Merkel përgënjëshron Ramën për procesin me BE: Flasim pasi të përmbushen reformat

Rama deklaroi sot se pas një bisede telefonike me Kancelaren Merkel ai kishte kuptuar si fakt të kryer zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave Brenda muajit Dhjetor.

“Me kancelaren Merkel, biseduam pak më parë për rreth 60 minuta mbi Planin e Madh të Investimeve të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor dhe nxitjen e mëtejshme drejt Shengenit Rajonal; progresin e Shqipërisë pas vendimit për çeljen e negociatave dhe përpjekjet në vijim drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE, si edhe kryesimin e suksesshëm të OSBE nga Shqipëria dhe sfidat deri në përmbylljen e mandatit tonë, në dhjetor”, u shpreh Rama pas bisedës telefonike.

Qeveria gjermane ka bërë një deklaratë në lidhje me këtë reagim të Ramës duke sqaruar se për Shqipërinë nuk është marrë asnjë vendim deri në përmbushjen e reformave të caktuara.

Ambasada gjermane në Tiranë zbardh detaje nga biseda e zhvilluar sot mes kryeministrit Edi Rama dhe Kancelares Angela Merkel.

Ambasada publikon njoftimin e zëdhënësit të qeverisë gjermane, i cili thekson se Rama dhe Merkel kanë diskutuar për situatën e pandemisë, marrëdhëniet bilaterale dhe ekonomike si dhe për situatën në rajon dhe përparimin e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në BE.

Mesazhi i ambasadës gjermane

Zëdhënësi i Qeverisë Federale Steffen Seibert njofton:

Kancelarja Federale Angela Merkel dhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilluan sot një bisedë me njëri-tjetrin përmes një videokonference.

Ata biseduan për situatën e pandemisë, marrëdhëniet bilaterale dhe ekonomike si dhe për situatën në rajon dhe përparimin e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në BE.

Këshilli Evropian ka vendosur në mars 2020, të hyjë në bisedimet zyrtare të pranimit me Shqipërinë. Reformat e rëndësishme, të cilat do të përcaktojnë shpejtësinë e bisedimeve, prekin para së gjithash drejtësinë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.