kemi të bëjmë me krimin e organizuar. Në Elbasan po vihen re shenja të qarta të kontrollit kriminal mbi territorin si dhe mbi jetën ekonomike të qytetit. Këto janë tipare të qarta të krimit të organizuar që kërkojnë vëmendje të veçantë dhe kërkojnë përgjigje ekzemplare nga strukturat e shtetit.

Nuk mund të tolerohet që një qytet të kthehet në skenë lufte mes bandash për pushtim territori dhe influence. Këto janë maja e ajsbergut për atë që ndodh realisht në Elbasan. Ne po përballemi me një situatë aspak të zakonshme. Nuk mundet që perspektiva e të rinjve të jetë ajo e rekrutimit nga bandat që kontrollojnë qytetin. Elbasani nuk mund të kthehet në një model të Siçilisë së viteve ’70 apo 80”. Ajo që po ndodh me krimin në Elbasan është vetëm maja e ajsbergut.”

Situata e krimit në qytetin e Elbasanit, sipas kryeprokurorit të vendit, nuk rezulton aspak e njëjtë me atë që paraqiti ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, disa ditë më parë në Elbasan, teksa promovonin me paradë dhe sirena, njësitë e reja të policisë.
Në një takim të zhvilluar më 5 tetor në Elbasan, kryeprokurori Olsian Çela deklaroi se qyteti po kthehej në një skenë lufte mes bandave të krimit të organizuar.

“Kjo nuk mund të lejohet, asnjë grup kriminal nuk mund të jetë më i fortë sesa shteti. Për këtë arsye, unë vlerësoj se është e domosdoshme që si nga policia, ashtu edhe nga prokuroria, niveli i bashkëpunimit të ngrihet në nivele të tjera”, tha Çela, ndërsa kërkoi një “përgjigje ekzemplare” nga shteti.

Kryeprokurori akuzoi tërthorazi edhe politikën, ndërsa tha se nuk u kishte lënë mundësi të tjera të rinjve të qytetit.

“Perspektiva e të rinjve të Elbasanit nuk mund të jetë ajo e rekrutimit nga bandat, që duan të kontrollojnë qytetin. Kjo është e pafalshme,” shtoi Çela.

Gjatë viteve të fundit, një seri atentatesh – përfshi një duzinë vrasjesh ende të pazbardhura mes dy grupeve kriminale e kanë zhytur qytetin e Elbasanit në një situatë të vazhdueshme pasigurie.

Autoritetet ligjzbatuese fajësojnë prishjen e pazareve në fushën e drogës, ndërkohë që një seri premtimesh të përsëritura për rikthim të rendit janë tretur me kohën.

Deklaratat e kryeprokurorit Çela konsiderohen një realitet i gjithëditur në Elbasan, ndonëse pedagogë, artistë apo përfaqësues të shoqërisë civile hezitojnë të flasin hapur mbi pasojat që krimi po i shkakton qytetit të tyre.

Në intervistat e veçanta me BIRN, shumë prej tyre kërkuan të flisnin në kushtet e anonimatit, ndërkohë që të tjerë fajësuan organet ligjzbatuese për gjendjen e rënduar të kriminalitetit.

Z.A, mësuese në një prej shkollave të Elbasanit i tha BIRN se në zonën ku ajo banon, veprimtaritë e paligjshme vihen re me sy të lirë.

“Ne kemi raste konkrete në zonën ku banoj, ku vihen re shumë mirë veprimtari të paligjshme. Ato herët a vonë do të krijojnë përplasje që mund të na përfshijnë të gjithë ne,” thotë ajo, duke iu referuar shitjes së narkotikëve në rrugë.

Mësuesja i tha BIRN në kushtet e anonimatit se ka menduar disa herë të denoncojë, por nuk i beson policisë.

“Gjithmonë jam stepur, pasi e di shumë mirë që policia do më nxjerrë mua të parën dhe nuk më mbron askush. Pasojat për familjen time mund të jenë të mëdha”.

I pyetur nga BIRN për situatën e rendit në qytetin që drejton, kryebashkiaku Gledian Llatja u shmang duke thënë se nuk i njihte çështjet e prokurorisë, por tha se bashkia ofronte mbështetje maksimale.

“Nuk jam në dijeni të çështjeve të prokurorisë, por e kemi mbështetur dhe kemi një mbështetje maksimale për organet ligjzbatuese, si policinë ashtu edhe prokurorinë”, tha Llatja.

Ai po ashtu pretendoi se bashkia kishte programe që “i largonin të rinjtë nga veset”.

Në krahun tjetër, kryetari i Partisë Demokratike për Elbasanin, Eugen Isaj deklaroi se ajo që kishte thënë kryeprokurori tregonte gjendjen reale në qytet, ndërsa akuzoi shumicën socialiste për lidhje me krimin.

“Pa u prerë lidhjet e krimit në Elbasan me pushtetin, kjo situatë do vijë duke u përkeqësuar”, tha Isaj.

Ndryshe nga përfaqësuesit politikë, qytetarët e Elbasanit preferojnë që t’i shmangin bisedat për luftën mes bandave.

“Kjo është një temë e fortë dhe vështirë të gjesh njeri që të komentojë në publik,” tha një pedagog i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, duke kërkuar të mbetej anonim.

K.M, mësuese në një prej gjimnazeve të qytetit, tha se ato që kishte përmendur kryeprokurori, përfshi rekrutimin e të rinjve nga bandat, i hasnin në përditshmëri.

“Kryeprokurori konfirmoi atë që vërtet zien lart e poshtë në qytetin e Elbasanit. Përgjithësisht qytetarët duket se e kanë pranuar këtë situatë. Po vuajmë pasojat e kësaj të keqeje që na ka zënë në heshtje, duke konfirmuar edhe një herë faktin që Elbasani është një popull “i butë” dhe “i bindur” si ndaj shtetit, ashtu edhe ndaj forcave të tjera,” tha ajo.

Një prej artistëve të Teatrit “Skampa”, po ashtu refuzoi t’i komentonte deklaratat.

“Sa herë që ndodhin ngjarje të rënda, të gjithë diskutojmë në rrethe të ngushta, por askush nuk dëshiron që kjo të bëhet publikisht,” thotë ai, pa dhënë arsye se përse heshtej ndaj situatës.

Qytetarë të thjeshtë mendojnë se përplasja mes bandave nuk i shqetëson, derisa ata lajnë hesapet me njëri-tjetrin.

“Ata nuk kanë punë me ne. E kanë me njëri-tjetrin,” thotë një tregtar mobiljesh, i pyetur nëse ndikon kjo situatë në shtimin e pasigurisë në qytet.

Arben Ramkaj, drejtues i qendrës për bashkëpunim ndërfetar në Elbasan, ishte i vetmi që pranoi të komentonte me emër, duke paraqitur një situatë apokaliptike në qytet.

“Krimi i organizuar është bërë i frikshëm për moshat e reja, të cilat për shkak të papunësinë e shikojnë zgjidhjen tek pasurimi i shpejtë nëpërmjet përfshirjes në krimin e organizuar,” tha Ramkaj.

Ai shtoi se kishte vënë re “indiferentizëm nga shoqëria civile e qytetit dhe deri diku edhe nga klerikët”, ndërsa shtoi se pasojat ishin të hidhura si për personat e përfshirë, edhe për vetë qytetin.

“Është fatkeqësi që Elbasani, nga qyteti i dijes dhe i kulturës po njihet tashmë si qyteti me rekorde kriminale,” përfundoi ai.