Çfarë është “Pandemia e lodhjes” dhe si po përhapet

Rastet e coronavirusit po rriten, por me këtë po vijnë edhe disa ndryshime në sjelljen e njerëzve

A e keni vënë re që disa njerëz po shmangin maskat, duke injoruar praktikat e distancimit social ose duke e marrë virusin më pak seriozisht sesa në fillim të pandemisë.

Lexo Edhe:
Si e dëmton nxehtësia spermën dhe shkakton infertilitetin mashkullor? Shkencëtarët zbulojnë përgjigjen
“Pandemic fatigue” ose “pandemia e lodhjes” është diçka e vërtetë.

Në “Combating Pandemic Fatigue” (Luftimin e Lodhjes Pandemike), Marie Tae McDermott dhe Jill Cowan ndajnë katër mënyra nga një bisedë me Elissa Epel, një profesoreshë në Departamentin e Psikiatrisë dhe Shkencave të Sjelljes në Universitetin e Kalifornisë, San Francisco, në lidhje me mënyrat e parandalimit të lodhjes pandemike, që mund të çojë në sjellje të pasigurta.

Dr. Epel vëren se stresi, lodhja, ankthi dhe depresioni janë në rritje:

Një studim i fundit tregoi se normat e depresionit u rritën tre herë më shumë gjatë pandemisë dhe janë raportuar më shumë probleme me ankthin, depresionin ose abuzimin e substancave deri në fund të qershorit.

Sidoqoftë, Dr. Epel tha që kushtet e ankthit psikologjik që duken si depresion dhe ankth nuk janë domosdoshmërisht çrregullime psikiatrike në kuptimin klasik.

“Është një përgjigje normale ndaj asaj që po ndodh”, tha ajo.

Efektet e pafavorshme të shëndetit mendor janë të lidhura me të qenit në një situatë stresuese kronike, veçanërisht për njerëzit, jeta e të cilëve është tashmë e rënduar nga një sëmundje, stres financiar apo probleme pune.

“Sistemi duhet të gjejë mënyra për t’i ndihmuar njerëzit me të vërtetë të rikuperohen dhe të kenë më shumë kohë për vetë-kujdes,” tha ajo.

Lloji i lodhjes që ka përjetuar popullata e përgjithshme mund të lidhet me kushtet e shëndetit fizik ose mund të ketë lidhje me stresuesit e përbashkët psikologjikë.

Dr. Epel sugjeron të kufizoni ekspozimin ndaj lajmeve shqetësuese dhe të tregoheni të mirë me veten dhe të tjerët pranë jush, që po përjetojnë shqetësime emocionale.

Ajo këshillon që njerëzit të përcaktojnë strategjitë e përballimit që funksionojnë për ta:

Të gjithë duhet të mendojnë se çfarë do të thotë kujdesi personal për veten e tyre. Ky përkufizim mund të jetë i ndryshëm për të gjithë. Për disa, kjo mund të nënkuptojë të bëni shumë gjumë. Për të tjerët, kujdesi personal nënkupton shëtitje të gjata në natyrë ose ushtrime fizike.

Parandalimi i periudhave të gjata të sjelljes sedentare, mund të ndihmojë gjithashtu shumicën e njerëzve.

“Të ecësh me dikë, duke mbajtur një maskë zgjidh dy nevoja të rëndësishme të pandemisë në të njëjtën kohë: sociale dhe fizike.”

Dr. Epel rikujton se mosrespektimi i rregullave nuk do t’ju ndihmojë:

“Njerëzit mund të lodhen nga distancimi social dhe të vendosin të kthehen të jetojnë ashtu si bënë para pandemisë. Është një përgjigje e kuptueshme, por është larg zgjidhjes. Në fakt, është ajo që vetëm sa do ta zgjasë në kohë dhe do ta përkeqësojë lodhjen pandemike dhe vetën pandeminë.”

Ajo sugjeron të jeni gjithnjë të përgatitur fizikisht dhe materialisht. Të qenit i përgatitur i ndihmon njerëzit të fitojnë sadopak ndjenjën e kontrollit mbi një situatë tërësisht të paparashikueshme.
Në një artikull, Dr. Epel shkruan se ankthi i moderuar është në të vërtetë i mirë, sepse na shtyn të marrim masa vetëmbrojtëse si larja e duarve dhe mbajtja e maskave.

“Distancimi social është zvogëlim i ankthit”, u shpreh ajo. “Ankthi gjatë kësaj periudhe është normal dhe është “i mirë” sepse po shërben për një funksion. Po na shtyn të jemi të sigurt, duke bërë që të përshtatemi e të përballemi me problemin.”