Deklarata e fortë e eurodeputetit: Shqipëria një shtet që drejtohet nga mafia! Zgjedhjet në prill nuk do të jenë demokratike

Eurodeputeti francez Jerome Riviere ka shprehur kritika të forta sot gjatë një konference për paketën e zgjerimit të BE 2020 dhe Planin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Eurodeputeti Riviere u shpreh se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të ndahen nga njëra-tjetra për procesin e anëtarësimit.

“Me Shqipërinë, një shtet që drejtohet nga mafia, por edhe me shumicë myslimane, Europës që ju pretendoni të mbroni, do t’i vijë fundi”, tha Riviere, duke lënë të kuptohej se nuk do ta miratonte raportin.

Deklarata e Riviere solli reagimin e kreut të Komisionit për Punët e Jashtme, David McAllister, i cili i kërkoi eurodeputetit të mos fyente një vend mik si Shqipëria, deklaratë që u mbështet nga shumica e eurodeputetëve të pranishëm.

Po ashtu, kritik ka qenë dhe një europdeputet hungarez, nga partia Jobbik, i cili foli në lidhje me votimin e djeshëm të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Sipas tij, “zgjedhjet e ardhshme në prill nuk do të jenë demokratike”.

Ndërkohë, zërave kritik i është kundërpërgjigjur Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, e cila theksoi para eurodeputetëve se procesi i integrimit për Shqipërinë nuk duhet të ndalojë, pasi populli shqiptar është më pro-europiani në rajon.